Kryeministri zhvillon homazhe në memorialin e Azem Hajdarit
Sot, në 8 vjetorin e ekzekutimit të martirit të demokracisë Azem Hajdari, Kryeministri Berisha bëri homazhe dhe vendosi një kurorë me lule në memorialin e tij në Tiranë. Duke vlerësuar jetën dhe kontributin e Azem Hajdarit, Kryeministri u shpreh:
"Ne nderojmë me respekt të thellë dhe mirënjohje të madhe tribunin e lirisë së shqiptarëve, themeluesin e pluralizmit dhe opozitës demokratike të Shqipërisë, i cili u ekzekutua këtu nga falangat e regjimit mizor sëbashku me vëllain e tij, Azem Hajdarin dhe BesimÇerën.
Azem Hajdari hyri në historinë tonë kombëtare në një kohë kur shqiptarët ishin më të shtypur se kurrë në histori, ishin më të varfër se asnjëherë tjetër, më të ndarë nga trungu evropian të cilit i përkasin. Idealet e tij ishin idealet më fisnike të kombit, një Shqipëri e lirë, një Shqipëri e bashkuar me familjen evropiane që i takon, një Shqipëri e begatë. Këto proklamoi Azemi sëbashku me studentët e tjerë liberatorë në dhjetorin e vitit '90.
E ekzekutuan në këtë shesh në '98 ata, të cilët nuk mund të pranonin lirinë e tjetrit, e ekzekutuan ata, të cilët vunë mbi gjithçka interesat e tyre kleptokratike, pasurimin e tyre të paligjshëm, ata që nuk mund të pranonin votën e lirë.
Sot, Azem Hajdari shikon ëndrrën e tij në realizim e sipër. Shqipëria nënshkroi Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, duke kapur stacionin më të rëndësishëm në historinë e saj drejt Evropës. Po çmontohet sistemi i kleptokracisë dhe i krimit të organizuar, i falangave që ekzekutuan Azem Hajdarin dhe që vendosën Shqipërinë dhe shqiptarët në një terror të vërtetë."