Kryeministri trefishon numrin e studentëve të Informatikës

Gjatë vitit akademik 2010-2011-të, universitetet do të pranojnë 6000 mijë studentë në degën e Informatikës
Mes pikave të shumta të diskutimit, dje në tryezën e këshillit të ministrave ka qenë edhe "Mosha e Internetit". Kryeministri, Sali Berisha nuk mund të mos rrinte pa përmendur arritjet e këtij projekti të nisur para katër vitesh.
Ai dje njoftoi edhe reforma të mëdha, projekte dhe investime të rëndësishme në lidhje me projektin "Shqipërinë në moshën dixhitale", të cilin e konsideroi si një nga proceset më transformuese në historinë e vendit.
Në këtë kuadër, kryeministri deklaroi se duke filluar nga viti i ardhshëm akademik, do të trefishohet numri i pranimeve në degën e IT-së në të gjitha universitetet publike dhe private të vendit. Kështu, nga 1900 studentë që u pranuan gjatë vitit 2009-2010-të, numri i tyre pritet të rritet në 6000. Vç kësaj, kryeministri ka kërkuar edhe hartimin e një kurrikule të re, për këtë program studimi. Kurrikul kjo, e cila duhet të jetë më e plotësuar se sa ajo ekzistuese.
Berisha i kërkoi Ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Myqerem Tafaj, që të ndërmarrë të gjitha veprimet e domosdoshme që, vitin e ardhshëm, pranimet në degën e IT-së në të gjitha universitetet publike dhe private të vendit të trefishohen. "Unë e kuptoj që kjo është e vështirë, por unë kam bindjen më të thellë se kjo është plotësisht e mundshme.
Duhet të ndërmerrni një konsultë me të gjithë rektorët, të diskutoni rreth kësaj domosdoshmërie. Vitin që shkoi pranimet në IT kanë qenë 1900, por ne duhet t'i rrisim ato së paku në 6000 pranime, vitin që vjen", - u shpreh kryeministri. Për sa i përket çështjes së specialistëve të kësaj fushe, Berisha ka kërkuar që modeli i shkollës "Maringer" që është në Shkodër të aplikohet edhe në dy apo tre qytete të mëdha të vendit.
"Kjo shkollë është e domosdoshme dhe për këtë mund të kërkojmë edhe ndihmën e qeverisë austriake apo ndonjë qeverie tjetër", - tha ai. Vç kësaj, kryeministri e ka parë të arsyeshme që çdo ministri, dikaster dhe agjenci të ndryshojë strukturën e të krijojë drejtoritë e IT-së.