E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri i Greqisë, Kostas Karamanlis i drejtohet Kuvendit të Shqipërisë

  Zonja Kryetare e Parlamentit shqiptar,
Zonja dhe zotërinj deputetë,
 Është një gëzim i madh për mua që vizitoj sot Shqipërinë mike dhe fqinje, dhe që më jepet rasti t'ju drejtohem juve nga kjo tribunë, përfaqësuesve të zgjedhur të popullit mik shqiptar.
Dëshiroja prej kohësh të realizoja këtë vizitë  të rëndësishme dhe për këtë arsye e pranova me kënaqësi të madhe ftesën që më drejtoi miki im, Kryeministri zoti Sali Berisha.
 Viteve të fundit, ne Greqia dhe Shqipëria kemi zhvilluar marrëdhënie miqësie, bashkëpunimi dhe fqinjësie të mirë në mënyrë shumë dimensionale dhe esenciale. Janë bërë hapa të shënuara dhe të qëndrueshme përparimi për krijimin dhe konsolidimin e një klime mirëkuptimi reciprok dhe besimi në favor të vendeve tona, të popujve tanë dhe të rajonit më gjerë. Në këtë kuadër marrëdhëniesh nënvizojmë dhe rëndësinë e minoritetit etnik grek të Shqipërisë, i cili përbën një urë historike dhe thelbësore miqësie midis dy vendeve tona.
 Brenda kësaj klime bashkëpunimi konstruktiv u bë i mundur dhe nënshkrimi i sotëm i marrëveshjes, veçanërisht të rëndësishme të përcaktimit të zonave detare dhe të shelfit kontinental midis Greqisë dhe Shqipërisë. Në të njëjtën frymë u nënshkrua para dy muajsh dhe marrëveshja e një rëndësie humane dhe morale për varrezat ushtarake të ushtarëve grekë, që ranë duke luftuar në Shqipëri, gjatë luftës greko-italiane të viteve 1940-1941.
 Në sajë të përpjekjeve të të dy palëve kemi përforcuar kanale sistematike komunikimi, shkëmbejmë vizita të shpeshta dhe të rëndësishme të nivelit të lartë dhe hapim në këtë mënyrë prespektiva të reja për një bashkëpunim më të zgjeruar dhe më të ngushtë dypalësh.
 Klima e favorshme politike që mbizotëron në marrëdhëniet tona dypalëshe ka ndikime shumë pozitive edhe në fushën ekonomike, një fakt ky që pasqyrohet qartazi në vëllimin e investimeve greke në vend. Prezenca dinamike e kompanive greke që aktivizohen, dhe e theksoj këtë, do të vazhdojmë të zhvillojmë aktivitet në Shqipëri, megjithë konjukturat e vështira dhe të ndërlikuara ekonomike botërore, kontribuon në mënyrë decizive për zhvillimin e ekonomisë shqiptare.
 Do të dëshiroja sigurisht t'i referohesha edhe ndihmës së emigrantëve ekonomikë shqiptarë, të cilët jetojnë dhe punojnë gjatë dy dekadave të fundit në Greqi, duke kontribuar si në drejtim të tregut grek të punës, ashtu edhe për forcimin e ekonomisë të Shqipërisë me remitancat e tyre.
 Ju siguroj se Greqia dëshiron zhvillimin dhe avancimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ekonomike dypalëshe, si dhe të investimeve në Shqipëri dhe do të vazhdojë të përgjigjet pozitivisht kërkesave të miqve tanë shqiptarë, për shanse reciprokisht dobiprurëse biznesi. Rrjedhimisht, përshëndesim të gjitha idetë dhe propozimet për rregullimin e përshtatshëm të ambientit investues  dhe për bashkëpunime të reja në sektorë të rëndësishëm, siç është kryesisht, energjia dhe rrjetet që po planifikohen të transmetimit të saj.   
Zonja dhe zotërinj   Vizita ime realizohet në një moment të jashtëzakonshëm kohor, sepse vetëm para pak javësh i uruam Shqipërisë mirëseardhjen në gjirin e familjes së NATO-s. Më lejoni edhe njëherë, të përgëzoj edhe nga kjo tribunë, juve, përfaqësuesve të popullit shqiptar dhe nëpërmjet jush popullin mik shqiptar, për anëtarësimin e vendit tuaj në NATO.
Një ngjarje që përbën stacion në historinë moderne të Shqipërisë. Greqia që nga momentet e para ka mbështetur integrimin euro-atlantik të Shqipërisë, një vendim që ishte marrë në kuadrin e këndvështrimit tonë më të gjerë gjeostrategjik për rajonin. Me anëtarësimin e vendit tuaj në NATO, hapet një kapitull i ri historik edhe për rajonin më të gjerë të Ballkanit, për faktin se Shqipëria mundet tashmë të kontribuojë në mënyrë konstruktive në forcimin e një ambienti paqeje, stabiliteti rajonal dhe sigurie, duke plotësuar kushtet e kërkuara të fqinjësisë së mirë.
Ne shohim drejt një bashkëpunimi të ngushtë me Shqipërinë në kuadrin tashmë të Aleancës dhe jemi të gatshëm të ndihmojmë vendosshmërisht në përpjekjet tuaja, me oferta për know-how të domosdoshme.   Zonja dhe zotërinj   Siç e dini Greqia përbën gjithashtu një mbështetës të qëndrueshëm të ecurisë së Shqipërisë drejt BE-së. Ishim ndër të parët shtete anëtare që inkurajuam dhe mbështetëm perspektivën e qartë europiane të të gjithë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe kjo që në kohën e Presidencës Greke të BE-së në vitin 2003. Atëherë në Axhendën e Selanikut u fiksua për herë të parë e ardhmja europiane e rajonit. Gjatë gjithë kësaj kohe Greqia mbështet ecurinë europiane të Shqipërisë, e cila sigurisht presupozon plotësimin e kushteve dhe kritereve integruese që vendos BE. Në këtë kuadër, BE i jep rëndësi të posaçme çështjeve të tilla si: zhvillim të zgjedhjeve sipas standardeve ndërkombëtare, shtetit të së drejtës, përballimin e korrupsionit, respektimin e të drejtave njerëzore dhe minoritare. Adaptimi dhe zbatimi i të gjitha masave të domosdoshme në këtë drejtim, në bazë të vlerave europiane do të lehtësojë afrimin e  Shqipërisë me familjen europiane. Mbështetja greke konsiston gjithashtu edhe në qëndrimin tonë pozitiv kundrejt perspektivës së liberalizimit të regjimit të vizave. Në këtë kuadër, Qeveria ime ndjek nga afër përparimin që është arritur në zbatimin e reformave të domosdoshme. Të reformave që do të lejojnë liberalizimin e regjimit të vizave, duke i sjellë qytetarët e Shqipërisë më afër qytetarëve europianë. Zonja dhe zotërinj, Erdha si mik dhe e ndjej se gjendem mes miqsh. Duhet të dini se Greqia ushqen gjithmonë ndjenja miqësore kundrejt Shqipërisë dhe kombit shqiptar dhe shikon drejt bashkëpunimeve reciprokisht dobiprurëse në të ardhmen. Dëshiroj tju siguroj se Greqia do të mbetet një fqinj i mirë, mik besnik, aleat i ngushtë brenda NATO-s dhe shpresojmë së afërmi, partner i ardhshëm brenda BE-së.   Ju faleminderit
     
 

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›