E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE: Kemi kërkuar respektimin e votës demokratike

19-05-2011 / Gazeta 55

Bashkimi Evropian ka reaguar përmes zëdhënëses së komisionerit për Zgjerimin, Stefan Fyle, Natasha Butler, ka deklaruar se zgjedhjet e 8 majit në Shqipëri, u zhvilluan nën një frymë konstruktive dhe se tashmë është e nevojshme ruajtja e kësaj linje deri në nxjerrjen e rezultatit përfundimtar. Ajo apelon që procesi final, pra procesi i numërimit dhe publikimit të rezultatit të zhvillohet në një klimë të qetë dhe demokratike. “Komisioni Evropian inkurajon institucionet e shtetit, partitë politike dhe veçanërisht Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të krijojnë frymën e duhur. Të gjitha hapat duhet të ndodhin në frymën e Kushtetutës dhe shtetit ligjor. Është e ditur që procesi zgjat, dhe se nuk mund të mbarojë nga një ditë në tjetrën. Por Rezultatet e zgjedhjeve duhet të shpallen sa më shpejt të jetë e mundur”- bëri të ditur zëdhënësja e Komisionit Evropian, Butler. Ndërkohë që lidhur me ndikimin që mund të ketë kjo situatë në progres raportin që KE do të publikojë në vjeshtë, Butler vuri theksin tek standardi i zgjedhjeve. “Siç e kemi bërë të qartë kemi thënë se zhvillimi i zgjedhjeve duhet të jetë në përputhje me standardet evropiane. Ky është një nga kriteret kyçe për procesin e integrimit. Ne po e ndjekim të gjithë procesin në të gjitha fazat e saj. Duhet të përmbyllet procesi dhe nëse ka më pas kontestime ato duhen bërë pas shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve”- vuri në dukje zëdhënësja e komisionerit për Zgjerimin Butler. “BE bën thirrje dhe inkurajon të gjitha palët qofshin parti politike, individë apo institucione shtetërore por veçanërisht Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që të ruajnë atmosferën konstruktive që mbizotëroi ditën e zgjedhjeve, në këtë fazë të fundit të procesit elektoral. Të respektohen rregullat dhe të ushtrohet vetëpërmbajtje. Të gjitha hapat duhen ndërmarrë brenda institucioneve dhe ligjeve të vendit. Rezultatet e zgjedhjeve duhet të përpunohen sa më shpejt të jetë e mundur. Butler shtoi gjithashtu se është e rëndësishme që të gjitha palët të tregojnë vetëpërmbajtje dhe të veprojnë me maturi dhe se kjo është një thirrje që BE e ka përsëritur disa herë.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›