Kryeministri i Shqipërisë Fatos Nano, e filloi programin e sotëm të vizitës zyrtare në Athinë me një takim me Kryetaren e Bashkisë së Athinës, zonjën Dora Bakojani. Në qendër të dis
Kryeministri i Shqipërisë Fatos Nano, e filloi programin e sotëm të vizitës zyrtare në Athinë me një takim me Kryetaren e Bashkisë së Athinës, zonjën Dora Bakojani.
Në qendër të diskutimeve të këtij takimi ishte çështja e emigrantëve shqiptarë dhe integrimi i tyre në jetën shoqërore të Athinës. Në këtë drejtim zonja Bakojani e njohu Kryeministrin Nano me përgatitjet për Lojrat Olimpike, Athinë 2004, ku në veprat kryesore punon një numër i konsiderueshëm emigrantësh shqiptarë. Po ashtu zonja Bakojani i bëri të ditur Kryeministrit shqiptar edhe punën që po bën bashkia për legalizimin e emigrantëve, nisur nga fakti se në këtë bashki jetojnë rreth 300 mijë emigrantë.
Me këtë rast zonja Bakojani i dorëzoi zotit Nano medaljen e Artë të Athinës, që u jepet personaliteteve të shquara politike që vizitojnë kryeqytetin helen. Në ceremoni ndodheshin anëtarë të dy delegacioneve, si dhe një grup emigrantësh shqiptarë, të ftuar posaçërisht për këtë eveniment.
Pas takimit dhe ceremonisë, zoti Nano e zonja Bakojani deklaruan për gazetarët:
Kryeministri Fatos Nano: Dua edhe njëherë të falënderoj Kryetaren e Bashkisë zonjën Bakojani, për mikpritjen dhe për nderin që më bënë duke më dhënë medaljen e nderit të qytetit. Besoj se shqiptarët ndihen mirë në Athinën e qeverisur nga Zonja Bakojani, në një fazë të zhvillimit shumë cilësor të marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Greqisë. Edhe shqiptarët po kontribuojnë në zhvillimin e marrëdhënieve dhe jam shumë i lumtur që në këtë moment të jem pranë jush bashkëatdhetarëve të mi (shënim:u drejtohet emigrantëve pjesëmarrës), për të nxitur edhe më shumë lëvizjen e lirë dhe integrimin tuaj në këtë kryeqytet të madh europian fqinj, dhe në këtë pikë me zonjën Bakojani ndamë të njëjtin mendim".
Kryetarja e Bashkisë së Athinës Znj.Bakojani: Me gëzim të madh prita zotin Fatos Nano, Kryeministër i Shqipërisë këtu në Bashkinë e Athinës. Ishte një rast për mua të bisedoj me zotin Nano, probleme të ndryshme që preokupojnë edhe qytetin tonë. Në Athinë siç e dini jeton një numër i madh bashkatdhetarësh të tij emigrantë, të cilët janë integruar në mënyrë të suksesshme në funksionimin e qytetit. Dhe unë e garantova Kryeministrin se ne përditë po përmirësojmë punën tonë për integrimin e tyre. Po krijohen bazat për një bashkëpunim edhe më të mirë ndërmjet Greqisë dhe Shqipërisë dhe në këtë rrugë të miqësisë, të bashkëpunimit të duhur dhe të besimit reciprok, në të cilën do të vazhdojmë të ecim.