Kryeministri Fatos Nano, në vazhdim të vizitës së tij zyrtare në Athinë, zhvilloi një takim me ministrin grek të Punësimit dhe Mbrojtjes Sociale, z.Panos Panajotopoulos. Në këtë takim
Kryeministri Fatos Nano, në vazhdim të vizitës së tij zyrtare në Athinë, zhvilloi një takim me ministrin grek të Punësimit dhe Mbrojtjes Sociale, z.Panos Panajotopoulos.
Në këtë takim të dy palët shqyrtuan probleme të punësimit të emigrantëve dhe sigurimeve shoqërore të tyre, ku u konstatua vullneti i përbashkët për zgjidhjen e këtyre problemeve.
Pas takimit, Kryeministri Nano dhe zoti Panajotopoulos bënë këto deklarata për gazetarët:
Kryeministri Nano: "Ishte një takim po aq i rëndësishëm për bashkëpunimin midis Greqisë e Shqipërisë, sa ai mes dy kryeministrave dhe institucioneve të tjera që lehtësojnë punësimin, integrimin dhe mbrojtjen shoqërore të emigrantve shqiptarë në Greqi,. Tashmë kemi të njëjtin vullnet dhe vizion të qartë për zgjidhjen e problemeve që mbetën, dhe që do të forcojnë akoma më shumë garancitë sociale të punësimit, të integrimit, dhe të lëvizjes së lirë të shqiptarëve dhe të grekëve, në një treg pune që na bashkon".
Ministri Panojotopoulos: "Dua të falënderoj Kryeministrin e Shqipërisë zotin Fatos Nano për nderin që na bëri të jetë vizitori i parë kaq i lartë, kryetar i një qeverie të huaj, dhe madje të një vendi fqinj, që kaloi pragun e ministrisë sonë. Me zotin Nano dhe delegacionin shqiptar kishim një bisedë shumë të frytshme për problemet që ekzistojnë dhe kisha rastin t'i përsëris shumë herë se ministria jonë, unë personalisht, jam ministër i qeverisë greke për çështje të punësimit e të sigurimeve shoqërore, i cili merret dhe përkujdeset për gjithë të punësuarit në Greqi, pavarësisht nëse janë grekë, shqiptarë, polakë, rumunë, aziatikë, apo çfarëdo tjetër. Ministria jonë kujdeset për gjithë punonjësit. Jemi të ndërgjegjshëm se ka ende shumë probleme, që i interesojnë qeverisë shqiptare. Por i interesojnë edhe qeverisë greke, kemi vënë themelet për të filluar procedurat pas Lojrave Olimpike, nga komisione mikse dypalëshe, që të mundim të eksplorojmë dhe të gjejmë me shpejtësi terrenet e përbashkëta, për të bërë rregullimet e domosdooshme. Dua ta falënderoj zotin Kryeministër, t'i uroj që këto pak orë që i kanë mbetur, pasi kishte një program shumë të ngarkuar në Athinë, të jenë veçanërisht të këndshme, dhe të përsëris se e ndjek edhe si gazater, edhe si politikan për shumë vjet, dhe mund të them se është nga personalitetet e shkëlqyera, dhe në Ballkan, dhe në Europë".