E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri inauguron rrugen Armath- Hamallaj- Hidrovor

Kryeministri, Sali Berisha inauguroi sot rikonstruksionin e rrugës Armath- Hamallaj- Hidrovor. Rruga me gjatësi 5,1 kilometra dhe gjerësi 6 metra, e rikonstruktuar në përputhje me të gjitha standardet bashkohore infrastrukturore përbën një investim prej 174.594.700 lekë, financuar nga qeveria shqiptare, BERZH dhe BEI.  Ajo fillon në aksin e Rrugës Nacionale Maminas - Shenpjeter, prane fshatit Armath, pershkon fshatin Hamallaj dhe perfundon ne bregdet prane Hidrovorit. Rruga, nga e cila përfitojnë 6500 banorë përshkon territorin administrativ të Bashkisë Manëz dhe Sukth, të cilat i lidh me bregdetin e Hamallajt. Kryeministri Berisha, gjatë fjalës së tij në këtë inaugurum vlerësoi faktin se punësimi është qëllimi kryesor i kësaj qeverie. 
“Për qeverinë qëllimi më kryesor i të gjitha përpjekjeve, i të gjitha reformave është punësimi i qytetarëve shqiptarë. Njeriu i lirë i punësuar në kushtet e tregut ndërton vetë jetën e tij, mbrothëson jetën e tij, lumturon jetën dhe familjen. Prandaj për ne, krijimi i vendeve të reja të punës mbetet objektivi më absolut”, vuri në dukje Berisha. 
Po në këtë linjë, shefi i qeverisë parashtroi më tej vizionin e mazhorancës në funksion të këtij prioriteti.  “Në një hark kohor të shkurtër, ne kemi trefishuar numrin e studentëve. Edhe kjo në funksion të punësimit, sepse është e faktuar si drita e diellit se shkollimi dhe universiteti japin shanse shumë më të mëdha për punësim të të rinjve, sesa tek të rinjtë  e tjerë, pra e tërë politika jonë është e përqendruar tek punësimi, e tërë politika jonë është të mbrohemi nga kjo krize e thellë që ka pllakosur disa vende të rajonit dhe Evropën. Dhe  e vërteta është se këto reforma kanë qenë një ombrellë e fuqishme  e mbrojtjes ekonomike. Përsëri ne do i thellojmë ato”, u shpreh Kryeministri.  Njëkohësisht, kreu i qeverisë u ndal dhe tek sistemi i taksave që sipas tij, ishte përgjysmimi i taksave shumëfishoi bizneset. 
“Ata që premtojnë rritjen e taksave, ata premtojnë shkatërrimin e vendeve të punës, ata që premtojnë rritjen e taksave, ata premtojnë shkatërrimin e bizneseve, ata që premtojnë rritjen e taksave, ata kanë nostalgjinë  e kohërave që nuk kthehen më. Ne përkundrazi do ti ulim më tej ato. Ne përkundrazi do të zvogëlojmë më tej sektorin publik, në mënyrë që sektori privat të marrë frymë më lirshëm”, bëri me dije Berisha. Për qeverisjen aktuale, pavarësisht qëndrimeve të opozitës për të penguar ndërtimin e rrugëve, ajo do të vijojë në realizimin e të gjitha objektivave të saj. Për këtë arsye, Kryeministri Berisha bëri me dije se do të ndërtohet edhe rruga Hamallaj-Durrës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›