Sekretarët e këshillave dorëzojnë pyetësorët e fundit. Raport edhe për zgjedhjet në OS
Pas një periudhe të gjatë me organizimin e protestave për betejën e hapjes së kutive të 28 qershorit, selia rozë u rikthehet punëve të saj organizative duke u munduar të përmbushë detyrimet që i vuri vetes në fillim të vjeshtës për ndryshimet në statut e programin e saj. Paralelisht me të u përcaktua që të zhvilloheshin zgjedhjet në organizatat socialiste brenda dhe jashtë vendit. Impenjimet e gjata me protestat ka “penguar” grupet e punës që të zhvillojnë sa më shpesh mbledhje, ndërkohë që në muajin janar pritet të mblidhet kryesia e kësaj partie, e cila do të marrë në dorë, draftin paraprak të ndryshimeve në statut e program. Pas sitës në kryesi, draftet do të kalojnë në muajin shkurt në mbledhjen e radhës së Asamblesë për t’i kaluar përfundimisht për miratimin kongresit socialist, i cili vë vulën përfundimtare për këto propozime.Dje, sekretari për çështjet ligjore, Fatmir Xhafa, zhvilloi një takim me sekretarët e këshillave socialistë në rrethe duke marrë në dorë përgjigjet e fundit të pyetësorit e pas një analize të tyre, grupi do të dalë në disa përfundime mbi atë se si i koncepton baza socialiste ndryshimet që duhet të pësojë libri i rregullave të kësaj partie.
Burime nga selia rozë bënë të ditur se sekretarët e këshillave socialistë të rretheve kanë raportuar edhe mbi zgjedhjet në organizatat socialiste, të cilat në disa degë nuk janë kryer ende për shkak të ndonjë problemi teknik, por në pjesën më të madhe detyrimi është kryer.
Një pyetje e rëndësishme, për të cilën është diskutuar në organizatat socialiste, ka të bëjë me zgjedhjet e tyre, nëse duhet të bëhen në një, dy apo çdo katër vjet. Më pas, pyetja tjetër ka të bëjë me formën që do të kenë strukturat vendore që do të nderohen, që do të jenë në bazë të ndarjes së administratës vendore (bashki/komunë, rreth apo qark) ose në bazë të ndarjes për zgjedhjet parlamentare (bashki/komune, ZAZ, qark). Ndërkohë që një ndër pyetjet ka lidhje me përbërjen e organeve të partisë, ku shtrohet pyetja nëse duhet të jenë sipas statutit aktual, apo të përfshihen dhe rinia, gruaja apo sindikatat me afërsi programore me PS.
Një ndër pyetjet më intriguese në këtë pyetësor, është dhe pika ku pyetet nëse duhet të përfshihet institucionalizimi i të drejtës për oponencë kolektive e organizuar në nivelin e organeve qendrore të partisë.
Ndërsa programi i ri politik i PS-së synon rregullimin e marrëdhënieve me votuesit socialistë, duke synuar përfshirjen e sa më shumë shtresave shoqërore që do të votonin pro kësaj force politike. Nisur nga situata e re e krijuar pas përballjes zgjedhore të 28 qershorit, Partia Socialiste pritet të përshijë në programin e saj edhe ato shtylla që janë pjesë e programit të partive të djathta, si ish-pronarët dhe legalizimet.
Ish-kryeministri Pandeli Majko, anëtar i grupit të PS-së në ndryshimin e programit politik të partisë më të madhe opozitare. Pas zgjedhjeve të 28 qershorit, PS-ja duket se do t’i përshtatet realitetit të ri politik, duke përfshirë edhe çështje të mbetura pezull si të pronësisë, legalizimeve apo të dëmshpërblimit të ish të përndjekurve. Majko është shprehur se e majta po përpiqet të rikuperojë vetveten brenda një logjike të caktuar, sepse votuesit duhet të votojnë pro ose kundër një projekti dhe jo pro apo kundër dikujt. Veç të tjerash, socialistët synojnë rivlerësimin e figurave historike të së majtës.