E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti Topi pret delegacionin e kryesuar nga Presidenti i Rajonit të Venetos në Itali, Xhankarlo Galan.

27 prill 2009

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi priti sot në Pallatin e Brigadave në një takim të përzemërt e miqësor, Presidentin e Rajonit të Venetos në Itali, Xhankarlo Galan, dhe delegacionin që e shoqëron, në kuadër të një vizite pune në Shqipëri.

Pasi i uroi mirëseardhjen delegacionit dhe Presidentit të Rajonit të Venetos, z. Galan, Presidenti Topi vlerësoi faktin që Italia mbetet partneri kryesor i Shqipërisë dhe shprehu dëshirën për zhvillim të mëtejshëm të marrëdhënieve në fushat politike, ekonomike, tregtare dhe turistike.

Gjatë takimit, Presidenti Topi theksoi rëndësinë e veçantë të marrëdhënieve shumë të mira me Italinë dhe shprehu kënaqësinë për të gjitha takimet e suksesshme në nivele të ndryshme politike në kuadrin e nismave rajonale. “Kjo tregon për një vullnet të përbashkët politik në marrëdhëniet midis vendeve tona dhe dëshirën, me ketë rast, për rritjen e tyre edhe me rajonin e Venetos” – u shpreh Presidenti Topi.

Gjithashtu, Kreu i shtetit shqiptar shprehu vendosmërinë e Shqipërisë për të ecur drejt integrimit euroatlantik. Duke shprehur mirënjohjen ndaj Italisë për mbështetjen e saj në këtë rrugë, dhe për pranimin së fundmi në NATO, Presidenti Topi nënvizoi se bashkëpunimi midis dy vendeve, por edhe me rajonin e Venetos, do të lehtësojë projektet e përbashkëta në të ardhmen si dhe do të rrisë shkëmbimet tregtare, ekonomike, kulturore dhe shkencore.

Presidenti Topi, duke shprehur kënaqësinë për nivelin e lartë të këmbimeve ekonomike, tregtare dhe investimeve italiane në Shqipëri, nënvizoi se do të inkurajonte çdo iniciativë me projekte nga bizneset italiane, si dhe çdo bashkëpunim për promovimin e potencialeve turistike e njohjen e Shqipërisë, duke shprehur besimin se Rajoni i Venetos mund të kontribuojë në këto drejtime, duke marrë parasysh kryesisht eksperiencën në fushën e turizmit, si një rajon shumë i vizituar nga turistë të vendeve të ndryshme.

Presidenti i Rajonit të Venetos në Itali, Xhankarlo Galan, pasi falënderoi për mikpritjen, vuri në pah miqësinë e fortë dhe tradicionale midis dy popujve tanë dhe rikonfirmoi mbështetjen e palëkundur të Italisë për përmbushjen e ëndrrës integruese të Shqipërisë në familjen europiane. Z. Galan vlerësoi lart vizionin e Presidentit Topi dhe rolin e rëndësishëm të Shqipërisë në rajon, duke theksuar se vendi ynë, me një ekonomi në zhvillim dhe me një imazh ndërkombëtar gjithnjë në rritje, ofron mundësi të mëdha për investitorët e huaj, sidomos për sipërmarrësit italianë.

Gjithashtu, Presidenti i Rajonit të Venetos siguroi Presidentin Topi për vazhdimin e bashkëpunimit të gjithanshëm, kryesisht në sektorin e infrastrukturës, zhvillimit ekonomik, turizmit, kulturës etj.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›