E Diel, 1 Nëntor 2026

“Kryeministrinë, shtëpinë e mëkateve do t ua kthejmë qytetarëve”

Autori i Lajmit: red.
Lideri i socialistëve, Edi Rama, për të ruajtur rolin e protagonistit, ishte i fundit që foli në protestën e organizuar në kryeqytet. Ai ka ka nisur fjalën e tij me vdekjen misterioze të Kosta Trebickës. Sipas tij, nëse Trebicka do të kishte humbur jetën në një nga vendet e BE-së, askush nuk do të kishte menduar se e kanë vrarë, ndërsa në Shqipëri të gjithë përpara sesa të mendonin gjithçka tjetër, menduan se u vra dëshmitari. “Problemi ynë nuk është nëse Berisha ka apo nuk ka gisht në vdekjen e Trebickës. Problemi ynë është se Berisha ka forcë në vdekjen e shpresës në këtë vend. “Ne sot jemi këtu për të dëshmuar si qytetarë se Shqipëria e ka një shpresë, e ka një rrugë, e ka një forcë dhe kjo forcë është forca e bashkimit e të gjithë atyre që kuptojnë se 26 të vrarë në Gërdec nuk ka rëndësi se çfarë ishin PS, PD, por shqiptarë, të cilët prehen në banesën e fundit jo nga dora e zotit, por nga dora e shtetit”, - tha Rama. Kryesocialisti ka folur edhe për tragjedinë e liqenit të Farkës, ku u mbytën 16 të afërm duke thënë se ajo varkë ka qenë e palicencuar, sepse në Shqipëri nuk ka shtet që të garantojë jetën dhe sigurinë e qytetarëve. Misri pa kokrra ka qenë tjetër pikë referimi për Ramën kundër Kryeministrit të vendit, duke theksuar se ky produkt shterp duhet të kompensohet nga shteti. “Qeveria e ka për detyrë të zhdëmtojë çdo qytetar”, - u shpreh Rama. Ai theksoi më tej në fjalën e tij se protesta e djeshme ishte për të treguar se Shqipëria nuk është e kryeministrave, por e shqiptarëve. Rama më pas shtoi se “ne jemi sot këtu për të dëshmuar se nuk na duhet një qeveri e cila justifikohet, fshihet, i trembet së vërtetës. Ajo u trembet qytetarëve, sepse u trembet edhe premtimeve të veta”. Kreu socialist shprehu para mijëra protestuesve se “do ta kthejmë Kryeministrinë nga shtëpia e mëkateve, në shtëpinë ku qeverisin qytetarët”. Rama theksoi me një retorikë të fortë problemet që kalon vendi. “Unë e shoh, dëgjoj, e ndiej ankthin e madh të Shqipërisë që vuan”,- tha ai.

Ky lajm është publikuar: 20/09/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›