Kryeparlamentarja Topalli: PS t’u kërkojë falje ish-të përndjekurve
Kuvendi i Shqipërisë është shoqëruar me debate mes Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli dhe deputetit socialist, Pandeli Majko lidhur me grevën e ish-të përndjekurve politik. Deputeti Majko ka kërkuar nga qeveria që të negociojë me ish-të burgosurit politik pasi është kjo shtresë që e ka sjellë në pushtet. “Qeveria u çon ministrin e Shëndetësisë që u thotë se do shëroheni, u nxjerr përfaqësuesit në konferencë shtypi për t`u thënë që edhe kaq sa keni marrë shumë e keni. Deklarimet e kryeministrit se kjo është grevë politike është përrallë, ata mund të bëjnë gjithçka për politikë, por të digjen për PS nuk bën vaki, ajo është grevë ekonomike e njerëzve dinjitozë që kanë luajtur me limitin atje ku nuk mban”, tha ai.
Ndërsa, kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli deklaroi se opozita duhet të kërkojë falje që gjatë qeverisjes së saj nuk ka bërë asgjë për këtë shtresë.
Sipas saj, Majko si ish kryeministër duhet të fliste për rëndësinë e një dite të tillë kur vendit i është rekomanduar statusi i vendit kandidat në BE. “Gjatë 8 viteve që ishin në qeveri pse nuk i dhatë asnjë mundësi, bursë, të drejtë studimi, asnjë lekë këtyre njerëzve. Nuk po flas për partinë nënën tende që i burgosi, pushkatoi, masakroi. Një parti që nuk u dha mundësi duhet të turpërohet sot, ose së paku kërkojuni të falur”, tha Topalli.
Pjesë e debateve u bë edhe Gramoz Ruçi, ministri i fundit i regjimit hoxhist.