E Diel, 1 Nëntor 2026

Zyrtari tatimor, punishte false me bombola gazi

Bombolat e sekuestruara në punishten e zyrtarit tatimor në Gjirokastër

E licencuar për prodhim gozhdësh, punishtja e zyrtarit të Drejtorisë së Tatim-Taksave hidhte në treg bombola gazi false, duke rrezikuar jetën e konsumatorëve. Policia e Gjirokastrës bëri të ditur se ka zbuluar punishten që prodhonte bombolat e gazit në kushtet e falsifikimit të plotë. Pas kësaj, blutë arrestuan shoferin dhe juristin e punishtes që ndodhet në fshatin Vrisera, pjesë e komunës së Dropullit të Sipërm. E licencuar për prodhim gozhdësh, punishtja hidhte në treg bombola gazi false, duke vënë në rrezik jetën e qindra konsumatorëve, përveç dëmit ekonomik që i shkaktonte firmës ELKA, nga e cila kishte vjedhur emrin dhe bar-kodin, bënë të ditur burime të Policisë. Pronar i firmës ELLA 2012 e licencuar nga Tatim-Taksat e Gjirokastrës, figuron të jetë një zyrtar i lartë i kësaj Drejtorie. Burime nga grupi i hetimit bënë të ditur se Marko Shugro, 52 vjeç, nga fshati Vrisera, ka abuzuar haptazi në sytë e tatimorëve, duke përfituar edhe nga pozicioni që gëzon në Drejtorinë e Tatim-Taksave, si inspektor kontrolli. Duke shfrytëzuar detyrën, ai ka evituar kontrollin e punishtes nga ana e kolegëve me të cilët punonte përditë. Shugro është shpallur në kërkim, ndërkohë që u arrestua shoferi i firmës, Spiro Memisha, 54 vjeç, si dhe përfaqësuesi ligjor i saj, Ervin Kuti, 26 vjeç, të dy nga Gjirokastra. Policia, prej disa javësh kishte informacion nga terreni për ekzistencën e punishtes që operonte nën sytë e tatimorëve, në afërsi të fshatit Vrisera, 1 km larg kufirit me Greqinë. Licenca ishte për prodhim të gozhdëve, por nga kontrolli i kryer rezultoi se jo vetëm që nuk prodhoheshin gozhdë, por instrumentet e instaluara shërbenin vetëm për montimin dhe mbushjen e bombolave të gazit. Të gjitha bombolat vinin të çmontuara dhe të stampuara nga Greqia, duke vjedhur patentën e firmës ELKA, dhe hynin para syve të doganierëve të Kakavijës. Madje, ironia qëndron se punishtja ndodhet vetëm disa metra larg godinës qendrore të firmës ELKA. Mbi bazën e informacioneve, Policia e Gjirokastrës organizoi operacionin e koduar Bombula, i cili zgjati plot tri orë. Policia bllokoi në rrugë një mjet Benz, furgon me traga AA 042 AE, që drejtohej nga Spiro Memisha. Nga kontrolli në mjet u gjetën dhe u sekuestruan 1920 bombola të markës Oil Gaz, si dhe 2880 bombola të markës Ella. Operacioni më pas ka vijuar në ambientet e firmës Ella 2012, ku nga inspektimi u identifikuan makineritë, si dhe mbi 9000 bombola false dhe ambalazh për paketimin e tyre. Ndërkaq kontrolli i uniformave blu ka vijuar më tej në banesën e tatimorit të Gjirokastrës, pronarit të firmës, ku u gjet një armë zjarri model 63 me një krehër me fishekë. Ndaj tij rëndojnë akuzat e falsifikimit të vulave dhe stampave, armëmbajtjes pa leje dhe shkeljes së rregullave mbi lëndët plasëse djegëse e radioaktive.

GJIROKASTER/ PIRO NASE

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›