E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri turk, ultimatume për çështjen me Qipron

Kryeministri turk paralajmëroi se marrëdhëniet e vendit të tij me Bashkimin Europian do të “ngrijnë tërësisht” nëse Qiproja merr presidencën e bllokut para se të arrihet një marrëveshje për ribashkimin e ishullit të ndarë në vija etnike.

Ky kërcënim, siç njofton Zëri i Amerikës, është pjesë e asaj që shihet si një qëndrim më i ashpër i kryeministrit turk ndaj BE-së dhe Qipros. Erdohan shfrytëzoi rastin të ashpërsonte qëndrimin e tij gjatë një vizite dy-ditore në pjesën turke të Qipros veriore për të shënuar 37-vjetorin e pushtimit të ishullit nga Turqia.

Pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme të OKB-së, Qiproja vazhdon të jetë e ndarë që nga pushtimi në vitin 1974 nga Turqia në përgjigje të një grushti shteti të nxitur nga Greqia. Në fjalën e mbajtur gjatë ceremonisë, Erdohan paralajmëroi se koha për përpjekjet e ribashkimit po mbaron. Kryeministri njoftoi se Ankaraja do t`i tërhiqte të gjitha lëshimet e bëra sipas planit të dështuar të OKB-së në 2004-ën. Sipas atyre kushteve, qipriotët turq votuan për ribashkim, ndërsa qipriotët grekë votuan kundër tij.

Lëshimet përbëjnë bazën e përpjekjeve të OKB-së për ribashkimin e ishullit, për të cilat vëzhguesit thonë se po lëkunden. Ioannis Grigoriadis në Universitetin Bilken të Ankarasë thotë se deklarata e Erdohan nxiti zemërimin dhe tronditjen e qipriotëve grekë.
Richard Howitt, zëdhënës i çështjeve turke për bllokun socialist në Parlamentin Europian, paralajmëron se kërcënime të tilla mund të jenë kundër-produktive për Ankaranë.

Turqia filloi bisedimet zyrtare për anëtarësim në BE në vitin 2005, por është e pakënaqur nga përparimi i bërë deri tani. Përveç Qipros, kundërshtimi i Francës dhe Gjermanisë thuajse e ka ndaluar procesin e anëtarësimit të Turqisë në BE. Por tani që Turqia është një nga fuqitë rajonale ekonomike dhe politike, me ekonominë me rritje më të shpejtë në Europë, kërcënimet e Bashkimit Europian nuk kanë shumë peshë. Erdohan ka paralajmëruar BE-në se nëse ishulli nuk ribashkohet deri vitin e ardhshëm, Turqia do ta zgjidhë vetë këtë çështje. Kjo interpretohet nga analistët sikur Ankaraja do të përdorë fuqinë e saj ekonomike dhe politike për të kërkuar njohje ndërkombëtare për një shtet të pavarur për qipriotët turq. Deri tani, vetëm Turqia e njeh qeverinë e Qipros turke.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›