Kryengritja e Bregut të Matës nën udhëheqjen e Gjeto Cokut
E në qoftë se gja nuk qe per ne si vjet /Mos të ketë dyshim ndokush se vdiq Shqipnia/Vjen pranëvera e prap në mal na qet.
Këto vargje janë lajtmotivi i kryengritjes së përgjithshme të vitit 1911 ku kërkesat e patriotëve shqiptarë për të zbatuar memorandumin e Gërçes në gjithë vendin nuk patën rezultat. Në këto kërkesa ishin parashikuar dymbëdhjetë pika që u quajtën (Libri i Kuq) ato ishin bashkimi i katër vilajeteve, njohja e plotë e kombit shqiptar, administratë civile, krijimi i organeve gjyqësore, xhandarmërisë e policisë me njerëz të vendit, të përdorej gjuha shqipe etj,etj. ku këto kërkesa çonin në autonomi të territoreve shqiptare. Shkurt mos zbatimi i pikave të memorandumit të Gërçes u dha fund shpresave që kishin deri atëherë komitetet e krahinave të tjera të vendit. Pikërisht në këto rrethana në Lezhë po përgatitej kryengritja nën udhëheqjen e Gjeto Cokut e cila u quajt lufta e të beslidhurve. Kjo beslidhje që ishte bërë në mes malsorëve të Lezhës, Lekëve të nënshkodrës, dymbëdhjetë bajrakëve të Mirditës dhe atyre të Kurbinit kishin si qëllim me çliru Lezhën e pastaj Durrësin dhe mendimi i tyre ishte që të përfshinin në çlirimin e tyre krejt këto krahina deri në bregdet e gjithë Mirdita dhe Lekët e nënshkodrës deri në Lum të Bunës. Nga fundi i majit 1912, grupi i të beslidhurve i udhëhequr nga Gjeto Coku sulmoi Lezhën. Me gjithë heroizmin e luftëtarëve kryengritësit nuk ja arriten qëllimit për shkakun se mungonin armët dhe nga ana e armikut numri ishte shumëfish më i madh, por ata prapëseprapë nuk i ndërprenë sulmet kundra forcave turke në këtë zonë. Shtypi i kohës “Hylli i Dritës” na tregon me detaje një përpjekje tjetër më 22 qershor në breg të Matit. Atje kishte vajt lajmi se Kajmekami i Lezhës kishte dal herët bashkë me ushtrinë. Si morën këtë lajm trimat e Gjeto Cokut nja tridhjet e dy veta ku qenë më të guximshmit ju afruan dhe e rrethuan Kajmekamin, pjesa tjetër e kryengritësve u mor me organizimin e fshatarëve në mënyrë që të boshatiseshin shtëpitë dhe bashkë me gjënë e gjallë dhe njerzit e shtëpisë të dalin në mal. Kryengritësit zunë vend aty ku kalon lumi afër shtëpisë së Nik Dakës, trembëdhjetë u vendosën pertej lumit dhe njëzetë të tjerë në anën e djathë të lumit. Nuk vonoi shumë dhe u shfaqën ushtarët turq, kryengritësit tashti ishin ballë përball me armikun. Menjëherë njeri nga ne bërtiti me të madhe duke u sjellë nga ushtarët dhe tha: sot është dita me vdek por kush është shqiptarë nga ju te shmanget sa më parë se ne me shqipëtarë nuk duem me luftue. Pa mbarue këto fjalë pushka nisi mbi ta, i pari që ra i vdekur qe Kajmekami i Lezhës. Ushtria u çorjentue dhe filloi me hik, po neve dëshirojshim me u marrë armët, fishekët e gjithçka kishin me vete sepse ne kishim shumë pak materjale luftarake me vete. Në këtë kohë gjashtë veta u prenë rrugën mu përpara kishës së Shën Kollit pikërisht këtu u bë një luftim i përgjakshëm sado që ushtarët u përpoqën për të shpëtuar kuajt e mushkat që ishin të ngarkuar me arëm e fishek e nozullime por ua zum të gjitha. Plaçkat që muarëm ne atë ditë përbëhej nga dyzet e pesë kuaj e mushq njëmbëdhjetë ishin të ngarkuar me fishek shtatë me mitroloza e të tjeret me nozullime ushtrie si bie fjala oriz , galeta, rroba etj. Më vonë mbasi qem largue u ndeshëm për të tretën herë afër shtëpis se Nik Dakës, ku ishte i ngujuar i biri i Nikës, Lleshi, dhe po luftonte i vetëm. Lleshi nuk kishte dëgjuar porosin për tu larguar nga kulla por kishte ndenjur në shtëpi me familjen. Përveç familjes në kullë ishin ngujuar edhe tre bujq të tij dhe dy suvari prej friget që mos i vritshin malësorët. Njëri nga bujqit kishte qit kokën në dritare dhe ushtarët e kishin qëlluar me një plumb dhe e kishin lënë të vdekur. Pas kësaj Llesh Nika qenka tërbue pse i kan vra mikun e shtëpisë dhe dilka nga kulla dhe fillojka pushkën ballë përball me ushtarët. Në këtë kohë nga shtëpia kanë dalë dy gra për me hik por ushtarët i qelluan të dyja duke i lënë të vdekura, njëra kishte pasë një fëmijë ngrykë e fëmijën e kishin vra. Ndërkohë që ushtarët po rrethonin kullën, Llesh Nik Daka doli nga kulla dhe me vrap kishte gjetë një arkë fishek dhe u pozicionue duke luftue pa pushim, por brenda në kullë nje kushri i Lleshit, djalë i ri kishte mbetë i vrarë ndërsa nëna ishte plagosë në njërën këmbë. Edhe nji nga bijat e shtëpisë plagosë në njërin krah kurse njëri suvari kishte dalë bashkë me Lleshin dhe tjetri po ashtu kishte vajt te ushtarët dhe i kishte lajmërue se në kullë nuk është tjetër njëri përveç Lleshit. Sidoqoftë nga njërzit tanë atë ditë mbetën të vrarë nëntëmbëdhjetë vetë vdekë e varrue. Më vonë u mor vesh se në luftën e Bregut të Matës kishin mbetë 187 vetë të vrarë nga të ushtrisë turke. Kështu përfundoi kryengritja e Bregut te Matës për të filluar më vonë me një tjetër mësymje por tashti ndaj Durrësit.
Kurbini nën udhëheqjen e Gjin Pjetrit, Kruja e Tirana me bejlerët: Avdi Bej Toptani e Rfik Bej Toptani kishin bër nji lidhje me malësorët e Bregut te Matës e të Gurëzit të udhëhequr nga Gjeto Coku e me bajrakët e Mirditës të udhëhequr nga Marka Gjoni që ti binin Durrësit e të formonin nje qeveri që të arrinte deri në lumë të Bunës duke përfshi Durrës, Tiranë, Krujë, Mirditë, Lezhë dhe Nënshkodrën por kjo lidhje u tradhëtue nga bejlerët e Tiranës. Në këtë kohë Marka Gjoni me Dan Hasanin dhe Avdi Begun ishin nisë për në kongresin e Shkupit ku do të flitet për pavarsi. Avdi Beg Toptani kishte lënë si zëvendës të tij kushuririn e vetë Refik Bej Toptanin. Në këto rrethana në 12 gusht ishin në Shijak dhe donin t’i binin Durrësit por dy bejlerët Refik Bej Toptani e Masar Bej Toptani tradhtojnë të beslidhurit, ndahen me ta, duke shkue përpara në Durrës dhe duke shpallë alarmin sikur malsorët e beslidhur kishin ardhë për të plaçkit Durrësin. Por Zef Simon Arapi që ishte sekretar i bejlerëve nuk pranoi të shkojë me ta. Ai u kthye e u bë me kryengritësit malsor. Të beslidhurit shkojnë deri tek ura e Dajlanit ku aty gjejnë Gjin Zef Zogun dhe Mojsi Mojsiun, që ishin me kryengritësit. Këta lajmërojne shokët se Mytesarifi i Durrësit kishte hap depot dhe armatos popullin. Gjeto Coku urdhëron Pal Bulin e Mojsi Mojsiun me shok për me i dalë Durrësit sipër nëpër kënetë, por propaganda e bejlerëve e kishte bërë punën e vet. Durrsakët kishin dalë i madh dhe i vogël me i prit me armë. Lufta zgjati deri natën vonë, përpjekja tek ura e dajlanit pati një të vrarë nga kryengritësit dhe shtatë nga të qeveris. Të nesërmen forcat kryengritëse të shpërndara dhe të pa organizuara bien në përpjekje tek dyqanet e Dushkut me xhandar e ushtarë turq ku mbetën te vram Zef Simon Arapi (Shkodran), Tom Xhuxhi e Gjek Marhaka (Vukël), Prelë Deli Shpendi (Shalë), Mark Prend Dudi, Mark Përzefi, Prengë Nikoll Gjeçi (Bulgër), Ded Coku i varrue. Llesh Nik Daka mori tre plagë dhe vdiq në Rubik. Ky trim që kishte lëne nam në luftën e Bregut te Matës e la amanet që ta çonin në Rubik ku ishte qëndra e kryengritjes ku dhe atje vdiq.
Pa kalue tre ditë prej asaj lufte për Durrësin vijmë te kuvendi i Rubikut. Kapiten Marka Gjoni me disa krerë të Mirditës Gjin Pjetër Pervizi me disa persona me rëndësi të Shqipërisë së mesme me vëllezerit Gjeto e Ded Coku lidhen besën mos me ja ndale luftën turkut deri të japin lirinë që kërkonin. Këtu u bë një vendim dhe këtë vendim ja çojnë me shkrim Preng Pashë Merditës, Jakë Serreqit (arqipeshkv i Shkodrës), Konsullit të Austrisë në Shkodër, këtu e mbrapa nuk ja ndanë pushkën turkut. Rruga Tiranë-Lezhë u mbyll për 27 ditë, por përsëri krerët e Gurzit e të Bregut të Matës të udhëhequr nga Gjeto Coku u morën vesh me njëri-tjetrin dhe vendosën me mësy Durrësin përsëri e me ngrit flamurin kombëtarë e me u deklarue autonomia në bazë të 12 pikave të kërkuara një vit më parë në Gërçe. Në këto rrethana në Rubik aty nga fillimi i vjeshtës u vendos të takohen edhe një herë udhëheqësit e këtyre krahinave që donin të mendonin se si duhet veprue. Lufta ballkanike kishte plasë disa mendonin autonominë nën suzerenitetin e Turqisë disa mendonin për pavarsi por sidomos Preng Doçi ishte për autonomi në mënyrë që Shqiptarët mos të coptohen por të rrinë të bashkuar në katër vilajete duke kërkuar të drejtat e nji autonomie e kështu të bëheshin gati për pavarsi. Preng Doçi duke qenë një njeri largpamës gjithmonë kishte frikën e sllavit se nuk mund të qëndronte Shqipëria e vetme kurse duke qenë nën suzerenitetin e Turqisë do të mëkëmbte vendin sigurisht në saj të autonomisë dhe do të zbatoheshin edhe 12 pikat e Gërçes dhe më vonë bëhej përgatitja për pavarsi. Në këtë mbledhje erdhën përfaqësuesit e Zadrimës Emzot Koleci, kapiten Markagjoni nuk erdhi dot duke qit shkakun se ishte duke sistemue ata që kishin hik prej Pejet e Gjakovë, por erdhën shume të tjerë si kapiten Preng Llesh Prenga, Preng Marka Prenga bajraktar i Oroshit, Bardhok Prenga bajraktar i Kthellës, Preng Gega i Kryezezit etj. Përveç Dod Kolecit erdhën edhe katër priftërinj të tjerë famullitarë. Emzot Bumçi dhe Padre Gjergj Fishta nuk mundën me ardh sepse kishin mbet të rrethuem në Shkodër prej ushtris malazeze. Mbledhja zgjati deri nga mesnata, Emzot Dod Koleci e kishte nda mendjen mos me u pajtu kurrë me qeverinë turke sado që emzot Doçi donte me ja mbush mendjen me kërkue autonomi e më vonë me u liru prej zgjedhës turke njëherë e përgjithmonë. Aty nga mëngjesi i datës 5 dhjetor Abat Doçi tu i kuptue se nuk mund t’ja u mbushte mendjen (sidomos D.Dod Kolecit) paraqiti një propozim tjetër që u pëlqye nga të gjithë. Propozimi qe: të formonin një qeveri të përkohshme që do të përmblidhte gjith ato vende që fillojnë nga ura e Drojes deri në liqe të Plavës nën kryesin e Preng Pashës e më vonë mund të zëvendësohen prej Marka Gjonit. Të gjitha fiset e përtej Drinit le të caktojnë një kryetare të vetin por të mbajshin lidhje me Preng Pashën. Kështu do të këshilloheshin me ba të gjitha krahinat e tjera të Shqipëris që të caktonin një qeveri të përkohshme e me trajtu së bashku një lidhje të përgjithshme. Me zbatue këtë vendim qe mendue me ba një kongres të madh në Orosh me 15 të dhjetorit. Emzot Dod Koleci mor barrën me lajmërue krerët e Zadrimës, Pukës, Dukagjinit dhe Malësisë së Madhe, Preng Llesh Gjoni, krentë e dymbëdhjetë bajrakëve të Mirditës dhe Gjin Pjetrin e Skurajve me të tjerë krerë të Kurbinit. Në masdite filluan të gjithë me u shpërnda por sa i përket kongresit të Oroshit nuk doli gjë sepse erdhi një lajm nga Vlora se fuqit e mëdha kishin ndërhy për të rregullu çështjen kombëtare shqiptare. Lajmi u përhap gjithandej dhe filloi të shtohet siguria i asaj ndodhis madhështore historike që u krye në Vlorë. Duke tregue këtë gëzim të madh një klerik që nuk e jep emrin në shtypin e kohës shkruante: (Hylli i Dritës) sapo kishte perëndue dilli në nji nga ditët e para të dhjetorit të vitit 1912 ishim mbështetur afër dritares brenda në kuvendin e Rubikut dhe shikojshim shiun që binte perjashta kur qe degjoj se dikush po troket në derë dhe menjëherë hynë brenda, ishte Prend Nikolli një nga shërbëtorët e kuvendit me një grumbull letrash në dor që u drejtoheshin Emzot Preng Doçit ,kapiten Marka Gjonit e Bajram Currit. Ato letra i kishin shkrue Dom Nikoll Kaçorri e Luigj Gurakuqi me të cilat lajmornin atë ndodhi të madhnueshme që ishte krye përjëtsisht nën kryesi të plakut të toskënis Ismail Qemalit ditën e 28 nëntorit dhe luteshin që këto letra të niseshin sa më parë në të gjitha anët për të hap lajmin e gëzueshëm. Ndërsa Padër Pjetër Gjadri merr letrën dhe e lexon me zë të lartë e tan gëzim mu në oborr. Kur morën vesh lajmin e gëzueshëm nuk pritën tjetër por të gjithë sa ishin përreth kapën armët dhe jau dhan batare pa pushim dhe u bë një kremtim që kisha me thënë ishte i pari kremtim që është bë pas shpalljes së pavarësisë.
Të beslidhurit kishin si ideolog argjipeshkvin e Shkodrës Jak Serreqin e Luigj Bumçin e të tjerë, të cilët mujtën me qenë në kontakt të bëmave ndërkombëtare. Ata bënin takimet edhe me konsullin austriak në Shkodër, këta i tregonin Gjeto Cokut situatën ne të cilën ndodhej Perandoria. Në keto rrethana menduen që gjetën rastin per t’i ra Durresit por tradhëtia e Toptanëve bënin që edhe durrsakët të ndryshonin mendje. Megjithate kjo kryengritje bëri një përshtypje të madhe në Shqipërinë e Mesme. Në historin e Shqipërisë botimi i vitit 1966 vetëm një rresht e gjysëm është shkruar për lëvizjen e të beslidhurve nën udhëheqjen e Gjeto Cokut që përfshiu katër rrethe.
Kush ishte Gjeto Coku?
Ai ishte një atdhetar i cili tërë jetën punoi për vendin e tij, duke qënë një shtëpi e kamur për nga pasuria këtë pasuri e vuri në shërbim të vendit e të çështjes kombëtare. Qeverisë Turke nuk i shërbeu kurrë. Në shtëpinë e tij vinin e gjenin prehje personalitete të kohës që punonin për çështjen e Shqipërisë. Cokajt kishin njohje me albanologun Baronin Nopça, kishin njohje me konsujt e Austrisë: Rrapaport e Zambaur. Arqipeshkvi i Shkodrës Jak Serreçi u jepte direktiva me të cilin konsultoheshin me çdo gje.Patër Pal Dodaj ka mbajt shpesh herë korrespodencat e tyre sekrete. Shtëpia e Cokajve ishte kryesorja që furnizonte kryengritësit me bukë e materjale. Kur u vra Gjeto Coku, “Hylli i Drites” i nëntorit 1913 shkruan: “Me datën 7 tetor një rrezik i madh gjeti qeverinë e Lezhës, Malësinë e Madhe dhe po të thuash gjithë Shqipërinë, pse në këtë ditë qe vra në tradhti prej njëfarë Preng Gjakova, një mirditor i dalë tash vonë në Gjakovë e shkue së fundmi në punë në Gjandarmari të Lezhës”. Ndërsa S. Vllamasi në librin “Ballafaqime Politike” thotë: “Në pranverën e vitit 1913 pasi zbrazet Shkodra prej ushtrive të huaja e merret në dorëzim prej ndërkombëtarëve në Lezhë emërohet nënprefekt Gjeto Coku. Një farë Preng Kol Brunga prej Blinishtit të Mirditës i lutet Preng Pashës që t’i gjej një punë. Ky i fundit me një letër rekomandimi ja dërgon këtë Gjeto Cokut, i cili e emëron si xhandar në Shëngjin, mirëpo ky xhandar na paska bërë një faj dhe për këtë si dënim i merret pushka. Ky person e quan veten të turpëruar dhe nën influencën e zakonit, për të larë turpin që ju bë, vret nënprefektin Gjeto Cokun mbi urën e Lezhës. Më vonë familja e Gjeto Cokut këtë vrasje ia faturon Preng Pashës për arsye se ai ja kishte rekomandue këtë njëri. Me 22 mars të vitit 1919 Preng Pasha nënkryetar i qeveris së Turhan Pashës në Durrës vritet nga i biri i Gjeto Cokut, Prek Gjeto Coku, kur po kalonte lumin e Matit bashkë me anglezin Eden. Kur vetura qëllohet nga prita, Pashai ngrihet në këmbë dhe bërtet: Le të më vrisni mue por mos qëlloni mbi të hujt se është kundër zakonit tone. Pashai vritet dhe Konsulli Eden plagoset në krah. Në varrimin e Gjeto Cokut u mblodhën pa ngjyra, i madh dhe i vogël, të huaj e të vendit, binte në sy Franc Nopça, paleontolog dhe etnograf hungarez, mik i Shqipëris, Edit Durham, personalitete e shquar angleze, etnografe e publiciste, mike e vëndit tonë; ndërsa të vendit ishin: Padër Severin Lushaj, Padër Rrok Vataj, delegat i arqipeshkvisë së Shkodrës Dom Ndre Mjeda, Dom Gaspër Kukli, Dom P. Ungrei. Padër Engjëll Paliqi tha meshën, kurse Padër Severin Lushaj bëri predikimin. Pasi u mor vesh kjo vdekje, Dedë Gjon Luli me krenët e Malësisë së Madhe shkoi me u takue me Dedë Cokun për kryeshëndosh.