E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryepolici grek: Masa për policët që dëmtojnë pasaportat e çamëve

TIRANË Për herë të parë ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, ka diskutuar me drejtorin e Përgjithshëm të policisë së Greqisë lidhur me çështjen e radhëve në kufi dhe dëmtimin e pasaportave të çamëve. Ditën e djeshme ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, priti dje në një takim drejtorin e përgjithshëm të Policisë të Greqisë Eleftherios Ikonomu. Ministri Nishani vlerësoi nivelin e lartë të bashkëpunimit mes strukturave policore shqiptare dhe greke, bashkëpunim i cili ka sjellë rezultate të shkëlqyera në luftë kundër krimit të organizuar, krimit ndërkufitar dhe trafiqeve të paligjshme. Ministri Nishani shprehu shqetësimin për dukurinë e vonesave që u krijohen qytetarëve shqiptarë në pikat greke të kalimit kufitar gjatë sezonit të pushimeve verore apo të festave të tjera tradicionale. Së dyti, ministri Nishani paraqiti shqetësimin mbi disa raste të evidentuara të qytetarëve shqiptarë, të cilëve u është ndaluar hyrja në Greqi dhe veç kësaj u janë dëmtuar dokumentet e udhëtimit.

Përgjigjja

Në përgjigje të shqetësimeve të ministrit Nishani, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Greqisë, Eleftherios Ikonomu, deklaroi angazhimin e menjëhershëm për ngritjen sa më shpejt të një grupi të përbashkët pune për të marrë masat e nevojshme që të mos përsëritet më dukuria e vonesave të pajustifikuara për qytetarët shqiptarë në pikat greke të kalimit kufitar. “Kjo periudhë është shumë e rrëmujshme, për shkak të ngarkesës së madhe që ka kalimi i personave si nga Greqia për në Shqipëri, ashtu dhe anasjelltas. Për këtë arsye kompjuterët paraqitën disa probleme teknike. Ajo që ka rëndësi dhe duhet ta theksojmë është dëshira shumë e mirë e të dyja palëve që, kurdo që të dalin të tilla probleme, të ketë ndërhyrjen e menjëhershme të oficerëve tanë përgjegjës dhe t’i japim zgjidhje të menjëhershme”, ka sqaruar Ikonomu.

Ikonomu e cilësoi ndërkohë të papranueshme një sjellje të atillë siç është dëmtimi i pasaportave të udhëtimit, dhe kërkoi nga policia shqiptare të informojë Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Greqisë, e cila do të marrë masat e duhura për çdo rast të një sjelljeje të tillë nga ana e policëve grekë. Lidhur me pyetjen e gazetarëve për kthimin e shtetasve çamë në kufirin shqiptaro-grek, Ikonomu ka thënë se “mendoj që duhet të mbetemi te temat e programit që unë kisha në këtë vizitë, të theksojmë bashkëpunimin shumë të mirë dhe të ngushtë që kemi mes dy policive tona dhe jemi shumë të kënaqur, sepse ky lloj bashkëpunimi që kemi mes nesh mund të jetë një shembull për gjithë bashkëpunimet policore në Ballkan”.

Në këtë takim ministri Nishani shprehu mbështetjen e plotë për të përparësuar angazhimin dypalësh për krijimin e një qendre të përbashkët të shkëmbimit të informacionit mbi aktivitetin kriminal në Shqipëri dhe Greqi, si dhe inkurajoi formalizimin e takimeve periodike

Bashkëpunimi

Po dje drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, priti në një takim drejtorin e përgjithshëm të Policisë greke, z. Eleftherios Ikonomu. Në këtë vizitë zyrtare në Shqipëri z. Ikonomu shoqërohej nga drejtues të tjerë të lartë të strukturave të Policisë greke. Në kuadër të këtij takimi, drejtorët e Përgjithshëm të Policisë së Shqipërisë dhe Greqisë evidentuan bashkëpunimin shumë të mirë policor ndërmjet dy vendeve dhe shprehën bindjen se intensifikimi i mëtejshëm i këtij bashkëpunimi do t’i shërbejë rritjes së efikasitet të strukturave policore respektive në goditjen e krimit dhe në veçanti formave të organizuara të tij. Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, z. Hysni Burgaj, vlerësoi arritjet pozitive të deritanishme në kuadër të këtij bashkëpunimi, i cili ka qenë konkret dhe ka ardhur gjithnjë në rritje si në drejtim të goditjes dhe parandalimit të krimit ndërkufitar, trafiqeve të paligjshme etj. Po ashtu, z. Burgaj evidentoi rëndësinë e forcimit të mëtejshëm të këtij bashkëpunimi për arritjen e rezultateve akoma më të larta në luftën kundër krimit në dyja anët e kufirit. Ndërkohë, drejtori i përgjithshëm i Policisë greke, z. Eleftherios Ikonomu, duke evidentuar bashkëpunimin e suksesshëm mes policive të dy vendeve tona, theksoi se “Ky bashkëpunim është në lartësinë e duhur dhe përbën realisht një shembull mes strukturave policore në Ballkan, që tregon sesi duhet punuar për të goditur krimin ndërkufitar, në mënyrë që të përfitohen rezultate pozitive.”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›