Kryeparlamentarja Topalli i shkruan PDIU
Kryeparlamentarja Jozefina Topalli ka konfirmuar se rezoluta çame e votuar në vitin 2004, konsiderohet e miratuar. Në përfundim të hetimeve të administratës së Kuvendit, Topalli u ka shkruar deputetëve të Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet se rezoluta është dërguar për botim dhe shumë shpejt do të publikohet në Fletoren Zyrtare.
Duke përshëndetur lajmin, PDIU nënvizoi jo vetëm rëndësinë juridike por edhe atë politike të këtij vendimi, që cilësohet si historik e që detyron shtetin shqiptar të trajtojë çështjen çame në axhendën zyrtare të marrëdhënieve me Greqinë.
PDIU theksoi në një njoftim për shtyp se këmbëngulja e saj shkundi Parlamentin dhe çoi në demaskimin e asaj që quhet një përpjekje për të shtrembëruar dhe fshehur miratimin e rezolutës në vitin 2004. Ashtu siç kishte deklaruar edhe më parë, PDIU do të kërkojë në një moment të përshtatshëm krijimin një komisioni hetimor për të zbardhur përgjegjësit e fshehjes së rezolutës së hedhur për votim 9 vjet më parë.
Për shkak të një gabimi në llogaritje, rezoluta e vitit 2004 u quajt në përfundim të votimit, nga kryetari i atëhershëm i Parlamentit, Sërvet Pëllumbi, si e pamiratuar. Gabimi u vu re vetëm pak ditë më parë gjatë diskutimit në Komisionin Parlamentar të Punëve të Jashtme, mbi një draft rezolutë tjetër të prezantuar nga deputetët çamë.