Gaza kujton 1400 viktimat e ofensivës izraelite
Një vit më parë, aviacioni ushtarak izraelit do të ndërmerrte në Rripin e Gazës, operacionin ushtarak të quajtur "Plumbi i shkrirë". Në orën 11.25 me orën lokale, në kohën e saktë kur kishte nisur sulmi, me kërkesë të drejtuesve të "Hamas"-it, që qeverisin në Gaza, banorët mbajtën një minutë heshtje për të kujtuar rreth 1400 viktimat e regjistruara nga 22 ditë luftime. Ky sulm konsiderohet si një krim kundër njerëzimit. Një vit më parë u shkatërruan shkolla, spitale dhe selia e OKB-së. Gjithçka nisi pas lëshimit të raketave të "Hamas"-it ndaj civilëve hebrenj, në territoret izraelite. Lufta e Gazës nisi më 27 dhjetorin e kaluar dhe përfundoi më 18 janar. Në këtë luftë kanë humbur jetën 1387 palestinezë, mes të cilëve 773 ishin civilë. Sipas Izraelit, bëhet fjalë për 709 luftëtarë të "Hamas"-it dhe vetëm 298 civilë, ndërsa nga izraelitët janë vrarë 13 vetë, 10 prej të cilëve janë ushtarë. Izraeli gjithmonë e ka refuzuar kriticizmin ndërkombëtar në lidhje me ofensivën që ndërmori, duke deklaruar se qëllimi i saj ishte që të pakësonin numrin e raketave të hedhura në Izrael nga luftëtarët e "Hamas"-it. 365 ditë pas tragjedisë, pasojat e luftës ndihen ende. Rreth 80 për qind e popullsisë aty jeton në kushte ekstreme varfërie, sipas raportit të "Palestinian Center for Human Rights".