E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri egjiptian mberrin ne Gaza

Kryeministri  Egjiptian ka mbërritur në Gaza për të treguar mbështetje për palestinezët, pasi Izraeli goditi më shumë se 130 objektivat brenda natës. Izraeli dhe militantët palestinezë vendosën të pushojnë përkohësisht konfliktin e ndezur rishtazi mes tyre pas vizitës se  kryeministrit egjiptian . Autoritetet izraelite thanë se do të ndalojnë bombardimet në Rripin e Gazas, ndërsa militantët njoftuan se nuk do të lëshojnë sulme me raketa kundrejt territoreve izraelite gjatë vizitës së kryeministrit Hesham Kandill. 
Hesham do të takohet në Gaza me udhëheqësit e Hamas për të parë mundësitë e dhënies fund të konfliktit. Burimet diplomatike të cituara nga mediat ndërkombëtare thonë se Shtetet e Bashkuara po ushtrojnë presion ndaj Turqisë dhe Egjiptit, dy vende me influencë tek Hamas, për t’i kërkuar këtij të fundit ndaljen e sulmeve me raketa ndaj Izraelit. Por Hamas deklaron se si Egjipti ashtu dhe Turqia shprehin zemërimin e tyre në lidhje me bombardimet izraelite në Gaza. Sipas organizatës palestineze, Kajro mendon se këto sulme janë një thikë pas shpine nga ana e Izraelit. 
Të shtunën pritet takimi i jashtëzakonshëm i Ligës Arabe e thërritur kjo nga Egjipti. Një zëdhënës i presidentit Mohamed Morsi tha se në takim do të kërkohen dhe shqyrtohen mundësitë e dhënies fund të menjëhershëm të shkëmbimit të zjarrit në Gaza.
Të enjten militantët palestinezë goditën me dy raketa Tel Avivin, por autoritetet izraelite thanë se asnjëra prej tyre nuk preku zonën. Kjo ndodh për herë të parë prej vitit 1991, kur nisi Lufta e Gjirit. Ministri izraelit i Mbrojtjes, Ehud Barak, tha se “militantët palestinezë do të paguajnë një çmim shumë të lartë për goditjen me raketa kundër Tel Avivit”. Kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu, tha se “do të bëj gjithçka të mundshme për të shmangur viktimat civile në konfliktet me Hamasin”.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›