E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kërkesa Avokati i Popullit: OSSH të kompensojë konsumatorët

Zyra e Avokatit të Popullit ka kërkuar shmangien e kompensimit në mënyrë selektive të konsumatorëve pasi faturimi me çmimin e ri të energjisë për muajin dhjetor i kishte prekur të gjithë


TIRANË- Duhen edhe pak ditë për t'u mbushur plot gjashtë muaj nga koha kur ka hyrë në fuqi vendimi për rritjen e energjisë elektrike. Pavarësisht kësaj, nuk janë shuar ende zërat që kundërshtojnë rritjen dhe aq më shumë praktikën e ndjekur.


Në një letër drejtuar Entit Rregullator të Energjisë, zyra e Avokatit të Popullit i kërkon kësaj të fundit që të detyrojë Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes të bëjë kompensimin e konsumatorëve për shkak se kanë paguar më shtrenjtë faturat e energjisë pa hyrë ende në fuqi vendimi për shtrenjtimin e saj.


Kur morën në dorë faturat e muajit janar mjaft qytetarë u ankuan se OSSH iu kishte përllogaritur edhe 10 ditët e fundit të muajit dhjetor me tarifat e reja të energjisë elektrike edhe pse ato hynin në fuqi vetëm më datë 1 Janar. Duke parë këtë situatë, OSSH premtoi verifikimin e rasteve dhe kompensimin e konsumatorëve të prekur. Në muajt e mëpasshëm në fatura u shtua edhe një klauzolë ku përcaktohej shuma që iu kompensohej konsumatorëve që u ishte përllogaritur energjia me çmimin e ri në muajin dhjetor.


Këtu qëndron edhe problemi për zyrën e Avokatit të Popullit. Sipas saj, OSSH ka bërë një verifikim rast pas rasti të konsumatorëve të prekur ndërkohë që praktika e matjes me tarifat e reja të energjisë në ditët e fundit të dhjetorit edhe pse ato nuk kishin hyrë ende në fuqi është aplikuar në të gjithë vendin. Për këtë shkak, Avokati i Popullit i kërkon ERE-së që të detyrojë OSSH-në të bëjë një kompensim të të gjithë konsumatorëve.


Përpilimin e kësaj kërkese duket se e ka përfocuar edhe më shumë përgjigja që Drejtori i Përgjithshëm i OSSH-së Xhosef Hejsek, i ka kthyer zyrës së Avokatit të Popullit, pasi kjo e fundit i kishte kërkuar të shpjegonte mënyrën se si do të bëhej kompensimi i konsumatorëve. "Nëse faturat e Janarit për Dhjetorin mund të kenë ndikuar pjesërisht nga përllogaritjet eventuale jo korrekte, ne kemi dhe instruksionet e duhura për stafin tonë si dhe duke i bërë të njohura edhe për klientet, dhe do të marrim në konsiderate si dhe do të verifikojmë çdo ankesë rast pas rasti, dhe do të zgjedhim secilën prej tyre në menyre sa më të përshtatshme për të dy palët", - citon zyra e Avokatit të Popullit nga përgjigja e kreut të OSSH-së Hejsek.


Nisur nga kjo, Avokati i Popullit i bën me dije ERE-se, se matja me tarifat e reja të energjisë është bërë për të gjithë konsumatorët çka bën të detyrueshme kompensimin e tyre.
"Jo pa qëllim kemi pritur pas kaq muajsh, kur do të fillonte kompensimi për faturimin në fjalë, pasi dhe ndërhyrja e bërë në fillim të vitit nga ana e ERE-s në drejtim të OSSH-së ka qënë e tillë që të bëhej kompensimi i konsumatorëve, në përputhje me kuadrin rregullator të miratuar nga ERE.


Zyra jonë paraqet kontestimet e saj pjesërisht, pasi faturimi me tarifat e reja është bërë në shkallë vendi për të gjithë abonentët familjare, dhe nuk është bërë kurrsesi në menyre selektive apo të rastësishme për disa abonentë, për të kërkuar tashmë nga OSSH-ja verifikimin rast pas rasti të këtij faturimi. Në pritje të këtij kompensimi, zyra jonë ka parë se as për faturat e muajit Prill 2010 nga ana e OSSH sh.a. nuk është bërë ende asnjë lloj kompensimi për faturimin e bërë publik në menyrë abuzive nga kjo shoqeri", - shpjegohet në rekomandimin e zyrës së Avokatit të Popullit.


Krahas kësaj, Avokati i Popullit ka ngritur edhe një shqetësim tjetër që ka të bëjë me kontrollin e matësave nga ana e punonjësve të OSSH-së. Sipas saj, nëse verehet një parregullsi në matës duhet medoemos që konsumatori të pajiset me një vërtetim siç është proces verbali i abonentëve në mënyrë që të shmangen abuzimet.


Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›