E Shtunë, 31 Tetor 2026

Analiza 7-mujore? Jo faleminderit!

Henri Çili 

Sa herë një qeverisje bie në mendimin e thjeshtë se duhen paraqitur më mirë gjërat, jo se ato duhen bërë më mirë nga ç’po bëhen, është e qartë se kemi të bëjmë me një fushatë politike minimalisht joproduktive për të mos thënë komunikativisht kundërproduktive. E tillë është fushata e fundit e qeverisë e “analizave 7-mujore”, të cilat përveçse tingëllojnë qesharake për nga periodiciteti, janë kryekëput një moment krize i kulturës së komunikimit mes një qeverisjeje dhe shoqërisë. Si të tilla ato janë të paktën një procedim parakomunikativ vështruar me një sy profesional. Në këtë logjikë mund të kualifikohet edhe spoti i kryeministrit Berisha, duke i treguat publikut se “e vërteta është krejt ndryshe”.
Eshtë e qartë që qeveria kërkon të okupojë hapësirën publike me lajme, iniciativa, kronika, aktivitete etj., etj., por më e papërshtatshmja prej tyre është pikërisht një “analizë 7-mujore” e sektorëve të ndryshëm të piramidës ekzekutive, ku apriori gjithçka është e mërzitshme: shefi në tribunë është duke u folur vartësve të tij për arritjet, është duke theksuar se ku “duhet ecur më shpejt”, dhe ku ata që janë poshtë në plate janë duke pohuar të njëjtën gjë. Është një autizëm, përbërja homogjene e sallës i flet vetes, pohon vetveten. Meqë aty janë dhe kamerat teatraliteti bëhet edhe më i madh, pasi dhe gjesti dhe frizura kontrollohet. E mbushur kjo me shifra, me herë, me përqindje, me krahasime e të tjera dhe të tjera, niveli i komunikimit të këtij eventi pasi ka arritur zeron, shkon në minus.
“Analizat” duket se janë një rudiment i administratës komuniste, e cila e kishte analizën si një mekanizëm të propagandës. Ky ishte dialog me një drejtim edhe ose me disa pjesëmarrës, pra monolog, derisa përbërja e sallës është homegjene, mesazhi nuk gjen kthim. Edhe sot në të tilla salla të mërzitshme, ndodh praktikisht e njëjta gjë edhe pse jemi në një shoqëri të lirë:  mesazhi dërgohet te marrësi, i cili për nga statusi nuk ka veçse një mundësi: ta pohojë atë, sepse nga pikëpamja administrative ai është vartës. Kur kjo bëhet nën praninë e kamerave imagjinoni çfarë artificialiteti në kulm kemi.
Shoqëria e lirë pranon një koncept krejt tjetër të komunikimit politik: pranon “concilium”, pranon “parlamentin”, pranon debatin e të kundërtave dhe të ndryshmeve, pranon konfrontimin e fakteve, pranon ndeshjen e opinioneve, qasjeve, alternativave. Publiku apo populli bën tifo apo fërshëllen, për palët që “ndeshen”.
Këto janë dy pamjet e reduktuara skematike të domethënies si procese të komunikimit publik dhe politik. Jo se analizat apo mbledhjet e administratës, të zgjeruara apo të zvogëluara nuk janë një instrument pune. Që nga partitë e deri tek korporata e mëdha, bëjnë analiza, por ato janë instrument i brendshëm pune, asesi një instrument komunikimi përtej vetes.
Shkurt nga këto analizat 7-mujore, jo vetëm nuk ka asnjë përfitim publiku i gjerë, veçse shijen bajate të propagandës së gradës së parë, por as qeveria e maxhoranca nuk ka as më të voglin përfitim. Askush s’i ndjek, të gjithë i shohin apriori si propagandë dhe kaq. Një debat në parlament, një interpelancë me opozitën, debat televiziv mes palësh politike, një debat përballë ekspertëve apo gazetarëve dhe analistëve është njëqindfish më efikas në krahasim në 14 analiza të ministrive.
Ndërsa ka hyrë në vitin elektoral me pozita politike të përforcuara në krahasim me një apo dy vjet më parë, kryeministri Berisha, duket se është sidomos pa strategji komunikimi, pa instrumentin bazë që do ta bënte atë efikas në betejën elektorale me zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ndërkohë që duken qartë deri tani dy prej drejtimeve ku do të konsistojnë filozofia e garimit të Berishës në 2009: investimet publike kapitale e lidhur kjo ngushtë me një shtet taksidar më efikas, si dhe liberalizimi i lejeve, licencave e procedurave administrative në përgjithësi, ka një paqartësi të qartë në operacionalizimi i këtyre dy akseve në komunikimin politik: Për momentin një gjë është e qartë: analizat 7-mujore nuk shkojnë në këtë drejtim. Ato nuk fokusojnë por përgjithësojnë, ato edhe po thanë të vërtetën nuk janë të besueshme. Publiku u ka thënë atyre “jo faleminderit”. Mbetet t’u thotë dhe qeveria. Për të mirën e saj pastaj për mosbezdisjen tonë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›