Kryeministri uron alpinistet qe valviten flamurin shqiptar ne Everest
Kryeministri Sali Berisha, ka përcjellë nga Budva, ku ndodhet në takimin e Evropës Juglindore, urimet më të përzemërta për alpinistët shqiptarë, të cilët u ngjitën në majën më të lartë të botës, Everest, duke valëvitur aty, flamurin shqiptar. Ai e ka cilësuar këtë si një arritje historike për sportin shqiptar në 100 vjetorin e pavarësisë.
“Dëshiroj tu përcjell përshëndetjet më të përzemërta alpinistëve shqiptarë, të cilët me burrërinë, me aftësitë e tyre fizike, psikologjike shënuan një arritje historike për sportin shqiptar, për flamurin kombëtar, flamurin më të bukur të dheut, i cili valëvitet tani në majën e Everestit. Kjo është një arritje jo vetëm për sportin, por edhe për Shqipërinë. Kjo është dhurata më e bukur që sporti shqiptar i bën Shqipërisë në 100 vjetorin e saj. Dua të përshëndes ekipin prej 6 vetash, të cilët kapën majën e Everestit në këtë 100 vjetor të pavarësisë. Përshëndetje shumë të përzemërt do ti dërgoj atij që përfaqëson sot në atë ekip, rininë shqiptare, 18 vjeçarit Mateo Begeja, i cili duke bërë që flamuri ynë të valëvitet në majën e Everestit, i bëri rinisë shqiptare përfaqësimin më dinjitoz. Ngjitja në Malin e Everestit është një frymëzim për të gjithë ata që synojnë ngjitjen dhe lartësinë, por Mateo meriton dhe një përshëndetje të dytë, sepse është i dyti në botë që ndoqi të atin në majën e Everestit dhe për Everestin , kjo ishte një histori e veçantë”, u shpreh, Berisha.
Ekspedita e 6 alpinistëve shqiptarë, Fation Plaku, Gerti Pishtari, Erlin Rudho, Gjergj Bojaxhi, Xhimi Begeja dhe Mateo Begeja, drejt majës më të lartë në botë ka nisur në muajin prill. Kjo ishte një iniciativë për të vendosur flamurin në lartësinë më të madhe në botë me rastin e 100-vjetorit të vendit, 884 metra. Mësohet se alpinistët shqiptarë kanë qenë të shqetësuar gjatë kësaj ekspedite, pasi disa ditë më parë, një stuhi e papritur shkaktoi vdekjen e një alpinisti të huaj. Para nisjes, alpinistët shqiptarë kanë kryer stërvitje të veçantë për të duruar temperaturat ektreeme që varionin nga -30 deri -40 gradë celsius.