E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministria e re, kryeministri i ri

Dr. Skënder Demaliaj

-Të dielën u votua në Parlament, u betua para Presidentit dhe filloi zyrtarisht nga puna qeveria e re me kryeministër Edi Ramën. U hap një epokë e re në qeverisjen e vendit. U largua nga zyra e kryeministrit komunisti i fundit i Ballkanit. U Largua duke marrë 1 milion shpulla të shqiptarëve. U largua shumë … shumë i mërzitur dhe çdo orë, çdo ditë, fajëson qytetarët shqiptarë si antireformistë që nuk e votuan përsëri. U largua i tronditur për fatin që e pret nesër, pasi ka vrarë qytetarë të pafajshëm, ka shpërdoruar dhe grabitur pasurinë e këtij vendi. U largua me shpresën se do të rikthehet përsëri, biles sipas tij shumë shpejt pasi “kjo qeveri do të ketë fatin e qeverisë së Papandreut në Greqi”. Gabohet. Ka përfunduar një herë dhe përgjithmonë cikli i qeverisjes së tij. U largua, duke sharë, duke bërtitur dhe kërcënuar mazhorancën e re, duke u paraqitur si viktimë e dhunës së kësaj mazhorance me të vetmin qëllim për të mos i kërkuar llogari e për mos e vënë para drejtësisë dhe para ligjit për dëmet dhe të këqijat që i ka bërë këtij vendi. Ta harrojë se ka më skenarë si 14 shtatori. Nuk ka më amnisti... Populli votoi, më 23 qershor për ditë më të mira, për më shumë mirëqenie dhe demokraci, por edhe për ndëshkimin e atyre që ju nxinë jetën e ju shkatërruan të ardhmen. Nga frëngjitë e Kryeministrisë nuk do të vriten më demonstrues, nuk do të plagosen gazetarë, nuk do të dëgjohen më britmat histerike pushtetare “t’i vrasim të gjithë, të gjithë...” se “po na marrin pushtetin e pushteti është i imi, i imi dhe vetëm i imi përgjithmonë.” Në zyrat e saj nuk do të firmosen tendera e koncensione për klanin e ish-kryeministrit, për njerëzit e partisë, për miqtë, shokët dhe familjarët. Nuk do të priten e përcillen Fazlliçët me shokë, nuk do të diskutohet për marrëveshje të fshehta në dëm të interesave të shqiptarëve, nuk do të përpilohen urdhëra e udhëzime për survejimin e opozitës, për vjedhjen e grabitjen e votave. Nuk do të firmosen peticione të pseudointelektualëve kundër opozitës, nuk do të shpërblehen me vende pune, me grada, me prona, me pensione suplementare dhe me tendera militanët e partisë në pushtet. Në skutat dhe labirinthet e saj nuk do të jepen më urëdhra (me gojë) për të vrarë qytetarët shqiptarë, për të zhdukur gjurmët e krimit. Në hollet e saj nuk do të takohen me përzemërsi kriminelë, mafiozë, antishqiptarë, hajdutë për të ndarë me ta tortën e pushtetit, për t’i ndërsyer kundër opozitës, për t’ju mbushur atyre xhepat nga lekët e qytetarëve shqiptarë.

Në katin e dytë të saj nuk do të përgatiten më fjalime për të sharë në Parlament me libër shtëpie deputetët opozitarë, nuk do të nisen padi në gjykata kundër tyre, nuk do të kërcënohen prokurorë, gjykatës, komisionerë të qendrave të votimit, nënpunës të lartë të ndershëm që nuk zbatojnë urdhërat e Mbretit. Nuk do të shpërndahen para për lobet anë e mbanë botës për të qëndruar me çdo kusht në karrigen e kryeministrit, nuk do të jepen reklama e para për mediat që i bëjnë fresk kryeministrit nga mëngjesi në darkë. Në sallat e saj nuk do të firmosen marrëveshje që e shesin tokën shqiptare, pasuritë e saj, detin shqiptar, që e kthejnë Shqipërinë një rezervuar të madh të mbeturinave toksike të vendeve të tjera. Në konferencat e shtypit nuk do të shahet opozita para ndërkombëtarëve, nuk do të flitet për arritje madhështore si në kohën e komuizmit, nuk do të flitet për grusht shteti imagjinar, për çadra kallashnikov, për stilolapsa-pistoletë, për thika të helmatisura, për implikimin e Presidentit në grushtin e shtetit  të 21 janarit, nuk do të etiketohet Prokurorja e Përgjithshme “Lavire e Bulevardit”, në taracën e saj nuk do të ketë snajperë për të vrarë opozitarët. Është një ditë feste për shqiptarët që në këtë godinë nuk është më ish-kryeministri i pangopur me pushtet, i cili e përçau dhe e shkatërroi këtë vend, ish-kryeministri demagog e paranojak, ish-kryeministri që në mendjen e tij të sëmurë mendon e planifikon vetëm skenarë të zinj për të mos e lënë këtë vend të qetë, për ta penguar të ecë në rrugën e integrimit europian. Ylberi i shpresës ka pushtuar tashmë këtë godinë. Para saj nuk do të ketë më demonstrues që kërkojnë drejtësi, punë, votë të lirë, pushtet të merituar. Tani do të ketë më shumë dritë, më shumë oksigjen për demokracinë, më shumë qetësi dhe siguri për qytetarët e saj. Nuk do të ketë erë baruti, civilë me shkopinj gome që rrahin qytetarë të pafajshëm (pse janë në bulevard duke shkuar në punën e tyre).


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›