E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sot votimi i Kodit Zgjedhor

Shtyhet seanca parlamentare, shkak reforma zgjedhore

Seanca parlamentare e parashikuar për t`u zhvilluar të hënën është shtyrë për ditën e sotme. Këtë vendim e mori Konferenca e Kryetarëve të komisioneve parlamentare e cila u mblodh dje paradite për të diskutuar për kodin e ri zgjedhor dhe në përfundim vendosi që seanca të shtyhej për t`u zhvilluar sot. Kjo shtyrje nuk ishte e paqëllimtë, por ajo u bë për t`u lënë 24 orë afat aktorëve të mëdhenj politik për të negociuar me partitë që kundërshtojnë kodin e ri. Për këtë shkak dhjetë deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, të cilët u përkasin forcave të vogla politike, prej më se një jave janë futur në grevë urie, për të kundërshtuar hartimin e kodit të ri zgjedhor.
Seanca e djeshme parlamentare parashikonte kalimin e Kodit të ri në mënyrë përfundimtar, c`ka do ta bënte funksional këtë kod, zhvillim që pritet të ndodhë me zhvillimin e seancës së sotme parlamentare . Duke dashur të mos krijojnë më tepër tension dy partitë e mëdha, PD-ja dhe PS-ja, kanë lënë një tjetër afat, për të negociuar me partitë që janë shprehur kundër këtij Kodi, në mënyrë që ai të kalojë me një konsensus më të gjerë politik. Nuk mbetet veçse skadimi i këtij afati në mënyrë që kodi i ri zgjedhor të kalojë në mënyrë përfundimtare në Parlament. 10 deputetë, të partive të vogla, LSI, PDK dhe PS-91 ndodhen prej 8 ditësh në grevë urie në godinën e parlamentit, pasi ata kundërshtojnë Kodin e ri elektoral dhe kërkojnë përfaqësimin në komisionet zgjedhore. Ditën e djeshme ata deklaruan se greva do të përshkallëzohet më gjerë në qytete të vendit, duke paralajmëruar “hyrjen në grevë urie të të gjithë kryesive në rrethe” në mbështetje të 10 deputetëve.
Kodi i Ri Zgjedhor që u miratua javën e kaluar në komisionin e posaçëm parlamentar, pritet të miratohet në parim dhe nen për nen dhe në Kuvend. Mësohet se ka pak gjasa që socialistët të pranojnë formulën e propozuar nga deputetët grevistë për komisionet zgjedhore, ndërsa demokratët kanë deklaruar se për kodin zgjedhor, do të diskutojnë vetëm me socialistët. Gjatë mbledhjes së djeshme të konferencës së kryetarëve të pranishëm kanë qenë dhe përfaqësuesit e LSI-së dhe PDK-së.
Komisioni i posaçëm i reformës zgjedhore miratoi të enjten e shkuar projektligjin integral të reformës dhe kodit të ri zgjedhor. Në bazë të vendimeve të konferencës së kryetarëve në kohën e ngritjes së komisionit të reformës zgjedhore , projekt ligji i hartuar prej saj, kalon automatikisht në parlament për votim, pa kaluar më parë në komisionin e ligjeve.
...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›