Kryeprokurori i Tiranës, kërkon transferimin

Genti Xholi, i cili prej dy vitesh drejton akuzën e kryeqytetit, kërkon transferimin si prokuror i thjeshtë në akuzën e Apelit
Këshilli i Prokurorisë, votoi me katër vota pro transferimin e Xholit në Apel. Pritet propozimi i Ramës për dekret
TIRANË- Drejtuesi i Prokurorisë së Tiranës, prokurori Genti Xholi, kërkon të largimin nga kjo detyrë, për të marrë detyrën e prokurorit të thjeshtë në Prokurorinë e Apelit. Ky institucion në aspektin profesional vlerësohet si pozicion më i lartë, nga ai i Prokurorit të Rrethit, ku Xholi punon prej vitesh.
Lajmi konfirmohet nga burimet zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme dhe anëtarëve të Këshillit të këtij institucioni, të cilët dy ditë më parë votuan me shumicë votash që prokurori Xholi, t'i propozohet kryeprokurores Ina Rama për t'u emëruar në vendin vakant të Prokurorisë së Apelit në Tiranë. Sipas këtyre burimeve, mësohet se Prokuroria e Përgjithshme kishte hapur një vend vakant në institucionin e akuzës në Apel, duke i ftuar të gjithë prokurorët të kandidonin.
Për këtë vend, mësohet se kishin kandiduar katër prokurorë të Prokurorisë së Tiranës. "Kandidatët për këtë vend, ishin drejtuesi i prokurorisë së kryeqytetit, Genti Xholi, zv/drejtuesja e këtij institucioni, prokurorja Marjeta Zaimi, si dhe dy kandidatet e tjera, prokuroret Liljana Gjomema dhe Rovena Gashi. Pas votimit, nga pesë anëtarët e Këshillit, Xholi, mori katër vota, dërsa Zaimi, mori vetëm një votë, ndërsa dy kandidadurat e tjera, nuk morën ndonjë votë,- thanë burime të Këshillit të Përgjithshëm të Prokurorisë. Pas shqyrtimit të kandidaturave dhe votimit të tyre, anëtarët e Këshillit iu propozuan kryeprokurores Ina Rama, për të emëruar në Prokurorinë e Apelit shefin e akuzës së kryeqytetit, Genti Xholin.
Ky i fundit për të shkuar në Apel, vendosi të lërë funksionin e lartë drejtues në Prokurorinë e Tiranës. Pritet që kryeprokurorja Rama të pranojë propozimin e Këshillit të Prokurorisë, dhe t'i kërkojë Presidentit të Republikës emërimin e Xholit, si prokuror në organin e akuzës së Apelit në kryeqytet. Pas këtij transferimi, Rama duhet të gjejë edhe pasuesin e Xholit në drejtimin e hetimit në kryeqytet. Xholi u emërua në krye të Prokurorisë së Tiranës, 28 muaj më parë, kur Ina Rama menjëherë sapo ajo mori drejtimin e Prokurorisë së Përgjithshme i kishte propozuar emrin e tij, Presidentit të Republikës Bamir Topi, i cili e firmosi menjëherë.
Vetë prokurori Xholi, mësohet se ka dorëzuar kërkesën e tij, për t'u transferuar nga funksioni aktual, për tu emëruar prokuror në Prokurorinë e Apelit në kryeqytet. Gjatë mbledhjes dy ditë më parë të anëtarëve të Këshillit, mësohet se është votuar edhe për një vend vakant në prokurorinë e Tropojës, ku kanë kandiduar dy oficerët e policisë gjyqësore. "Për një vend vakant në detyrën e prokurorit në Tropojë kanë kandiduar dy oficerë të policisë gjyqësore.
Simon Pashuku me detyrë oficer në prokurorinë e Shkodrës dhe Admir Stunza, oficer pranë prokurorisë së Tropojës. Nga votimi i anëtarëve të Këshillit, ka marrë katër vota oficeri Pashuku, emri i të cilit i është propozuar Prokurores së Përgjithshme Ina Rama për ta emëruar prokuror dhe me detyrë pranë prokurorisë së Tropojës",-thuhet nga burimet e zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme.
Kandidaturat e votuara për në Apel
Genti Xholi
Marjeta Zaimi,
Liljana Gjomema
Rovena Gashi