E Diel, 1 Nëntor 2026

Në mbledhjen e rradhës, Këshilli i Ministrave miratoi sot një numër projektligjesh dhe vendimesh të rëndësishme ku mund të veçoj: Vendimin "Për miratimin e Strategjisë Kombëtare të

Në mbledhjen e rradhës, Këshilli i Ministrave miratoi sot një numër projektligjesh dhe vendimesh të rëndësishme ku mund të veçoj:

Vendimin "Për miratimin e Strategjisë Kombëtare të Ujit".

Një problem bazë për të sotmen dhe për të ardhmen përbën furnizimi dhe higjenizimi i ujit. Në strategji përcaktohet se ... "është e nevojshme të ndiqet një politikë kombëtare e rehabilitimit të ujësjellësave, për të minimizuar humbjet me një sistem tarifash të bazuara në koston e shpenzimeve". Bazuar edhe në këtë kërkesë, tashmë është miratuar nga Këshilli i Ministrave "Strategjia Sektoriale e Furnizimit me Ujë dhe Sanitetet" që synon plotësimin e kërkesave të konsumatorëve nëpërmjet një reforme ligjore, teknike e institucionale të menaxhimit të burimeve ujore dhe përmirësimit të performancës komerciale e financiare të ndërmarrjeve të ujësjellës kanalizimeve.

Kjo strategji ka për qëllim:

• Përcaktimin e objektivave kombëtare në fushën e rezervave ujore, e strukturave institucionale për zbatimin e strategjisë duke përfshirë kuadrin ligjor rregullator e teknik dhe caktimin e mekanizmave bashkërenduese;

• Plotësimin e kërkesave për ujë, të balancuara e bashkërenduara me zhvillimin kombëtar, rajonal, e sektorial, duke marrë parasysh mundësinë e shfrytëzimit të rezervave ujore;

• Ruajtjen dhe racionalizimin e përdorimit të ujit në harmoni me mjedisin dhe rezervave të tjera natyrore.

Njëherësh u miratua projektligji "Për disa ndryshime në ligjin nr. 8553, datë 25.11.1999, "Për Policinë e Shtetit" të ndryshuar".

Në këtë periudhë, të thellimit të reformës në polici dhe të përcaktimit të prioriteteve të reja, të luftës kundër trafiqeve, korrupsionit dhe krimit të organizuar është mëse e nevojshme që, krahas masave të tjera me karakter strategjik dhe profesional, të krijohen apo të riorganizohen strukturat përgjegjëse brenda Policisë së Shtetit. Për realizimin e riorganizimit dhe të ndryshimeve në struktura, sidomos në nivele të larta, qëndrore, pengesë kryesore mbetet përcaktimi me ligj i strukturave përbërëse të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Nisur nga kjo dhe me insistimin e Konsorciumit Ndërkombëtar, të atashuar pranë Ministrisë së Rendit Publik, për ndihmë e monitorim të veprimtarisë së policisë, është përgatitur ndryshimi i nenit 12, të ligjit "Për policinë e Shtetit".

Ndryshimi i miratuar konsiston në heqjen e strukturave të numëruara, në përbërje të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë dhe të formulimit në mënyrë të përgjithshme të kësaj dispozite, duke përmendur vetëm nivelet e organizimit dhe në përputhje me nenin 14, të ligjit.

Eshtë Ministri ai që do të miratojë konkretisht strukturën e kësaj drejtorie. Në këtë mënyrë strukturat e policisë në qendër e bazë bëhen fleksibile, në varësi të mundësive dhe të kërkesave prioritare.

Ndryshimi i miratuar në këtë ligj do t'i paraprijë në një të ardhme jo të largët edhe ndryshimeve të tjera, të cilat janë në fazën e studimit dhe bashkërendimit me strukturat përgjegjëse brenda dhe jashtë ministrisë, si dhe një konsultim të specializuar me Konsorciumin Ndërkombëtar.

Po në mbledhjen e sotme, u mor vendimi "Për miratimin e Strategjisë Kombëtare Antidrogë, 2004 – 2010". Strategjia është emërtuar "kombëtare", pasi ajo nuk përmbledh vetëm problemet që lidhen me parandalimin dhe shtypjen e trafikut të paligjshëm e prodhimit të drogave, por trajtohen edhe problemet që lidhen me edukimin dhe rehabilitimin e drogëpërdoruesve, si elemente mjaft të rëndësishëm që lidhen me reduktimin e kërkesës për drogë. Në tërësinë e vet, Startegjia trajton probleme që kanë të bëjnë me identifikimin e qëllimeve e objektivave; të analizave të fenomenit të drogës me të gjithë elementët përbërës së saj; me parimet kryesore dhe drejtimet strategjike për uljen e ofertës për drogë; me forcimin e institucioneve dhe përcaktimin e detyrave në lidhje me reduktimin e kërkesës për drogë etj.

Në hartimin e Strategjisë së përgatitur nga Ministria e Rendit Publik, kanë marrë pjesë përfaqësues të organizatave të ndryshme, jo vetëm fitimprurëse, të cilat kanë për objekt pune problemet e parandalimit, edukimit dhe rehabilitimit të drogëpërdoruesve.

Një tjetër akt i rëndësishëm i miratuar sot është Projektligji "Për veterinarinë", i cili synon plotësimin e të gjitha mangësive dhe boshllëqeve të krijuara nga ligji ekzistues, si dhe përfshirja e një sërë çështjesh të reja që i ka nxjerrë koha, duhe hedhur hapa të rëndësishëm në procesin e përafrimit të legjislacionit të vendit tonë me atë të BE-së.

Projektligji synon përmirësimin e strukturës organizative të Shërbimit Veterinar nga qendra në bazë dhe përcaktimin e qartë dhe të plotë të kompetencave të çdo hallke. Ndërkohë, projektligji bën të mundur unifikimin e Shërbimit Veterinar të rretheve me atë të bashkive, komunave, të Pikave të Inspektimit veterinar Kufitar dhe të rrjetit të laboratorëve veterinare të qarkut, si dhe përcaktimi i hapësirave të funksionimit të shërbimit veterinar privat. Parashikohet edhe krijimi i autonomisë së shërbimit veterinar me daljen si strukturë e veçantë dhe shtrirja e tij deri në komunë.

Këshilli i Ministrave miratoi, gjithashtu, vendimin për shkarkimin nga detyra për shkelje të rënda ligjore, të kryetarit të Komunës Hudënisht, Z.Gafurr Avdullai.

Ky vendim u mor pas verfikimeve të bëra nga Ministria e Rregullimit të Territorit dhe Turizmit, ku për vitin 2004 fondi i celur nga buxheti i shtetit prej 12 milionë lekësh për ujësjellësin e fshatit Lin, me një afat zhvillimi të tenderit deri më 30 prill, rezultoi se:

Z.Avdullari i është ofruar si mit shuma prej 20% të vleftës së investimit, duke marë në këmbim prej tij garancinë e fitimit të këtij tenderi në rrugë joligjore. Duke marrë shkas edhe nga transmetimi i një kronike në media elekronike, Top CHANAL, doli qartë se Z.Avdullari zhvillimin e këtij tenderi e kishte bazuar në veprime korruptive dhe pazare duke shkelur rëndë ligjin "Për prokurimin publik".

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›