Kryeministri pershendet vendimin e FIFA-s per miqesoret nderkombetare
Lejimi i Kosovës që të zhvillojë miqësore ndërkombëtare me klubet, në nivel të rinjsh, amatorësh dhe në futbollin e femrave është përshëndetur edhe nga kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha.
Në faqen e tij zyrtare në “facebook”, kreu i qeverisë nuk e ka fshehur gëzimin për vendimin e marrë nga Ekzekutivi i FIFA-s në Tokio.
“Më gëzoi lajmi i mirë që erdhi nga Tokio. FIFA vendosi që ekipet e Kosovës në futboll mund të zhillojnë ndeshje miqësore ndërkombetare”, shkruante kryeministri Berisha.
Më tej, ai shtonte: “Kosova ka disa yje në ekipet e mëdha të Europës, por edhe jashtë saj, kështu së shpejti do të ndjekim ndeshje që do të na mahnisin dhe bëjnë shumë krenarë. Unë pres me padurim të ndjek, sëbashku me mijëra fansa kuqezi, ndeshjen e parë”.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i fansave të faqes zyrtare të kryeministrit, të cilët e kanë përshëndetur këtë urim.