“Pretendimet e PS - mocion votëbesimi për qarkun e Fierit”
Kryeministri Berisha i është referuar edhe pretendimit të socialistëve për qarkun e Fierit duke theksuar se kjo çështje mund të zgjidhet fare lehtë, përmes një mocioni votëbesimi. Duke theksuar se PS kushtëzon reformat me karrigen e kryetarit të këshillit të qarkut të Fierit, kreu i qeverisë ftoi opozitën të votojë 3 ligjet e kërkuara nga Komisioni Evropian, të evidentuara edhe në progres-raportin e prezantuar dy ditë më parë nga komisioneri Fyle. “Ju shtroni çështjen e Fierit. Në qoftë se ju do të bëheni serioz me veten tuaj dhe ndiheni qytetarë të lirë të këtij vendi. Zgjidhja është e thjeshtë, me kusht të vetëm që të pranoni një parim se në këtë parlament, nuk mund të ketë kurrë një kryeministër pakice. Se ky kryeministër, nesër po e humbi këtë shumicë nuk mund të flasë si kryeministër. Dhe kjo është identike për Këshillin Bashkiak, pasi dhe ai është parlament. Kjo është identike për Këshillin Komunal, edhe ai është parlament. Kjo është identike për këshillin e qarkut dhe ai është parlament. Në qoftë se nuk duam ti fusim pengesa dhe shkopinj rrotave, ejani zotërinj të gjitha komunat e Fierit, bashkia e Fierit që nesër të shkojë në mocion. Ju nuk duhet të keni frikë nga mocioni. Të dalin të votëbesuar të gjitha ata që do të drejtojnë qarkun. Ju mendoni se mund të thyhet një njeri i qytetëruar nga e drejta e mocionit? Kurrë, se kjo është baza e demokracisë”, tha Berisha.
Ndërsa garantoi se çdo vendim gjykate do të respektohet. “Ne kemi një kulturë politike dhe një parimësi politike, nga e cila nuk lëkundemi sepse në qoftë se pranojmë këtë, ne nuk mund të pranojmë më pastaj parimet e demokracisë. A është parlament ky? A është parlament, ai i bashkisë? A është parlament, ai i qarkut? Patjetër që po. Lexoni se çfarë thotë ligji i qeverisë vendore. Çdo vendim gjykate do të respektohet. Por nuk ka gjykatë, në një vend të lirë të botës, që mund të zhveshë nga e drejta e mocionit dhe shkarkimit, e zgjedhësve të përfaqësuesve të parlamenteve të komunave dhe bashkive. Nuk mund të ndodhë kurrë sa të jetë një vend i lirë”, tha më tej ai.