E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri nis turin informues: “Së shpejti rruga Tiranë-Elbasan”

Autori i Lajmit: Redaksia

Prezantimi i projektit më të ri, i rrugës me tunel Tiranë-Elbasan, ka qenë në qendër të diskutimit gjatë takimit që kryeministri Sali Berisha ka zhvilluar me qytetarët e Elbasanit. Në këtë mënyrë kreu i Qeverisë ka nisur turin e tij informues për reformat dhe arritjet e qeverisë. Berisha tha se kjo rrugë, pjesë e Boshtit të Jugut, e shndërron Elbasanin në pjesë integrale me metropolin dhe se e fuqizon ekonomikisht këtë qytet e gjithë Shqipërinë. Kreu i qeverisë kreu takime me autoritete vendore të Elbasanit dhe me qytetarë, të cilëve u deklaroi se projekti i ri për rrugën që parashikon të shkurtojë dukshëm distancën me kryeqytetin, do të jetë më madhori për këtë 4-vjeçar. Sipas Berishës, realisht, është i kushtueshëm. “Autostrada do të jetë një vepër e kushtueshme, ndoshta më e kushtueshmja në vend, por që do të shndërrohet në një faktor madhor zhvillimi, duke krijuar një treg unik, të gjithanshëm dhe të përbashkët me kryeqytetin. Kjo autostradë realizon një ëndërr të qytetarëve elbasanas për të ardhur në Tiranë për 18 minuta”, - tha ai. Por sipas qeverisë, kostoja nuk do të jetë gjë përballë fitimeve që do të ketë Elbasani. "Mendojmë se rruga do të fuqizojë ekonomikisht Elbasanin, pasi infrastruktura është fuqia e ndryshimit”,- u shpreh Berisha në takim. Projekti parashikon që autostrada të jetë e gjatë 31.17 kilometra, me 4 korsi, 7 mbikalime dhe 3 nënkalime. Për ndërtimin e tij është zgjedhur trajektorja më e shkurtër, Tiranë – Lundër - Mullet dhe ndërtimi i tij. Më pas kryeministri shtoi se në 4 vjet qeverisje të së djathtës, Shqipëria do të ketë rrjetin rrugor më modern, pasi ekonomia shqiptare mund ta përballojë këtë. “Ekonomia nuk iu përkul krizës, ne i kemi rritur të ardhurat dhe do të rrisim pagat në të ardhmen. Kemi investuar në 2 vite plot 18% të GDP”,- theksoi Berisha. Më tej ai theksoi bashkëpunimin e ngushtë me ndërkombëtarët. “Ne kemi respekt të madh për institucionet ndërkombëtare, me të cilat bashkëpunojmë ngushtësisht. Mos dëgjoni çthonë mediat, se jepen pas sensacioneve. Ne bashkëpunojmë ngushtësisht me to dhe janë jashtëzakonisht të dobishme. Por ne negociojmë. Ne nuk kemi hequr dhe nuk heqim dorë nga rritja e pagave dhe e pensioneve. Politika jonë është faktuar e suksesshme. Janë marrëzira e absurde fjalët se qeveria nuk ka të paguajë rrogat. Ne kemi dhe do të kemi, i kemi rritur dhe do ti rrisim pagat e pensionet. Për këtë ju garantoj. Kjo është politikë konstante”, - tha ai.
Në takimin në Elbasan, Berisha u shoqërua nga ministrat Lulzim Basha e Sokol Olldashi.

Ky lajm është publikuar: 12/03/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›