E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri, propaganda dhe mediat

 

Maklen Misha

Mes morisë së fenomeneve negative që kanë karakterizuar politikën shqiptare në këto 18 vjet tranzicion, sulmet e paprincipta ndaj kundërshtarëve apo kritikëve, dhe fryrja e arritjeve imagjinare të kujtdo qeverie që qëllonte të kishte pushtetin ka qenë padyshim një nga më të turpshmet. Por duhet thënë se nëse ka pasur gjatë këtij tranzicioni një forcë dhe një njeri që i kanë perfeksionuar këto metoda të papranueshme të komunikimit politik, kanë qenë Partia Demokratike dhe njeriu që e ka dominuar këtë forcë gjatë gjithë kësaj periudhe Sepse duhet thënë se cilatdo qofshin të metat e mangësitë e zotit Berisha – për t’i numëruar ato nuk do të mjaftonte hapësira e kësaj gazete – ai gjithmonë ka shkëlqyer në këtë fushë, si kur ishte në opozitë, ashtu dhe tani që është në pushtet. Por për fat të keq, zoti kryeministër, nuk ka treguar deri më sot ndonjë shenjë se ka ndërmend të ndryshojë. Përkundrazi. Në fakt, aq pjellore ka qenë imagjinata e zotit Berisha si kryeministër për të shpikur ‘arritje’ e për të sajuar fushata shpifjesh e sulmesh banale, sa sikur suksesi i një qeverie të matej sipas këtyre kritereve, qeveria e tij do të ishte padyshim më e suksesshmja në historinë e tranzicionit shqiptar; një arritje kjo jo e vogël për një skenë politike si ajo shqiptare. Kështu edhe pse ka dështuar dukshëm në përmbushjen e qoftë dhe të ndonjërit prej premtimeve të bujshme që bëri në 2005, kryeministri jo vetëm që nuk gjen kurajën të analizojë dështimet, por harxhon paratë e shqiptarëve për të bërë ca ture e spote qesharake, që si vështirë t’u duken të besueshme edhe militantëve të tij më të zjarrtë. Dhe ndoshta gabohem, por nuk besoj të jenë të shumtë shqiptarët që i shohin si suksese madhore të qeverisë e shenja se Shqipëria është në rrugë të mbarë, përurimet shumë të bujshme të ndonjë vije uji apo të ndonjë rruge të ndërtuar nga pushteti lokal. Shumë, shumë, shfaqje të tilla të çojnë të mendosh se kryeministri ose i sheh shqiptarët si ndonjë tufë gomerësh, të cilëve mund t’u hedhë hi syve sa herë t’i teket – si puna e rritjes ekonomike dyshifrore, apo luftës së vendosur ndaj korrupsionit – ose ka humbur çdo lidhje me realitetin e dhimbshëm shqiptar; gjë që është e lehtë për t’u besuar nëse kihet parasysh periudha e begatë që po jetojnë zoti Berisha e të tijtë. Sidoqoftë e vërteta, këto nuk janë ogure të mira për askënd prej nesh.
Por kjo është vetëm njëra anë e medaljes dhe jo më shqetësuesja. Në fund të fundit çdo qeveri në botë tenton ta paraqesë punën e saj me tone optimiste, edhe pse zor të gjesh një qeveri demokratike në Europë, që të guxojë ta trajtojë elektoratin me arrogancën dhe papërgjegjshmërinë e qeverisë Berisha. Aspekti më shqetësues i komunikimit të zotit kryeministër është mënyra agresive sesi ky zotëri reagon ndaj çfarëdolloj kritike apo akuze që bëhet në drejtim të tij. Sepse edhe pse kërkesa e llogarisë ndaj qeverisë, qoftë nga opozita, media apo qytetarët e thjeshtë është një ndër kushtet themelore që mundësojnë funksionimin e një demokracie, zoti Berisha jo vetëm që nuk ndjen kurrfarë detyrimi për të dhënë sqarime, por në vend që të adresojë akuzën, përgjigjet rëndom duke sulmuar e sharë me rrënjë e me degë kritikët e tij. Herë-herë, kryeministri e merr vetë përsipër reagimin ndaj akuzave, duke prodhuar shpesh shfaqje që shastisin të madh e të vogël me egërsinë, rrugaçërinë e primitivitetin e tyre, siç ishte për shembull reagimi ndaj deputetit Balla. Por më së shumti, kjo detyrë u ngarkohet ca zëdhënësve ambiciozë e që duket qartë se vuajnë nga mungesa e shtyllës kurrizore, të cilët për të fituar pikë me kryeministrin s’ngurrojnë të lexojnë çfarëdolloj idiotësie t’u diktojë shefi i tyre. Mund të përmendet këtu për shembull debati mjaft i nxehtë me gazetën “Tema” për aferat korruptive të familjes e farefisit të zotit kryeministër e për skandalet e turpshme e me rezultate tragjike, ku flitet se është përfshirë i biri, apo sulmet e fandaksura ndaj G99. Sipas një logjike perverse, e padyshim produkt i një mendjeje të sëmurë autoritare, reagimi standard ka qenë të anashkalohen akuzat duke sulmuar akuzuesit: Ti më thua që djali im është i përfshirë në tragjedinë e Gërdecit e në emërimin e korrierëve të drogës nëpër ambasada, po ti je duke ndërtuar vila me paratë që ke vjedhur!!! Se në ç’botë funksionon një logjikë e tillë mbrojtje ndaj akuzave, këtë e di vetëm zoti kryeministër. 
Por së fundi, i gjendur përballë një lumi akuzash të  papërballueshme, si pasojë e morisë së skandaleve ku janë përfshirë njerëzit e tij, zoti Berisha duket se e ka humbur toruan deri në atë pikë sa mos të hezitojë të përdorë edhe metoda të dhunshme e autoritare për t’u mbyllur gojën kundërshtarëve e denoncuesve të tij. Në një përpjekje për të mbuluar diellin me shoshë, kryeministri duket se ka vendosur të hedhë në sulm të gjithë arsenalin e shërbëtorëve të tij që kanë uzurpuar tashmë pjesën më të madhe të institucioneve të ‘pavarura’. Dhe rasti më i turpshëm ishte padyshim tentativa e KKRT dhe kryetares së saj Mesila Doda për të censuruar një spot të G99, duke kërcënuar me telefon e më pas duke gjobitur dy nga televizionet më të mëdha e profesionale në radhët e medias shqiptare: “News 24” e “Vizion Plus”. Sepse ndonëse nuk e quan për gjë të paguajë miliona nga taksat tona për të transmetuar ca spote absurde disa minutëshe për 45 ditë me radhë, zoti Berisha nuk mundet kurrsesi të pranojë një reagim mjaft demokratik, i cili thjesht sa i vë në dukje atë që tashmë e dinë të gjithë: ç’kuptim ka të njoftosh Berishën me telefon për korrupsionin, kur strumbullari i të gjithë korrupsionit në vend janë vetë Berisha e të tijtë?

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›