Kryeministri ne ikago per samitin e NATO-s

Kryeministri Berisha u nis sot për në Çikago të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku do të marrë pjesë në Samitin e 25-të të Aleancës së Atlantikut të Veriut. Samiti i NATO-s do të zhvillohet në 20 dhe 21 maj, në nivel të kryetarëve të shteteve dhe qeverive. Delegacioni shqiptar kryesohet nga Kryeministri Sali Berisha dhe në përbërje të tij janë Zëvendës kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami dhe zyrtarë të tjerë të lartë. Në ditën e parë të punimeve, të cilat do të hapen nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Andres Fogh Rassmusen, Kryeministri Berisha do të marrë pjesë në sesionin e hapjes së mbledhjes së Këshillit të Atlantikut të Veriut. Gjatë këtij sesioni do të përkujtohen ushtarakët e NATO-s të rënë në krye të detyrës gjatë operacioneve të Aleancës. Në sesionet në vijim kryeministri Berisha bashkë me liderët e tjerë të vendeve anëtare të Aleancës do të marrë pjesë në punimet e takimeve dedikuar Afganistanit dhe zhvillimit dhe forcimit të kapaciteteve të Aleancës. Në sesionet e Samitit do të marrin pjesë edhe Sekretari i Përgjithshëm të OKB-së, Presidenti i Këshillit të BE-së, Presidenti i Komisionit të BE-së etj.