E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri nga Vlora: Do mbështes fshatin

Nga Daniela Bonollari
Në kuadër të turit ‘Shqipëria po ndryshon’, Kreu i Qeverisë mori pjesë në përurimin e përfundimit të punimeve për rrugën e qendrës së Llakatundit, në komunën Shushicë. Ne fjalen e tij Berisha sulmoi Bashkinë e Vlorës dhe kreun e socialistëve 

VLORË- Kryeministri Sali Berisha garantoi sot se do të mbështesë financimin e çdo projekti që do të përmirësojë jetën e qytetarëve të rrethinave të Vlorës. Gjatë përurimit të disa veprave në infrastrukturë, Berisha sulmoi Bashkinë e Vlorës për neglizhenca në punë. Nga akuzat nuk shpëtoi as kreu i socialistëve Edi Rama dhe eskponentë të tjerë të Partisë Socialiste.
Në kuadër të turit ‘Shqipëria po ndryshon’, i shoqëruar nga ministri i PPTT-së, Sokol Olldashi, deputeti Ardian Kollozi dhe nga krerë të pushteti lokal, Kreu i Qeverisë mori pjesë në përurimin e përfundimit të punimeve për rrugën e qendrës së Llakatundit, në komunën Shushicë, me gjatësi 900 metra, për të cilën u investuan 15 milion lekë.
Në takimin që pati më pas me banorët e kësaj zone, z. Berisha ripërsëriti angazhimin maksimal për financimin e çdo projekti që do të përmirësojë jetën e qytetarëve të kësaj zone.
“Buxheti i shtetit ka investuar katër herë më shumë se qeveritë e mëparshme, por garantoj se qeveria gjatë viteve që vijnë do të japë dhe katër herë më shumë për komunën tuaj”, u shpreh Kryeministri. Duke rikujtuar dhe një herë vëmendjen që qeveria që drejton u ka kushtuar investimeve në zonat rurale, z. Berisha tha se në tre vjet kemi investuar në këto zona 104 miliard lekë ose 1.2 miliard dollarë.
Kryeministri nënvizoi se duke ardhur në Llakatund, rruga më e dëmtuar ishte segmenti që i përket bashkisë dhe që kalon midis varrezave. “Bashkia, mund ta kishte ndërtuar tre herë këtë rrugë, por meqënëse nuk është bërë, qeveria do ta ndërtojë atë dhe do ta sjellë nga Llakatundi deri në qendër të Vlorës”.
Kryeministri vuri në dukje se përballë kësaj alternative, që bazohet në ndryshimin, në rritjen e pagave, ndërtimin e rrugëve, nxitjen e investimeve, ndërtimin e shkollave të reja, ka dhe një alternative tjetër, ajo e mashtrimit, politika e re me xhaketën e Gramoz Ruçit.
“Me xhaketat e Gramoz Ruçit dhe të Edi Ramës shkohet drejt së shkuarës”, tha z.Berisha, duke theksuar se me politikat tona ne do të ecim të sigurt në të ardhmen.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›