E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri në Durrës

Durrës - Kryeministri Sali Berisha ishte i pranishëm sot në Komunën e Shënavlashit, Durrës, në kuadër të turit “Shqipëria po ndryshon”. Zyra e shtypit e Kryeministrisë bëri të ditur se Berisha u shpreh se "para këtij mandati, nga qeveria e mëparshme nuk është asfaltuar qoftë edhe një kilometër rrugë, ndërkohë që gjatë këtij mandati, në komunën tuaj janë asfaltuar 13 kilometra, qartësisht 30 për qind më shumë se në kryeqytetin e vendit".

Ai përmendi ndërtimin e rrugëve të fshatit Shënavlash, Rrashbull, Arapaj, Xhafzotaj, Romanat, Shkallnuer, Maskuri, fshatit Pjeshkë, etj., por edhe shkollën e Shkallnuerit në ndërtim e sipër, përurimin e shkollës së Shënavlashit, rikonstruksionin e shkollës së fshatit Arapaj, ndërtimin e ujësjellësit së Shënavlashit, kanalizimet në fshatin Xhafzotaj, rikonstruksionin e ujësjellësve të fshatit Pjeshkë dhe Xhafzotaj, etj.

Kryeministri Berisha garantoi banorët e kësaj komune se "në katër vitet që vijnë, pensionet në qytet dhe fshat do të barazohen".

Kjo, nënvizoi ai, nuk do të ndodhë duke bllokuar rritjen e pensioneve në qytet, sepse ato do të vazhdojnë rritjen me ritme të mëdha, por duke rritur në mënyrën më të madhe edhe pensionet e fshatit.

Kryeministri Berisha i bëri thirrje kryetarit të opozitës, Edi Rama, që të japë dorëheqjen nga Bashkia dhe të dalë ballë për ballë në fushatë.

"Mos u fshih pas karriges së Kryetarit të Bashkisë, por dil, sepse anëtarët e asaj partie, mbështetësit e saj, kërkojnë të të shohin ty që u prin, jo për kryetar Bashkie sepse aty të kanë dhe ua ke nxirë fare, duke marrë së bashku me ndihmesat e tu 59 leje ndërtimi", tha Kryeministri Berisha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›