E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lëvizja e Postribës, lëvizja e parë antikomuniste në Europën lindore

07-09-2012 / Nga Qamil Gjyrezi

“Lëvizja e Postribës dhe Simfonia e “Fatit”, Nr. 5  e Bethovenit”!

Lëvizja e Postribës është lëvizja e parë antikomuniste në Europën Jug-lindore. Elita e qytetit të Shkodrës, antikomunistët e vërtetë dhe nacionalistët nga fshatrat e Shkodrës kryesisht nga Postriba e “parashikuan” fatin e vendit tonë dhe e kuptuan se çfarë të ardhme mizore do të kishte Shqipëria komuniste diktatoriale, prandaj me shumë dëshirë dhe të bindur morrën pjesë në këtë lëvizje që ka vlera të mëdha në planin lokal, kombëtarë, politik dhe gjeopolitik. Ish-kryeministri britanik Toni Bler në një seancë të parlamentit anglez, ndër të tjera përmend edhe dështimin e Foreing Oficce-it në Shqipëri mbas 1944. Marrveshja e Jaltës, për Shqipninë dhe për kombin shqiptarë ishte një katastrofë e vërtetë në planin politik ekonomik dhe shoqnorë. I gjithë kombi shqiptarë pati konseguenca politike e shoqërore. Kosova u bë pjesë e federatës ish-Jugosllave dhe Shqipëria dhe shqiptarët të gënjyen nga klika e ardhur në pushtet, vuajtën për 50-vite një prej diktaturave ma të egra të njerëzimit. Intelektualë, nacionalistë, ish-tregtarë, njerëz të pafajshëm, përjetuan diktaturën dhe dhunën më të egër në të gjithë Evropën.
Prandaj lëvizja e Postribës ka vlera të padiskutueshme gjeopolitike, politike, sociale dhe qytetare. Ajo ishte lëvizja e atyre që nuk besuan kurrë tek komunizmi internacionalist shqiptarë. Sami Repishti për këtë ngjarje asht shprehun : “Ushtarakisht “Lëvizja e 9 Shtatorit 1946 ka kenë një akt i guximshëm i papërgatitun. Lëvizja dëshmonte një politikë kriminale që po zbatohej”. Rasim Gjyrezi, Riza Dani dhe Dulo Kali, Paulin Pali për nacionalistët, ishin pjesë shumë e randësishme e lëvizjes krahas grupeve të tjera. Këto nacionalistë dhe qytetarë patën vetëdijen dhe e parashikuan se komunizmi në Shqipni, do të sillte vetëm varfni dhe krim, prandaj u lidhen me shumë sinqeritet me këtë lëvizje, për të ndikuar sado pak për pengimin e vendosjes të pushtetit komunist dhe diktaturës sllavo-komuniste. Lëvizja nuk ja arriti qëllimit, por ajo do të mbetet përgjithmonë një simbol i qëndresës nacionaliste kundër komunizmit. “Parashikimi” i kryengritësve për të ardhmen mizore të ish-diktaturës tek neve dhe “fati” i  parashkruar i këtyre nacional-demokratëve dhe nacionalistëve si pasojë e një sistemi diktatorial më nxiti të përzgjedh simfoninë e “Fatit” të Bethovenit, si simbolikë artistike, pasi me këtë vepër kompozitori i madh, prezanton me muzikë “fatin” njerëzorë dhe natyrisht fatin e të së ardhmes të Europës së Shekullit 20-të. Në veprat e mëvonshme Bethoveni, prezaton edhe bashkimin dhe zhvillimin e Evropës tek simfonia e 9-të. Hymni i Evropës është Koha e katërt e kësaj simfonie. Artistët e mëdhenj me artin e tyre të pavdekshëm, në formë imagjinative i parashikojnë zhvillimet sociale dhe njerëzore. Në këtë kontekst me qëllim e zgjodha këtë simfoni, Simfoninë e fatit pasi edhe fati i kryengritësve të Postribës, ishte i “parashkruar”. Shqipëria ishe “përcaktuar” të vuante diktaturën 50 vjecare, falë edhe qeverisjes diktatoriale të Enver Hoxhës dhe përkrahësve të tij. Prandaj Lëvizja e Postribës duhet të marri vlerat e saja si në planin politik, historik dhe gjeopolitik. Kryengritja e nacionalistëve, elitës së qytetit të Shkodrës dhe e fshatrave përreth,  ishte shkëndija e parë për rezistencën antikomuniste jo vetëm tek neve por në të gjithë Evropën.
Gjeopolitika në rajon ka pasë dhe ka një rëndësi të madhe. Fitorja e forcave aleate e vuri Shqipërinë në krahun e fituesve, gjë që u shfrytëzua në formën më kriminale nga rregjimi i Enver Hoxhës, duke vrarë elitën dhe shkatërruar vendin në planin ekonomik, shoqërorë dhe shpirtërorë. Sipas marrëveshjes së Jaltës Shqipëria ra nën thundrën komuniste 50 vjeçare, dhe Kosova u la si pjesë e ish-Jugosllavisë. Pikërisht faktori i jashtëm dhe tradhtia që i bëri klika e Enver Hoxhës Shqipërisë dhe kombit shqiptarë në të gjitha trevat ku banojnë shqiptarët , duke e shitur Kosovën tek ish-Jugosllavia titiste, e “parashkruan” në një farë mënyre fatin e kryengritjes së Postribës dhe të shumë të dënuarve dhe të pushkatuarve në burgjet ish-komuniste. Vetëm me fitoren e Demokracisë dhe ndryshimeve në ish-lindje, Shqipëria sot ka një vend shumë të rëndësishëm në gjeopolitikën e re në rajon, është anëtare e Natos dhe ka përfituar lëvizjen e lirë drejt integrimit në Bashkimin Evropian. Kosova e pavarur po ndërton gjithashtu të ardhmen Evropiane, duke realizuar edhe ëndrën e kryengritësve të Postribës dhe të gjithë demokratëve dhe nacionalistëve shqiptarë. Gjaku i tyre nuk shkoi kot, pasi ato si shumë të rënë të tjerë për liri dhe demokraci të vërtetë dhanë shkëndijën e parë të rezistencës popullore, kundër regjimit më të egër në historinë e njerëzimit në mes të Evropës dhe aspirata e tyre u bë realitet.
Disa fjalë për simfonië e fatit të Bethoven. Në këtë simfoni Bethoven përshkruan fatin njerëzorë me muzikë megjithëse i shurdhër. Simfonia ka katër kohë. Ajo që e ban të veçantë  këtë vepër është përshkrimi i fatit njerëzorë me një bulëz me tre nota. Simfonia e pestë e Bethoven, në Do minore opus 67 u kompozua mes 1807-dhe fillimit të 1808 dhe u luajt me 22 Dhjetor 1808 në Vjenë. Koha e parë Allegro con brio është ndoshta faqja më e shkëlqyer dhe dramatike e shkruar nga autori:” fillon me temën e famshme të katër notave që sipas fjalëve të vetë Bethoven përfaqëson “fatin që troket tek porta”.
Disa të dhëna të arkivave për Lëvizjen e Postribës/Më datën 7. Korrik. 1946 në Shkodër, u bë një mbledhje e të gjithë opozitarëve e cila vendosi që shpërthimi i kryengritjes kundër regjimit komunist të bëhej brenda 16 Shtatorit 1946. Komiteti pluralist që u zgjodh për drejtimin e kryengritjes: Dom Tom Laca, Dom Nikoll Deda, Pjetër Shan Deda, Kolë Deda, Cin Serreqi e Guljem Suma për Partinë Demokristiane dhe Riza Dani, Rasim Gjyrezi, Dulo Kali dhe Paulin Pali për nacionalistët. Më datën 8 Shtator filluan të grumbullohen  forcat në zonat e Postribës gjithsej 200 vetë, nga të cilët 60 të armatosur,  nga Guri i Zi 170 vetë dhe nga Oblika 70 vetë. Në orën 2 të mëngjesit të datës 9 Shtator filloi sulmim ndërsa ndërlidhja telefonike ishte prerë më parë. Revolta u shtyp me forcë dhe u shoqërua me reprezalje. Po atë ditë, më 9 shtator, forcat e diktaturës, të komanduara nga Zoi Themeli, pushkatuan 12 kryengritës.
Do të ishte në nderin tonë tashma që këto ngjarje të zanë vendin e tyre të nderuar, në historinë tonë, por me vërtetësi. Shqipria tenton të jetë vend i Europës së qytetëruar. Në vendet e ish-lindjes komuniste, pavarësisht se komunizmi ka qenë ma liberal, ngjarje të tilla historike kanë vendin e tyre të nderuar në historinë e këtyre vendeve dhe dekomunistizimi i vendit është krye, që në 10 vjeçarin e parë, mbas demokratizimit dhe tashti shohin përpara për zhvillimin ekonomik dhe shoqëror. Nacionalistët dhe të gjithë ato grupe politike, të cilat kontribuen në lëvizjet antikomuniste në Shqipni, duhet të marrin vendin që ju takon.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›