Kryepeshkopi Anastas: Vrasja e Gumës, rrezik për të ndezur përplasje dhe urrejtje

Tiranë, 13 Gusht, NOA Me hidhërim të
veçantë marr pjesë në dhimbjen e thellë që ka shkaktuar vrasja e Aristotel
Gumës, në Himarë. Ngushëlloj me gjithë shpirt familjen e tij, dhe lutem që
Perëndia të prehë në paqe shpirtin e tij.
Kështu e ka nisur mesazhin e ngushëllimit të tij për humbjen e jetës së të riut, Aristotel Guma dje në Himarë, kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, Anastas Janullatos.
Veprime të tilla dhune të paargumentuar, të
dënueshme pa asnjë ekuivok nga çdo person me arsye, përbëjnë kërcënim për cënimin
e klimës së bashkekzistencës paqësore, për të cilën të gjithë qytetarët e
përgjegjshëm të Shqipërisë kanë bërë vazhdimisht përpjekje. Dhe për më tepër
janë rrezik për të ndezur përplasje dhe urrejtje të reja, pohon ai mes të
tjerash.
Sipas Janullatosit, në këtë moment kritik, prej çdokujt kërkohet përgjegjshmëri dhe gjakftohtësi, shmangie të akteve të hakmarrjes, investigim për të vërtetën dhe imponim të drejtësisë. Për më tepër është e domosdoshme që të intensifikohen përpjekjet që të sigurohen liritë e çdo qytetari dhe në përgjithësi të të drejtave të njeriut, përfundon ai.
n.e/NOA