E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryengritësit në Libi në ofensivë

Nga Express më 27 mars 2011 në ora 12:34

Të mbështetur nga sulmet ajrore të forcave të koalicionit, kryengritësit në Libi kanë ripushtuar disa zona, që mbaheshin nga forcat e Muammar Gaddafit.

Goditjet ajrore kanë hyrë në javën e dytë të tyre, ndërsa në shënjestër kishin zonat ushtarake dhe civile në qendër të Libisë.

Qeveria e Gaddafit tha se bombat kanë rënë edhe në rrugën që lidh Axhdabian me Sirten, ndërsa viktimat përfshijnë ushtarë dhe civilë.

Ushtria franceze tha se aeroplanët e saj kanë shkatërruar të paktën pesë aeroplanë ushtarakë dhe dy helikopterë, që i përkisnin regjimit të Gaddafit në bazën Misrata.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, tha se koalicioni ndërkombëtar po tregohet i suksesshëm në zbatimin e rezolutës së OKB-së, e cila mbështet të gjitha masat e mundshme për mbrojtjen e civilëve libianë.

Gjatë fjalimit të tij javor në radio, presidenti Obama tha se misioni po shënon sukses.

Komentet e tij u bënë para fjalimit të planifikuar për 28 mars drejtuar amerikanëve, për të shpjeguar përfshirjen e vendit të tyre në këtë krizë.

Këto fjalime po bëhen në periudhën e vërejtjeve nga politikanët e lartë dhe ligjvënësit se presidenti nuk ka zhvilluar konsultime të gjera ose nuk e ka shpjeguar qartazi pjesëmarrjen e Shteteve të Bashkuara në këtë mision.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›