E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryengritja e vagabondëve

20-05-2011 / Nga Lavdrim Lita

Revolta popullore është një tjetër emër që i vihet rrugës më të shkurtër për të marrë pushtetin me mjete jodemokratike. Më parë e njëjta rrugë, me të njëjtin synim ka pasur emra dhe taktika të ndryshme si protesta në të gjithë Shqipërinë, bojkot të kushtëzuar dhe të pakushtëzuar të Parlamentit, grevë urie apo/dhe bulimi demonstratash të dhunshme. Të gjitha këto gjetje opozitare janë sajuar nga sutaku i kryearkitektit të ish-Politikës së re, nga ai i përtej së majtës dhe së djathtës, i cili kishte një rrugë të vetme për të pushtuar sa më shkurt e shpejt institucionin e Kryeministrisë. Dëshira për të sunduar gjithë Shqipërinë është më e madhe sesa shërbesa dhe përulja ndaj vullnetit të qytetarëve të Tiranës. Kalitja de-personalizuese që ai po u bën deputetëve socialistë, që sillen si grup i gatshëm parapolitik, sa në ruajtje të pallatit të Dash Pezës, po aq sa në mësymjen ndaj Komisionit Qendror të Zgjedhjeve është shprehje e atij sokaku të marrë në të cilin ecën me sy mbyllur Edi Rama. 
Zhytja në thellësinë e emocioneve të liga është ajo që propozon pa u lagur ky humanoid, i cili ka sakrifikuar në altarin e lirisë gjithë qetësinë e urtësisë për të predikuar sikur të ishte një kalorës apokaliptik artin e verbër të shurdhërisë. Ai dëgjon dhe shikon vetëm vetveten, jo në pasqyrën e arsyes, por në refleksin e rrejshëm të mos-arsyes. Madje ditën e djeshme në një dalje për shtyp, ai i dha vetes meritat e anulimit të ardhjes në Tiranë të Presidentit të KE-së, Manuel Barroso. Për këtë arsye besoj se ai meriton medaljen e turpit, të skuqjes së fytyrës përballë gabimit recidiv të thirrjes në skenë të bandave paramilitare.
Megjithatë deri dje, I Papranueshmi kuiste e lëshonte slogane për të gjithë transparence: hap kutitë, unë e dua votën time, çliro votën, ose largohu; sot Egoarku ka ndryshuar rrugë duke bërë një kthesë të fortë, 180 gradëshe, për interes të pushtetit. Temperatura politike po rritet dita-ditës për shkak të një patologjie sa të shfaqur dhe aq të fshehur në trupin e konsumuar të Humbësit. Teksa shikojmë përpëlitjet akute të pandehmës fituese të Edi Ramës, që e cilëson veten fitues se këtë gjë e ka parë në televizor. Ai jep të kuptojë se është si të gjithë të tjerët: që i beson naivisht gjithçkaje që jep kutia e televizorit, ku miliona sy dhe miliona veshë panë fitoren e tij. Mirëpo është lehtësisht e ç’montueshme fitorja e tij virtuale, sepse sytë dhe veshët janë asgjë në rast se mendja manipulohet. Video-kracia e Ramës është e rrezikshme për shkak se do të japë idenë fashiste të bindjes përpara propagandës dhe jo forcës së vullnetit të shprehur me votë. Hedhja e votës në kutinë e gabuar, edhe pse ajo është në rregull me të gjitha parametrat e Kodit zgjedhor dhe e lirë, nuk mund dhe s’duhet të klasifikohet si e pavlefshme.
Kuptohet vetiu se në Tiranë, ku një përqendrim më i madh i popullsisë dhe një status të veçantë të bashkisë së Kryeqytetit, ndarja e kutive të ndryshme edhe në ngjyrë nuk është bërë kurrsesi për të eliminuar votën, por për të lehtësuar numërimin. De-legjitimi i vullnetit të votës për shkak se gjendet jo në vendin e duhur, edhe pse në procesin e duhur dhe jo jashtë saj, është një atentat politik i demokracisë. Liria e shprehjes së vullnetit me votë nuk është e kalcifikuar si një test inteligjence si përzgjedhje e kutisë së duhur, por si mënyrë për të përzgjedhur njeriun e duhur për kryesimin e punëve të qytetit. Qytetarët e kanë bërë zgjedhjen e tyre. Leximi i këtij vullneti assesi s’mund të cilësohet i pavlefshëm.  Vota ka vlerë demokracie dhe nuk i jepet si shkëmbim prurësit më të parë.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›