E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri Berisha merr pjesë në ceremoninë e hapjes së Universitetit "Aleksandër Moisiu" në Durrës

Sot paradite, Kryeministri Berisha mori pjesë në ceremoninë e organizuar për hapjen e Universitetit Publik "Aleksandër Moisiu", në Durrës. Të pranishëm në këtë ceremoni ishin Ministri i Arsimit Genc Pollo, rektorë të universiteve, pedagogë, përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare në Shqipëri, deputetë të zonës, përfaqësues të pushtetit vendor në Durrës, etj.

Universiteti i ri i Durrësit mirëpret në vitin e parë akademik të tij 1030 studentë nga qytete të ndryshme. Ky Universitet përbëhet nga 2 Fakultete: Fakulteti i Edukimit, Fakulteti i Ekonomisë dhe Administrimit, si dhe nga Shkolla e Lartë Profesionale. Universiteti jep diploma universitare për Fakultetin e Edukimit në degët e Ciklit të ulët, gjuhë angleze, kualifikime pasuniversitare në fushën e mësuesisë dhe të menaxhimit të arsimit; për Fakultetin e Ekonomisë në degët shkenca të administrimit, menaxhim turizëm. Ndërsa Shkolla e Lartë Profesionale kualifikon specialistë në rrjetin kompjuterik, ndihmës infermierë dhe ndihmës juristë.

Duke vlerësuar hapjen e këtij universiteti të ri si një ngjarje e madhe për Durrësin, por dhe për jetën intelektuale të kombit dhe të ardhmen e tij, Kryeministri Berisha, ndër të tjera, theksoi:

"Jam shumë i gëzuar që sot më jepet rasti të ndodhem midis jush në ditën e parë të vitit akademik 2006-2007 të universitetit tuaj, të universitetit më të ri publik, të universitetit të njërit ndër qyteteve më të vjetra të Mesdheut, Durrësit.

Për Durrësin dhe për gjithë Shqipërinë, hapja sot e këtij Universiteti është një ngjarje e madhe. Durrësi, me urtësinë e tij, në shekuj priste visaret e pafundme të qytetërimit që mbart, priste universitetin. Ndaj sot të gjithë së bashku le t'i themi ta gëzojë universitetin që meritonte.

Unë dua gjithashtu të uroj në këtë ditë të gjithë studentët, asistentët, pedagogët, profesoriatin, drejtuesit e universiteteve të vendit, urimet më të mira në misionin e tyre të madh dhe fisnik, misionin e dijes.

Dua t'i siguroj se qeveria do të bëjë çdo përpjekje për suksesin e reformës së arsimit të lartë. Qeveria është e vendosur të dyfishojë në 4 vjet buxhetin, në mënyrë që të shkëputemi me shpejtësi nga ai degradim që arsimi njohu në regjimin kleptokratik, regjim i cili përgjysmoi buxhetin për arsimin e lartë dhe arsimin shqiptar në tërësi. Nga 2.1 që ishte në vitin 2005, sot buxheti për arsimin arrin në 3.3 të prodhimit të përgjithshëm të vendit. Asgjë nuk do na ndalojë ne pa kaluar në 4 dhe mbi 4 përqind të prodhimit të përgjithshëm të vendit. Qytetarët duhet të shohin taksat e tyre, duhet të shohin mundin e tyre të shndërrohet në dritë për fëmijët e tyre, të shndërrohet në shkollim, të shndërrohet në dije, të shndërrohet në punësim. Ky është qëllimi ynë.

Ne jemi të vendosur të investojmë në arsim me bindjen e thellë se ky është investimi më i shkëlqyer, investimi më i mirë për individin, për familjen, për kombin, për vendin në tërësi. Ndaj dhe hapja e universitetit përbën për këtë qytet, jo vetëm një ngjarje të madhe në fondin e tij intelektual dhe kulturor, por dhe një shpresë të madhe për familjet, qytetarët dhe fëmijët e Durrësit.

Sot ne inagurojmë këtu një universitet të denjë për qytetin në të cilin vendoset. Universitetit juaj drejtohet nga një staf akademik i shkëlqyer, nga burra dhe gra, djem e vajza, të cilët iu përgjigjën thirrjes tuaj, lanë universitetet ku punonin dhe u kthyen këtu për të sjellë eksperiencën më të mirë, së bashku me ju, për t'i dhënë emrin që meriton këtij Universiteti. Unë dua t'i përgëzoj ata përzemërsisht.

Universiteti është i bazuar në kurrikulat moderne. Ai është themeluar me një orjentim të qartë drejt tregut dhe kërkesave të mëdha të Durrësit dhe vendit. Për herë të parë, këtu themelohet akademia profesionale. Unë me këtë rast dua të falënderoj qeverinë gjermane për angazhimin dhe ndihmën që ka dhënë në themelimin dhe funksionimin e saj.

Të dashur studentë!

Ju keni ardhur nga Durrësi, por edhe nga mbarë Shqipëria, me projektin tuaj më të bukur, projektin e arsimit universitar. Këtu në universitet ju do të hartoni projektin e ri, projektin e Durrësit, projektin e Shqipërisë europiane. Ky është projekti më i madhe, ky është projekti më i mirë, ky është projekti i shumëpritur në shekuj për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Edhe njëherë ju uroj gëzuar këtë ditë. Ju siguroj se qeveria do t'ju mbështesë plotësisht që të përmbushni misionin tuaj fisnik".

Pas përurimit të hapjes së universitetit, Kryeministri Berisha iu përgjigj interesimit të mediave, duke bërë këto komente:

"Jam sot këtu për të inaguruar Universitetin e Durrësit, si një ngjarje e madhe për të gjithë vendin, si një ngjarje e madhe për jetën intelektuale të kombit dhe të ardhmen e tij. Edhe njëherë dua të shpreh një mirënjohje të thellë për të gjithë ata të cilët u përkushtuan, lanë universitetet dhe u bashkuan këtu për të themeluar një universitet vërtetë modern.

Dua të falënderoj të gjithë ata sponsor që me bujarinë e tyre bënë të mundur sot hapjen e tij, dua të përgëzoj të gjithë studentët, familjarët e tyre, prindërit, të Durrësit dhe të mbarë Shqipërinë. Universiteti është një ngjarje shumë e madhe për një komb, universitetet janë institucionet më serioze, në të cilat përpunohet e ardhmja e një kombi.

Pyetje: Megjithatë, zoti Kryeministër, opozita vazhdon t'ju akuzojë për mungesë vizioni për arsimin e lartë.

Kryeministri Berisha: Një nga veprat më të dëmshme të regjimit kleptokratik ishte përgjysmimi i fondeve për universitetet dhe shkollat në tërësi, shndërrimi i atyre fondeve në pasuri personale të zyrtarëve dhe qeveritarëve. Ne po i dyfishojmë ato dhe unë besoj se modernizimi që po i bëjmë arsimit, masterplani që po hartohet nuk do sjellë zhvillim vetëm thjesht në arsimin e lartë por në mbarë zhvillimin e vendit.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›