E Shtunë, 31 Tetor 2026

Miqtë mblidhen për 50-vjetorin e Dorit



Petrika GROSI
Pasditen e djeshme familjarë, kolegë, miq dhe shokë të shkrimtarit Teodor Keko janë mbledhur siç është bërë tashmë një traditë e përvitshme, për të kujtuar Dorin. Me këtë rast është bërë edhe promovimi i një libri me tregime të Kekos si dhe shfaqja e disa sekuencave të filmit me regji të Eno Milkanit të bazuar si skenar mbi njërin prej tregimeve të Dorit. Shkrimtari e publicisti i njohur Teodor Keko u nda nga jeta para kohe, në moshën 44-vjeçare në Selanik, pasi vuante nga një sëmundje e rëndë e pashërueshme. Ai lindi më 2 shtator të vitit 1958 në kryeqytet. Ishte biri i dy kineastëve të njohur si Endri dhe Xhanfize Keko, të cilët e shtynë të mos ndahej nga rruga e artit dhe krijimtarisë duke parë talentin e fëmijës së tyre në letërsi. Ai ndoqi studimet e larta në Universitetin e Tiranës në degën e Gjuhës dhe Letërsisë. Më pas punoi në gazetën “Drita”, organ i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, pas viteve ’90 në të përditshmen “Koha Jonë”, “Aleanca”, etj. Për një periudhë kohe mbahet mend si pjestar i parlamentit shqiptar. Keko ka filluar publikimet e tij qysh në vitin 1980 dhe është autor i 15 volumeve në poezi, dramë, e veçanërisht histori të shkurtra, tregime e novela. Falë sensit të tij të drejtësisë, humanizmit dhe satirës së mprehtë ,Teodor Keko pati krijuar një personalitet të palëkundshëm intelektuali, letrari dhe politikani. Ndër të tjera, shkrimtari la pas edhe disa pamflete të mprehta politike ku do të përmendnim vëllimin me tregime “Lajmëtarja e vdekjeve”. Gjithashtu, Keko ka qenë edhe anëtar i Këshillit Botues të gazetës së parë opozitare pas viteve ’90 në Shqipëri “Rilindja Demokratike”. Padyshim që gjatë dekadave të fundit Dori do të mbetet ndër penat më brilante e më të mprehta të publicistikës në Shqipëri. Sa i takon karrierës së tij në politikë, Keko u zgjodh si deputet i Partisë Demokratike në legjislaturën e parë të parlamentit pluralist shqiptar, ndërsa më pas ai ka shërbyer si këshilltar për kulturën pranë kryeministrave Ilir Meta, Pandeli Majko e Fatos Nano.

Aktivitetet

80-vjet Monarki Shqiptare

Me rastin e 80-vjetorit të Monarkisë Shqiptare dje në kryeqytet janë zhvilluar disa aktivitete, mes të cilave një ekspozitë fotografike në Muzeun Historik Kombëtar dhe një simpozium shkencor në Hotel “Sheraton”, ku merrnin pjesë historianët dhe drejtuesit e institucioneve të albanologjisë, profesorë të huaj, përfaqësues të familjes mbretërore, MTKRS-së, qeverisë, etj. Debati në simpozium nuk ka munguar, sidomos përsa i përket asaj pjese që duhet të rishikohet në historinë e popullit shqiptar dhe që i përket periudhës 1928-1939. Pjesëmarrës në simpozium ishin prof.dr. Ardian Marashi, Bern Fischer, Bajram Xhafa, Beqir Meta, Francesco Guida, Valentina Duka, Pranvera Dibra, Muharrem Dezhgiu, Fatmira Musaj, Marenglen Verli, Alberto Basciani, Fatmira Rama, Antonio D’Alessandri, Dritan Spahiu, etj. Referatet janë mbajtur mbi tema të ndryshime, si marrëdhëniet diplomatike të mbretit Zog, kushtet e krijimit të monarkisë, trajtimi dhe vendi i gruas në kohën e Zogut, trajtimi i minoriteteve, marrëdhëniet me Italinë dhe ftohja e tyre, zhvillimi i mbretërisë, interesimi i mbretit për shqiptarët e Kosovës, etj.
Në konferencën shkencore ishte i pranishëm edhe princi Leka II Zogu, i cili falënderoi pjesëmarrësit dhe gjithë mbështetësit e këtyre aktiviteteve. Ai është shprehur se “Familja Mbretërore gjen rastin të përshëndesë të gjithë shqiptarët kudo që janë, për arritjet historike të vendit tonë, si një komb perëndimor, europian dhe i qytetëruar.”

2 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›