E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mërgimtarët, me ligj

Tash e tutje të gjithë mërgimtarët do të trajtohen me ligj. Vitin e kaluar është miratuar Ligji për Mërgatën e Kosovës. Ai bazohet në tri shtylla kryesore: arsim, kulturë dhe biznes. Prapëseprapë mërgimtarët janë të detyruar të paguajnë taksë rrugore prej 60 eurosh në kufi. Ligji nuk i ndihmon ata as në përshpejtimin e nxjerrjes së dokumenteve të udhëtimit. Nga Lirita Halili më 12 shkurt 2011 në ora 10:01

Të gjithë ata që jetojnë jashtë Kosovës, e që kanë nënshtetësi kosovare, tash e tutje do të trajtohen me një ligj të miratuar vetëm për ta.
E përveç ligjit, i cili ka privilegjuar mërgimtarët në të gjitha pikëpamjet, arsimim, kulturë e biznes, Qeveria e Kosovës ka themeluar Agjencinë e Mërgatës së Kosovës (AMK).

Pavarësisht kësaj, mërgimtarët tanë janë të detyruar të vazhdojnë të paguajnë taksa nëpër kufijtë e ndryshëm që futen në Kosovë. Një taksë prej 60 eurosh, në emër të sigurimeve.

Mustafë Xhemajli, u.d shef i Agjencisë për Mërgatën e Kosovës, pranë Zyrës së kryeministrit, thotë se përveç tri shtyllave kryesore që bazohen ky ligji, kjo agjenci nuk mund të bëjë asgjë për heqjen e taksave në kufij. Kjo sepse, sipas tij, Kosova nuk është anëtare e Konventës Ndërkombëtare të kartës së gjelbër.

“E ne pa u bërë anëtarë të kësaj konvente, jo vetëm mërgimtarët, por gjithë ata të cilët hyjnë në Kosovë, paguajnë në kufi”, sqaron Xhemajli për Express.

E, përveçse mërgimtarët janë të detyruar të paguajnë akoma tatim në dogana, kjo agjenci ka edhe një tjetër çështje me të cilën nuk mund të merret, atë të nxjerrjes së dokumenteve personale. Mustafë Xhemajli thotë se, për çështjen e nxjerrjes së dokumenteve merren ambasadat e Kosovës nëpër shtetet e ndryshme. “Agjencia jonë nuk merret me atë punë, por ne mund t’i ndihmojmë secilit që kërkon ndihmë për çështjen e dokumenteve”, pohon Xhemajli.

Megjithatë, sipas Xhemajlit, agjencia të cilën ai e udhëheq, do të jetë e hapur për mërgimtarët për çdolloj shqetësimi që kanë ata.

“Ne kemi afër një milion mërgimtarë pa e llogaritur pjesën e Turqisë, dihet që secili ka probleme. Agjencia jonë do të jetë pikë ku ata mund të referohen për çdo gjë, si bashkëpunim, po ashtu edhe paraqitje të problemeve që ata kanë”, tregon Xhemajli, sipas të cilit Qeveria e Kosovës nëpërmes Agjencisë së Mërgatës ka vendosur që t‘iu drejtohet të enjten shtetasve të saj në botë, nëpërmjet një njoftimi.

Ai thotë se ky veprim është bërë pasi ka qenë e nevojshme që mërgimtarët të informohen se ekziston një mekanizëm i Qeverisë, një ligj enkas për ta. Sipas Xhemajlit, me ligjin e miratuar vitin e kaluar nga Kuvendit i Kosovës që i dedikohet mërgatës, qytetarët e Kosovës jashtë vendit do të jenë të privilegjuar në të gjitha pikëpamjet.

“Ligji bazohet në tri shtylla kryesore. Në themelimin e qendrave kulturore të Kosovës jashtë vendit, mësimin plotësues për fëmijët jashtë vendit dhe mundësinë e mërgimtarëve për investim brenda Kosovës”, sqaron Mustafë Xhemajli, u.d i Agjencisë për Mërgatën.
Xhemajli thekson se Agjencia do të koncentrohet më së shumti në organizime kulturore, arsimore dhe të biznesit. Por, sipas tij, do t’i kushtohet më shumë rëndësi arsimit shqip jashtë vendit, e veçanërisht përzgjedhjes së mësimdhënësve.

“Do të bëhet hapja e konkursit për ata arsimtarë që jetojnë jashtë, e përzgjedhja do të bëhet nga Ministria e Arsimit, këtu në Kosovë”, vlerëson Xhemajli, i cili thotë se përveç ambasadave të Kosovës nëpër botë, AMK-ja do të ketë bashkëpunim të ngushtë edhe me Ministrinë e Kulturës, Arsimit, Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe atë të Jashtme.
Megjithatë, kjo agjenci nuk do të kujdeset vetëm për arsim. Sipas Xhemajlit, rol jo më pak të rëndësishëm do të ketë edhe nxitja e investimeve. “Sepse, llogaritet që mërgimtarët kanë diku afër 3 miliardë euro pasive nëpër bankat e Evropës. Në do t’i këshillojmë ata që kapitalin e tyre ta investojnë në Kosovë, në mënyrë që ata t’i kenë përfitimet e veta”, rrëfen Xhemajli.

Por nuk janë vetëm këto përfitime për të cilat mërgata duhet të ndjehet e privilegjuar. Sipas Xhemajlit, mërgimtarët duhet të krenohen edhe me një fakt tjetër. “Kosova është i vetmi shtet në rajon që ka ligj për diasporë, shtetet e tjera të rajonit nuk kanë”, thekson ai.

Sidoqoftë, nuk janë vetëm këto përfitime, për të cilat Xhemajli shpreson që agjencia që ai udhëheq, t’i arrijë. Ai gjithashtu ka një shpresë se kjo agjenci do të ketë mundësi ta rrisë edhe numrin e njohjeve nga shtetet e tjera, për shtetin e Kosovës. “Sepse ne kur paraqesim një kulturë, një ristrukturim të shtetit tonë në vende të ndryshme, do të ndihmojë domosdoshmërisht që shtetet e tjera ta njohin Kosovën”, thotë i bindur Xhemajli për Express.

Ndryshe, në letrën adresuar mërgimtarëve gjatë ditës së enjte, Qeveria e Kosovës ka vlerësuar lart rolin dhe kontributin e tyre për vendin, prandaj aty thuhet se mërgata do të gëzojë përkujdesje institucionale të shtetit të Kosovës. “Mërgata jonë ka dhënë shumë për Kosovën si dhe e ka dëshmuar thellë patriotizmin, përkushtimin material e fizik, politik e moral ndaj atdheut të vet”, thuhet në këtë letër.

Njëjtë sikurse pohon Xhemajli, në këtë letër po ashtu sqarohet për mërgimtarët se me ligj do të favorizohet arsimimi i fëmijëve të tyre në shkollat plotësuese. Madje, është premtuar në letër se do të bëhet një punë e kujdesshme dhe efikase, në mënyrë që të përfshihen sa më shumë fëmijë nëpër shkolla me mësim plotësues në gjuhën shqipe duke mësuar në mënyrë të unifikuar gjuhën, historinë dhe kulturën elementare të vendit të prejardhjes së tyre.

Po ashtu, janë informuar mërgimtarët nga shefi i Agjencisë për Mërgatën, se me këtë ligj, si dhe me ligje të tjera në fuqi, ata do të kenë mundësi që të kenë qasje më të lehtë dhe trajtim të veçantë dhe të favorshëm në zyrat e komunave, përmes hapjes së sporteleve e zyrave të veçanta, për ndihmë më të shpejtë në nxjerrjen e dokumentacioneve që kërkojnë mërgimtarët.

Me Ligjin për Mërgatën e Kosovës, si dhe me ligjet e tjera përkatëse në fuqi, do të favorizohen me lehtësime procedurale administrative dhe pronësore, biznesmenët e ndryshëm për veprimtaritë e tyre biznesore, në kuadrin e komunave, duke sjellë projekte të ndryshme, të realizueshme dhe të dobishme për komunitetin dhe ekonomitë e tyre, thuhet në letrën e u.d. të shefit të Agjencisë së Mërgatës të Kosovës, Mustafë Xhemajli, adresuar qytetarëve jashtë vendit.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›