Haradinaj: “Prishtina dhe Beogradi të bisedojnë pa ndërmjetësim”
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, është shprehur se Prishtina dhe Beogradi do të duhej të bisedonin drejtpërdrejt me njëra tjetrën, mbi bazën e temave të rëna dakort në mënyrë të ndërsjellë. Ai u shpreh se kryeadministratori i UNMIK-ut nuk duhet të marrë rolin e lehtësuesit të bisedimeve, meqë Kosova është një vend i pavarur dhe ajo mund të identifikojë vetë temat për biseda të ndërsjella me Serbinë dhe në rast nevoje edhe ta identifikojë lehtësuesin në këtë proces. Haradinaj ka vlerësuar se Kosova nuk ka qenë e suksesshme në politikën e jashtme dhe ka humbur disa mundësi deri tani që të jetë anëtare e OKB- së. Ai e ka kritikuar qeverinë aktuale të Hashim Thaçit për ngecje në dinamikat qeverisëse dhe në veçanti për ngecjen e procesit të njohjes së pavarësisë së Kosovës. Sipas tij situata në veriun e Kosovës ka degraduar në krahasim me gjendjen e para 17 shkurtit, kur Kosova ka shpallur pavarësinë e saj, mirëpo ka shtuar se ka shumë mundësi që të gjendet një zgjidhje e duhur për këtë pjesë. Kreu i AAK- së takoi ditën e diel udhëheqësin e njërës prej partive politike në opozitë, AKR, Bexhet Pacollin për të kërkuar mënyra për aktivizimin e opozitës në vend.
BE do të dërgojë vëzhgues në Gjeorgji
Udhëheqësit e BE-së kanë vendosur të paralajmërojnë Rusinë se ka arritur në udhëkryq dhe se lidhjet e ardhshme me bllokun do të varen nga tërheqja e plotë e trupave ruse nga Gjeorgjia. Vendet e BE-së dënojnë njohjen që Rusia i bëri pavarësisë së dy rajoneve gjeorgjiane. Dokumenti i bën thirrje edhe vendeve të tjera të mos ndjekin rrugën e Moskës. Udhëheqësit e BE-së kanë shprehur përkrahje për Gjeorgjinë duke dhënë aprovim për dislokim të vëzhguesve të BE-së atje. Në Moskë, u shpreh mendimi se Rusia ishte gati të konsideronte pjesëmarrje në forcën policore ndërkombëtare në Gjeorgji në zonën e sigurisë pranë Osetisë së Jugut dhe Abhkazisë. Por megjithatë ka patur ndryshime në qëndrime midis anëtarëve të BE-së mbi atë se si të reagojnë ndaj Moskës kanë dalë më në pah me veprimin e saj. Britania ka bërë thirrje që një marrëveshje partneriteti me Moskën të pezullohet dhe i ka kërkuar BE-së të rishikojë në mënyrë thelbësore marrëdhëniet me Rusinë. Por kryeministri francez, Francois Fillon, ka bërë të ditur se Europa nuk donte të rikrijonte një Luftë të ftohtë dhe se bisedimet ishin rruga përpara dhe jo sanksionet.
Uragani “Gustav” godet bregdetin amerikan
Uragani Gustav ka goditur bregdetin e Gjirit në SHBA me shira të furishëm dhe erëra të forta. Megjithëse Gustav ka zbritur në stuhi të kategorisë dy, erërat e fuqishme kanë dëmtuar linjat e tensionit në Nju Orleans, qyteti që u shkatërrua rëndë nga uragani Katrina tre vjet më parë. Përgjatë bregdetit të Gjirit, rreth 2 milionë vetë kanë shkuar për në brendësi të vendit për të qenë jashtë rrezikut. Stuhia që më herët shkaktoi dëme të mëdha në Karaibe, pas kalimit në Gjirin e Meksikës, u përplas në Nju Orleans i cli tashmë ka marrë pamjen e një “qyteti fantazmë”. Autoritetet janë shprehur se, për arsye sigurie, 90 për qind e popullsisë së Nju-Orleansit u zhvendos më në veri të vendit. Banorët dëgjuan porositë e Presidentit Bush dhe kryetarit të Bashkisë. Për shkak të uraganit Gustav, Partia Republikane uli ndjeshëm numrin e aktiviteteve të ditës së hapjes së Konventës Kombëtare. Senatori Xhon Mekein ka thënë se nuk është koha për politika partiake. Ndërsa Presidenti Bush, ka shkuar në Teksas për të mbikqyrur operacionet e emergjencës për uraganin. Ai kritikoi rëndë mënyrën e menaxhimit të krizës pas një uragani tjetër që goditi Nju Orleansin para tre vjetësh.
2 Shtator 2008