E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nishani-Riker: Zhvillimi i reformave, sfida me të cilën përballen institucionet shqiptare

07-09-2012 / Gazeta 55

Presidenti Nishani pret në takim Zëvendësndihmës/Sekretarin amerikan të Shtetit, Philip Reeker


Presidenti i Republikës, Bujar Nishani priti dje në një takim Zëvendësndihmës/Sekretarin amerikan të Shtetit, për Çështjet e Evropës dhe Evroazisë, zotin Philip T. Reeker. Presidenti Nishani pasi i uroi mirëseardhjen zotit Reeker vlerësoi nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve dypalëshe ndërmjet Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe shprehu mirënjohjen për mbështetjen e pakursyer dhe ndihmën që SHBA-të i kanë dhënë vendit tonë në ndërtimin dhe konsolidimin e institucioneve demokratike dhe shtetit ligjor, anëtarësimin në NATO dhe procesin e integrimit evropian. Presidenti Nishani e siguroi Zëvendësndihmës/sekretarin amerikan të Shtetit se zhvillimi i reformave është sfida më e madhe me të cilën përballen institucionet shqiptare, duke nënvizuar se bashkëpunimi i shkëlqyer i institucioneve tona me institucionet dhe agjencitë e SHBA-ve bazuar mbi përvojën e deritashme do të vijojë edhe në të ardhmen. Kryetari i Shtetit e garantoi ambasadorin Reeker se Shqipëria do të vazhdojë politikën e saj të fqinjësisë së mirë dhe qasjen konstruktive ndaj çështjeve që lidhen me shqiptarët jashtë Republikës së Shqipërisë në të mirë të paqes dhe stabilitetit në rajon. Zëvendësndihmës/Sekretari amerikan i Shtetit Reeker pasi e falenderoi Presidentin Nishani për fjalët e tij të ngrohta e siguroi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë të mbështesin Shqipërinë në sfidat e saj të konsolidimit të institucioneve demokratike dhe integrimin evropian në një partneritet gjithnjë e më të ngushtë. Z.Reeker vlerësoi lart qëndrimet e matura të Shqipërisë ndaj zhvillimeve rajonale dhe shqiptarëve që jetojnë jashtë territorit të saj. Presidenti Nishani dhe z. Reeker shkëmbyen mendime në lidhje me pavarësinë e institucioneve demokratike dhe ndanë mendimin se respektimi i institucioneve të pavarura përbën bazën për funksionimin e shtetit ligjor. Panariti: SHBA, mbështetje të çmuar Shqipërinë/Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, z. Philip Reeker zhvilloi dje një takim edhe me ministrin e Punëve të Jashtme, z. Edmond Panariti. Ministri Panariti vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve si dhe rolin e pazëvendësueshëm të Shteteve të Bashkuara në mbështetjen që i ka dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve, si në planin dypalësh ashtu edhe në bashkëpunimin në kuadër të NATO-s dhe organizatave ndërkombëtare. Nga ana e tij, Zëvendës Ndihmës Sekretari Reeker nënvizoi marrëdhëniet e shkëlqyera midis SHBA dhe Shqipërisë. Ai vlerësoi politikën dhe rolin e Shqipërisë në rajon dhe më gjerë, si dhe, në mënyrë të veçantë, rolin dhe mbështetjen e Shqipërisë në luftën kundër terrorizmit. Ai vlerësoi angazhimin e forcave të armatosura shqiptare në Afganistan dhe Irak. Zëvendës Ndihmës Sekretari Reeker vlerësoi gjithashtu reformat e ndërmarra në kuadër të integrimit të Shqipërisë në BE dhe theksoi mbështetjen e SHBA-ve për aspiratën evropiane të popullit shqiptar. Zhvillimet në rajon ishin një tjetër çështje që u trajtua gjatë këtij takimi, ku u theksua roli aktiv dhe mjaft konstruktiv që luan Shqipëria për bashkëpunimin rajonal në dobi të paqes dhe të stabilitetit. Eurodeputeti Chountis vuri në dukje rëndësinë  e procesit të zgjerimit të BE-së drejt Ballkanit perëndimor.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›