E Diel, 1 Nëntor 2026

Vdes 60-vjeçari pasi bie në një gropë me mbetje nafte

Nikollë Mata është gjetur i pajetë nga punonjësit e naftëmbajtëses së Marinzës.

FIER Ka shkuar për një vizitë familjare tek e bija e tij, por ka mbetur i pajetë i mbytur në një gropë me mbetje nafte dhe sere. Kështu ka ndodhur me 60-vjeçarin Nikollë Mata. Ngjarja e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së dielës në vendin e quajtur pranë sektorit të parë në fushën naftëmbajtëse Marinëz. Viktima, banor i këtij fshati, është nisur nga banesa e tij, që është disa qindra metra larg vendngjarjes për në drejtim të fshatit Sheqisht, fshat në të cilin banon e bija e tij, me familjen e saj. Pasi ka qëndruar gjatë pasdites te nipërit, i moshuari është nisur të kthehet për në familjen e vet, në fshatin Marinëz, që ndodhet disa km larg fshatit në fjalë. Kthimi është bërë në orët e para të mbrëmjes. Për t’i rënë më shkurt, 60-vjeçari ka kaluar mes fushës naftëmbajtëse. Ai është përpjekur të kalojë një gropë me mbetje nafte, për të dalë në një rrugë dytësore, e cila mundësonte kthimin e tij më shpejt në shtëpi, por ka shkarë dhe ka rënë në këtë gropë. Gjatë gjithë natës familjarët e shqetësuar kanë kërkuar të moshuarin. Ata kanë lajmëruar edhe policinë për mungesën e tij. Vetëm në orët e para të mëngjesit, kur punonjës të ndryshëm naftëtarë kanë kaluar pranë grykës së pusit, kanë parë se në gropë ishte një kufomë njeriu e rënë përmbys. Menjëherë është lajmëruar policia e Fierit. Një grup ekspertësh dhe autoambulanca kanë mbërritur në vendngjarje. Për shkak të mbulimit të trupit të pajetë me serë u mendua që trupi mund të ishte i dekompozuar dhe nuk mund t’i përkiste të moshuarit të larguar një ditë më parë nga shtëpia e tij. Por pas mbërritjes së një mjeti tip ekskavator, i cili filloi të hapte gropën e largonte mbetjet e serës prej aty, familjarë dhe të afërm të viktimës njohën trupin e pajetë të 60-vjeçarit. Policia dërgoi për në morg trupin e pajetë. Pas ekzaminimeve mjekësore, rezultoi se ai kishte vdekur nga asfiksia shkaktuar nga mbetjet e serës. Dosja përkatëse u plotësua prej specialistëve të grupit hetimor dhe u dërgua në organin e akuzës Fier.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›