E Shtunë, 31 Tetor 2026

Minatorët: Berisha plotëso kërkesat ose dorëhiqu

Punonjësit e nëntokës kërkojnë trajtim të veçantë për shkak të kushteve të punës dhe rritjes së kostos së jetesës

Reshjet e vazhdueshme nuk kanë ndërhyrë aspak për të prishur planin e minatorëve për protestën deri diku paqësore të minatorëve. Paraditen e djeshme, sindikata e minatorëve bashkë me ish-punonjësit e nëntokës kanë kaluar rreth dy orë të mira para derës së Kryeministrisë. Thirrje, kërkesa, ankesa, pankartat që mbanin në dorë minatorët i adresoheshin Kryeministrit Berisha, për të përmbushur kërkesat e tyre. Të gjitha ato që kërkojnë minatorët, sipas tyre janë minimale dhe merita të cilat ato i kanë fituar me punën që kanë kryer, në kushte tejet të vështira. Veç kësaj, pas protestave, grevave të urisë dhe takimeve me përfaqësues të shtetit përgjatë këtyre viteve punonjësve të nëntokës u është premtuar më shumë vëmendje dhe më shumë përfitime, të cilat ende nuk janë vënë në realitet, por kanë qenë thjesht në kuadër të negociatave.
Rritja e kostos së shërbimeve, çmimit të telefonisë, rritja e çmimeve të mallrave të konsumit e ka bërë pothuajse të papërballueshme jetesën për minatorët dhe familjarët e tyre. Prandaj, minatorët kanë sqaruar dje se do të vazhdojnë protestat e tyre deri në përmbushje të kërkesave. Në të kundërt Kryeministri Berisha është mirë që të japë dorëheqjen.

Në protestën e dytë të minatorëve për këtë vit ka pasur edhe mosmarrëveshje dhe konflikt me efektivët e policisë. Sipas forcave të rendit, minatorët kanë shkelur rregullin duke vazhduar protestën, edhe pas përfundimit të kohëzgjatjes së tubimit, për të cilën kanë pasur edhe leje nga policia.

Minatorët shpresojnë që qeveria të dëgjojë kërkesat e tyre dhe plotësimin e statusit të minatorit. Në këtë “dokument” përcaktohen qartë, dalja në pension, marrja e përfitimit, si dhe lehtësitë për minatorët për shkak të punës së vështirë që ata kanë kryer për vite me radhë dhe kushteve të rrezikshme ku kanë ushtruar profesionin. “Duam statusin e minatorit, të caktohet një minimum jetik, të paguhet rroga e 13-të, të anulohet rritja e çmimit të dritave, të ujit”, u shpreh kryetari i Shoqatës së Minatorëve, Fiqiri Xibri. Dhënia e statusit të minatorit është një çështje që u premtua shumë herë që do t’i jepej zgjidhje nga forca të ndryshme politike. Gjatë protestës së djeshme minatorët bllokuan një pjesë të bulevardit kryesor, para godinës së Kryeministrisë duke mos lejuar kalimin e automjeteve. Pas përfundimit të orarit të protestës, policia filloi të largonte minatorët nga rruga, veprim që solli acarim dhe përplasje mes dy palëve.

Sipas Policisë së Shtetit, pas përfundimit të kohës së miratuar për tubim, oficeri i policisë përgjegjës për të vëzhguar zhvillimin e tubimit, i ka kërkuar zyrtarit drejtuesit të tubimit, Fiqiri Xibri, të ndërpresë tubimin dhe të largojë pjesëmarrësit qetësisht, me qëllim qarkullimin e automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit.

“Vendimi për mbylljen dhe shpërndarjen e tubimit u mor për shkak të përfundimit të orarit të përcaktuar, bllokimit të qarkullimit, si dhe për shkak të zhvillimit të disa aktiviteteve të tjera të rëndësishme shtetërore që priteshin në Tiranë”, ka theksuar zyrtarisht Drejtoria e Policisë.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›