E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti Topi uron Krishtlindjet dhe apelon për dialog

Autori i Lajmit: RedaksiaPresidenti i Republikës, Bamir Topi, dhe Zonja e Parë, Teuta Topi, urojnë shqiptarët me rastin e festës së Krishtlindjeve. Urimi i tyre u përcoll gjatë vizitës dje te kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Fortlumturia e Tij, Anastas Janullatos. Gjatë një prononcimi për media, Kreu i Shtetit ka shfrytëzuar rastin për të bërë përsëri thirrje për dialog. “Gëzuar të gjithë besimtarëve të krishterë! Është një ditë e madhe, një ditë e shenjtë! Është një ditë kur të gjithë pa përjashtim, pavarësisht besimit të tyre fetar duhet ti ofrojnë njëri-tjetrit mirësi, paqe dhe dialog. Kjo vlen për të gjithë, pavarësisht nga profesionet që mbulojnë. Pra vlen për të gjithë, nga më të vjetrit tek më të rinjtë më shumë komunikim njerëzor, sepse kjo është shumë e rëndësishme për një vend, i cili po projektohet në Evropën moderne. Edhe juve gjithashtu ju uroj këtë Festë dhe ju uroj edhe Festën e Vitit të Ri”, - u shpreh ai. Ndërsa Fortlumturia e tij, Ansatas Janullatos, shprehu urimet më të ngrohta e të përzemërta në këtë ditë të shenjtë për besimtarët e krishterë dhe i dhuroi një foto të Kreut të Shtetit së bashku me katër drejtuesit e bashkësive fetare shqiptare, simbol i qartë i harmonisë dhe bashkëjetesës së përkryer fetare, karakteristikë për kombin tonë.

Papa Benedikti uron në shqip: “Për shumë vjet Krishtlindjet!”

Papa Benedikti i 16-të uroi Krishtlindjet nga lozha e Bazilikës në Vatikan. “Kriza morale, më shumë se kriza ekonomike, po plagos njerëzimin”. Këto kanë qenë fjalët e Atit të Shenjtë në mesazhin e tij për Krishtlindjet. Papa ashtu si edhe një vit më parë, uroi festën edhe në gjuhën shqipe duke thënë: “Për shumë vjet Krishtlindjen!” Ai më pas dha bekimin “Urbit et Orbi”, pasi bëri urimin e festës në 65 gjuhë të ndryshme të botës. Dje Papa Benedikti i 16-të u shfaq i qetë pas incidentit të ndodhur mbrëmjen e së enjtes, kur gjatë meshës së Krishtlindjeve, një grua eci me vrap drejt tij duke shkaktuar incidentin e rrëzimit në tokë të Atit të Shenjtë.
Ky lajm është publikuar: 26/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›