E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeparlamentarja dhe kryeministri, urime edhe nga Shkodra

Autori i Lajmit: RedaksiaKryeministri Sali Berisha dhe kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, kanë përcjellë urimet e tyre me rastin e festës së Krishtlindjeve edhe nga qyteti i Shkodrës. Me rastin e festës së Krishtlindjeve, kryeministri Sali Berisha, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Liri Berisha, vizitoi dje Kishën Ortodokse në qytetin e Shkodrës. Në mesazhin e tij, Berisha u përcolli besimtarëve ortodoksë urimet më të përzemërta në këtë ditë të bekuar të lindjes së shpresës dhe adhurimit. “Të gjithë besimtarëve ortodoksë të Shkodrës dhe mbarë Shqipërisë, besimtarëve të krishterë dhe të gjithë besimtarëve të zotit, u uroj gëzuar këtë ditë të madhe, këtë ditë të shenjtë, ditë e cila ndryshoi njeriun dhe botën, e mbushi atë me shpresë, me besim, me të ardhme”, - u shpreh Kryeministri. Më tej, Kryeministri uroi që “Krishtlindjet e tjera ti bëjmë edhe më mirë, të na gjejnë edhe me afër projekteve tona familjare, kombëtare dhe të ecim më shpejt e më të sigurt drejt Evropës”. Më tej kreu i qeverisë vizitoi dhe Katedralen e qytetit të Shkodrës.
Duke uruar besimtarët katolikë të Shkodrës dhe mbarë Shqipërisë, kryeministri Berisha u shpreh se lindja e Krishtit ka shënuar një ndryshim të madh për njeriun dhe njerëzimin. Sipas tij, kjo është një ditë frymëzimi për besimin te Zoti dhe tek e ardhmja. Në këto vizita Berisha shoqërohej edhe nga Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli. “Krishtlindjet, ashtu si festat e tjera fetare të kombit tonë, janë një festë shumë e bukur, festa në të cilën princi i paqes lindi për të sjellë më shumë lumturi e paqe në botë ndaj dhe unë uroj të gjithë besimtarët, jo vetëm ata katolikë, por të gjithë shqiptarët, në këtë ditë kur secili prej nesh duhet tu japë shenjën e paqes të njohurve, të afërmve. Unë u uroj të gjithëve gëzuar këtë festë, paqe, lumturi, mbarësi e shëndet në familjet e tyre”, - u shpreh Topalli. Kryetarja e Kuvendit bëri urimet e saj për këtë festë edhe gjatë vizitës në Kishën ortodokse të qytetit të Shkodrës. Ajo uroi që pas këtij vitit kaq të mbarë për shqiptarët edhe viti që vjen të sjellë të tjera ngjarje të bukura, dhe sa më shumë ditë të lumtura për çdo familje shqiptare.

Ky lajm është publikuar: 26/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›