Kryeministri Fatos Nano, në cilësinë e Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, si dhe të kryetarit të Partisë Socialiste, i është drejtuar me anë të një letre Prokurorit të Përgji
Kryeministri Fatos Nano, në cilësinë e Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, si dhe të kryetarit të Partisë Socialiste, i është drejtuar me anë të një letre Prokurorit të Përgjithshëm të Republikës, zotit Theodhori Sollaku, me qëllim nisjen e hetimeve mbi të gjitha deklarimet e deputetit Nikollë Lesi në Kuvendin e Shqipërisë.
Zoti Nano i drejtohet Prokurorit të Përgjithshëm "për të përmbushur të gjitha hapat si dhe veprimet ligjore e institucionale të organit të prokurorisë, për kryerjen e hetimeve të plota dhe të gjithanshme lidhur me përmbajtjen dhe rrethanat e tjera që kanë të bëjnë me thëniet dhe materialet e bëra publike, në cilësinë e deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, nga zoti Nikollë Lesi, gjatë seancës plenare të datës 08.11.2004, për të filluar dhe zhvilluar hetime në këtë funksion, në mbështetje të dispozitave të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Shqipërisë".
Kryerja në kohë dhe profesionalizëm i hetimeve, sipas z.Nano, "do të përbëjë një kontribut të mirëpritur dhe kërkuar ligjërisht në funksion të zbardhjes së të vërtetës për të gjitha argumentat dhe implikimet që pretendohen në deklarimet e kryera nga deputeti Lesi".
"Si Kryeministër i vendit, - thekson zoti Nano në letrën drejtuar Prokurorit të Përgjithshëm, - ndjej përgjegjësinë institucionale, morale dhe politike për të qenë plotësisht i angazhuar të përmbush të gjitha detyrimet ligjore që sigurojnë respektimin e parimeve të funksionimit të shtetit ligjor në Republikën e Shqipërisë".
Po ashtu, Kryeministri Nano i është drejtuar edhe Shërbimit Informativ Shtetëror, për kontrollin e zbatimit të procedurave ligjore e nënligjore në lidhje me mënyrat e mbledhjes dhe sigurimit të informacionit, si dhe përdorimin e teknikave të kontrollit fizik e elektronik për periudhën 01.12.1997-01.02.1998.