Kryeministri, pas 100 ditëve të para premton se në 1324 ditët e mbetura do të ndërtojë Shqipërinë europiane

Kryeministri Berisha deklaroi dje gjatë prezantimit të 100 ditëve të para të qeverisë së tij se ai kishte kohën, gurin dhe arrën për të arritur përafrimin e plotë të vendit në Bashkimin Europian. Ky ishte mesazhi që dha ditën e djeshme Kryeministri Berisha përgjatë bilancit që u bëri 100 ditëve të para të qeverisë që ai drejton. Sipas Berishës, këto ditë në mënyrë jo kalendarike mund të krahasohen me 300 ditë. Por Kryeministri theksoi se ndonëse suksesit të këtyre ditëve, qeveria që ai drejton në të gjithë 100 ditorët do të krahasohet me veten e saj. Sipas Berishës, kjo mënyrë e zgjedhur për sfidën ndaj vetes dhe kohës do të bënte që në vitin 2013 qeveria të ndërtonte Shqipërinë europiane. Në fjalën e tij, Berisha theksoi se kauza e zgjedhur nga opozita për të bojkotuar Parlamentit ishte jodemokratike dhe për këtë arsye Brukseli zyrtar nuk do të ngadalësonte asnjë proces integrues. Në fjalën e tij Berisha theksoi se liberalizimi i vizave do të ndodhte gjatë vitit që vjen.
Opozita
Kryeministri Berisha deklaroi se opozita kishte zgjedhur për të bojkotuar Parlamentin, një kauzë jo demokratike, e cila ishte ngjizur në bazë të interesave të ngushta të kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama. “Opozita ka zgjedhur një kauzë jo demokratike, po në kundërshtim me kauzën themelore të ndarjes së pushteteve”, theksoi Berisha. Ai po kështu shtoi se kërkesat e opozitës kanë aq të pakuptimta, sa nuk mund të gjenden në asnjë vepror të shkrimtarit kolumbian Gabriel Garsia Markez. Sipas Berishës, kreu i PS-së, Rama, së bashku me ndjekësit e tij, po ecin në gjurmët e baballarëve të tyre. “Etërit e tyre biologjikë u kthyen në bunkerë, këta po kthehen në kuti”, ironizoi Berisha. Por me gjithë këtë, ai e ftoi opozitën që të ndryshonte mendim dhe të kthehej në Parlament, për të qenë pjesë e reformave të mëdha që po kryheshin në vend. Sipas tij, opozita nuk duhet ta humbë këtë shans, dhe me bojkotin e saj të vazhdueshëm po humbet peshë dhe vlerësim në opinionin publik. Po kështu Kryeministri deklaroi se ishte i hapur në çdo moment që të dialogonte me kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama. Por ai theksoi se në mënyrë absolute nuk mund të pranohej kushti i opozitës për hapjen e kutive të votimit, sepse në këtë mënyrë merrte Parlamenti kompetencat e gjykatave. Sipas Berishës, opozita është e detyruar të zbatojë vendimin e gjykatave, ashtu si çdo subjekt tjetër.
Brukseli
Kryeministri Berisha theksoi dje se në këto 100 ditë të para të qeverisjes së tij, vlerësimi dhe besimi në Bashkimin Europian nëpërmjet institucioneve të tij ka qenë i madh. Sipas Berishës, hapja e procedurave për statusin e vendit kandidat dhe po kështu marrja në dorëzim e pyetësorit të KE-së, kanë shënuar një erë të re në marrëdhëniet mes Tiranës dhe Brukselit. Kryeministri deklaroi gjithashtu se nga institucionet europiane është kuptuar se kauza që ka ngritur opozita nuk qëndron. “Opozita i privoi vetës një shans historik për të qenë bashkautore e reformave që sollën këto vendime. Rama mendonte se nëpërmjet bojkotit do i bënte thirrje Europës t’i bllokonte këto vendime, por Brukseli konstatoi se bojkoti i opozitës është pa kauzë demokratike dhe që kërkon t’i vejë kazmën shtetit ligjor”, theksoi Berisha. Sipas tij, vendimet e fundit të marra nga BE në kuadër të vijimit të integrimit të Shqipërisë, duhet ta bëjnë Ramën të ndërgjegjësohet se bojkoti i tij është i pakuptimtë.