Kutitë,Berisha si mafia,do të zhdukë provat
Për Berishën
"Tani është po ai, që pasi foli për ja dy muaj për djegie dhe djegien e ka ngritur për herë të parë zyrtarisht tek "Krokodili" dhe atje u dogj edhe vetë politikisht, sepse duke dhënë argumentin që unë jam i detyruar të djeg provat, tregoi përfundimisht që këtu kemi të bëjmë me një klan mafioz, se vetëm mafia njihet që zhduk provat përmes djegies".
Për deklaratën e Çavushoglu
"Rezoluta e KE është më e qartë, kërkon hetim zgjedhjeve. Vetëm një turk Çavushoglu, që çuditërisht është edhe kryetar Asambleje, mund të abuzojë në mënyrë të tillë. Me atë institucion mund të tallesh ashtu siç e deformon ai rezolutën e institucionet të vet, vetëm Jozefina me Kuvendin e Shqipërisë e bën. Pra ngjan si një Jozefinë dy".
Për zgjedhjet
"Shqipëria u vodh në mënyrë të "fshehtë" dhe në mënyrë të hapur. Në mënyrë të "fshehtë" vodhi Saliu, në mënyrë të hapur Ilir Meta, i cili pasi kërcënoi Salën që të mos prekë qoftë edhe një votë për të krijuar një shumicë të paligjshme, i mblodhi 70 mijë të vetat dhe ia çoi. Pra, i tha: Ndalohet vjedhja me pakicë, t'i jep vëllai me shumicë".
Për votimin e fshehtë
"I duhej heqja e votimit në 2005 për shkarkimet, për Sollakun, s'arritën dot formalisht, u bë marrëveshje që do të respektohej, erdhi puna u votua me dorë të ngritur, Ina Rama me dorë të futur. Ky është absurdi shqiptare. Këtë do ta bëjë sa erdhi opozita, sa s'ishte opozita s'kishte rëndësi nëse rrëshqisnin 5-6 vota".
Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Skënder Gjinushi, në një intervistë të dhënë për gazetën "Shekulli", vlerësoi se të thuash që opozita do pushtet në tavolinë le të kuptojë qartë se hapja e kutive jep një rezultat tjetër, sepse vetëm atëherë pushtetin kalon në anën tjetër dhe ky është një autogol. Gjithashtu ai flet për deklaratën e Çavushoglu, të cilin e konsideron si Jozefina 2. Për sa i përket ndërhyrjes së ndërkombëtarëve për zgjidhjen e krizës, Gjinushit thekson se dihej me kohë që zgjidhja do të vijë me imponim sepse është e qartë se këtu kërkohet të bëhet një kompromis me hajdutin për të kontrolluar hajdutin.
Kohët e fundit, me ndërhyrjen e ndërkombëtarët, po negociohet zgjidhja e krizës politike me krerët e PD dhe PS. Sa mendoni se do të ketë një zgjidhje duke pasur parasysh refuzimin e Kryeministrit Berisha për të hapur kutitë e fletëve të votimit?
Dihej me kohë që zgjidhja do të vijë me imponim sepse është e qartë se këtu kërkohet të bëhet një kompromis me hajdutin për të kontrolluar hajdutin. Madje këtu hyn dhe pjesa absurde, dhe të negociatorëve, të cilët pikërisht kanë insistuar në gjetjen e një kompromisi, ku këtë bëhet fjalë për një zbatim të një drejte kushtetuese të opozitës, një e drejtë që nuk negociohet. Është qesharak kur thuhet që e kjo e drejtë të zbatohet, por konform Kushtetutës. I tërë keqkuptimi ndërkombëtar, madje edhe në opinion publik, ka qenë se gjoja Berisha është dakord për transparencën apo hetimin, por s'e le Kushtetuta, kur e vërteta është krejt ndryshe, opozita është nisur nga Kushtetuta që kërkon të drejtë.
Nuk ka gjë të pahetueshme dhe të pakontrollueshme në demokraci. Kushtetuta jonë në mënyrë laksative, ka vënë një nen qëllimisht për njerëz si Berisha, ku thotë se kërkesa për hetim nga pakica është e detyruar për Kuvendin për t'u pranuar. Kur thuhet që pranohet kërkesa, patjetër që pranohet dhe objekti i saj. Për pasojë ka qenë kjo që e ka zvarritur çështjen dhe e ka vështirësuar, por ka bërë të qartë që problemi real qëndron tek ajo që thashë më lart, sepse kjo e drejtë kushtetuese cenon qetësinë e hajdutit, cenon qetësinë e abuzuesit, cenon vetëm legjitimitetin e atij që s'është legjitim, për pasojë ai do të bëjë çfarë është e mundur për të penguar një hetim të tillë. Vetëm një ndërhyrje e imponuar, pa ekuivok, e qartë, kjo qartësi tashmë ka ardhur, do të çonte në një zgjidhje.
Duke njohur qëndrimin e Kryeministrit Berisha deklaratat e tij politike, sa besoni se ai do t'i hapë rrugë zgjidhjes së krizës përmes transparencës së kutive të votimit?
Pavarësisht nga çfarë thuhej, këtu ka një kërkesë, ka vetëm një të drejtë, të qartë, Kushtetuese. Për pasojë kur ka vetëm një kërkesë, ka vetëm një kompromis, plotësimi i kërkesës apo refuzimi i kërkesës. Nuk mund të ketë zgjidhje tjetër. Kjo bëri që Berisha të ndodhej ngushtë, pasi ai u përpoq që kërkesa në fakt ka në vetvete kërkesën për ndryshim pushteti, në tavolinë, që filloi të përdorej në mënyrë pakëz të çuditshme, kjo shprehja që pushteti nuk merret në tavolinë, kur në demokraci pushteti në tavolinë merret, se atje numërohen votat. Kur në jodemokraci merren në rrugë, përmes protestave dhe ndryshimeve më radikale.
Kjo ishte një autogol, të thuash që këta duan pushtet në tavolinë do të thotë që le të kuptojë qartë se hapja e kutive jep një rezultat tjetër, sepse vetëm atëherë pushtetin kalon në anën tjetër. Prandaj Berisha kaloi në argumentin e dytë, që s'më lë Kushtetuta. Këtu u përpëlit midis Kushtetutës dhe Gjykatës Kushtetuese. Kushtetuta ka një nen dhe vetëm një, ku jo vetëm nuk pengon por detyron hetimin. I mbeti më pas istikami i fundit, ishte neni 178, që gjoja pas 9 muajsh doli që Kodi e tregon se si hetohen zgjedhjet, që për çdo jurist normal të papolitizuar, nuk mund të kuptojë se si Kodi rregullon hetimin, se Kodi merret me procesin e zgjedhor. Asnjë rregullore e brendshme, asnjë ligj organik, nuk tregon se si hetohet organi përkatës, tregon se si funksion, si merr vendimet, si ankohesh ndaj tyre. Hetimin e rregullon vetëm Kodi i Procedurës Penale.
Kështu që, ky argument ra, se nuk mund t'ia pranonte kurrkush djegien e fletëve në bazë të Kodit, kur kërkohet një hetim. Tani është po ai, që pasi foli për ja dy muaj për djegie dhe djegien e ka ngritur për herë të parë zyrtarisht tek "Krokodili" dhe atje u dogj edhe vetë politikisht, sepse duke dhënë argumentin që unë jam i detyruar të djeg provat, tregoi përfundimisht që këtu kemi të bëjmë me një klan mafioz, se vetëm mafia njihet që zhduk provat përmes djegies.
Si e shikoni zgjidhjen e krizës politike?
Pasi doli qartë që s'kemi thjeshtë shkelje standardesh, problemi nuk është thjesht numërimi, por kemi problem manipulimi, tani problemi shtrohet shumë thjeshtë: Berisha mbrohet politikisht, pra dikush thotë që hallall që vodhe, tani vazhdo qeveris, për interesa korruptive; ose jepet zgjidhja. Për pasojë, tashmë absolutisht do të jepet një zgjidhje që nis nga transparenca e zgjedhjeve, se sa efektive do të jetë zgjidhja do të varet nga efektiviteti i aplikimit të kësaj marrëveshje.
Po nëse do të kemi sërish dështime të përpjekjeve për të gjetur një zgjidhje përmes negociatave?
S'ka më dështime. Nuk ka çfarë të negociosh më, negocimet mbaruan. Nuk negociohet thjesht kur ulesh ballë për ballë, aq më tepër kur Saliu s'di të ulet kurrë. Pra negocimet vetëm me ndërmjetësinë evropiane ka filluar minimumi në janar, është rezoluta e KE.
Rezoluta e KE është më e qartë, kërkon hetim zgjedhjeve. Vetëm një turk Çavushoglu, që çuditërisht është edhe kryetar Asambleje, mund të abuzojë në mënyrë të tillë. Me atë institucion mund të tallesh ashtu siç e deformon ai rezolutën e institucionet të vet, vetëm Jozefina me Kuvendin e Shqipërisë e bën.
Pra ngjan si një Jozefinë dy në këtë aspekt sepse institucionet kolegjiale flasin me rezolutë, nuk flasin me individ, nuk japin konsiderata, nuk japin këshilla. Këshillat private jepi ku të duash, aq më tepër nga Qipro nuk këshillohet që opozita shqiptare të shkojë në gjykatë. Në gjykatë njeriu shkon sa herë të dëshirojë, nuk shkon as me porosi as me këshilla, por je i detyruar të kërkosh zbatimin e rezolutës tënde, prandaj të kanë zgjedhur në krye.
Rezoluta thotë hetim i zgjedhjeve dhe thotë KE pyet Venecian, kur Venecia është pjesë e Këshillit të Evropës. Ne nuk mund të themi, që të shkojmë në gjykatë, siç thotë turku, ore thotë Saliu që kjo nuk është kushtetuese. Çfarë kjo? Se Sala i ka ndërruar deklaratat 20 herë, se s'çohen deklaratat e Saliut në Gjykatë. Unë dua të ngre një komision, por më thotë Saliu që s'është kushtetues, se shkel parimin filan. Po cilin? Ja lexoje në gazetë të themi. Po s'e ka gazeta.
Po ja pyet turkun t'i themi, se atij ia ka shpjeguar Jozefina se për çfarë është fjala.
Nëse parlamentarët e KE nuk dinë se çfarë do të thotë hetim zgjedhor dhe nuk e dinë nëse hetimi i zgjedhjeve bëhet me kuti të hapura apo me të mbyllur, atëherë kjo do të thotë që ata s'dinë as se si bëhet dashuria, as se si mjekohesh tek mjeku veshur apo zhveshur. Ne dimë që ka teknika, për shembull, mund të të operojnë edhe pa të të hapur barkun. Por, ama ka teknika dhe nëse ata kanë ndonjë teknikë që mund t'i lexosh fletët pa hapur kutinë, bujrum, meqë është turqisht. Kështu që tani nuk ka më se çfarë të negociohet, tani është shumë e qartë, që e gjithë kjo ka qenë një lojë, sepse loja vjen pikërisht nga ajo, që duhet të bëhet kompromis me hajdutin se si të kontrollohet hajduti. Është normal që hajduti do të bëjë ç'është e mundur për të mos e kontrolluar.
A ka opozita një plan që kjo situatë të mbarojë dhe të mos zgjatet pafundësisht?
Patjetër që opozita duhet t'i priste drutë më shkurt. Nuk mund të kërkosh pafundësisht hapje kutish. Hajdutit, gjëja e parë që i kërkohet është kontrolli, nëse nuk pranon as të kontrollohet, prezumohet i fajshëm, aq më shumë pastaj që jo vetëm pengon verifikimin e vjedhjes së votës, por vazhdon të vjedhë me dy duar ekonominë. Nëse korrupsioni ishte një herë i pranishëm në Shqipëri, bëhet 2-3 herë i pranishëm.
Ju e patë se si u mahnit, për keq sigurisht, ambasadori i SHBA, kur pa sondazhet e USAID-it që perceptimi për korrupsionin kishte vajtur 92%. Pse ishte 92%? Sepse 8% pyetjes a keni dhënë ryshfet i përgjigjeshin: Jo, jemi të Saliut dhe ne marrim. Prandaj s'është 100%, se 92 japin dhe 8 marrin. Ashtu siç po bëhet në sondazhe a vidhet vota në Shqipëri, të majtët do të thonë: Po Saliu vjedh. Ndërsa të djathtët absolutisht do të thonë: I lumtë dora bacës, sa të kemi atë fitojmë edhe pa marrë votën.
Pra këtu është një parodi e tërë, e gjithë kjo ka ardhur pse? Se po arrite të kontrollosh popullin, ta nxjerrsh të pavlefshëm, se të vjedhësh votën do të thotë ta nxjerrsh të pavlefshëm vullnetin e popullit. Këtu u nxor dyfishi. Shqipëria u vodh në mënyrë të "fshehtë" dhe në mënyrë të hapur. Në mënyrë të "fshehtë" vodhi Saliu, në mënyrë të hapur Ilir Meta, i cili pasi kërcënoi Salën që të mos prekë qoftë edhe një votë për të krijuar një shumicë të paligjshme, i mblodhi 70 mijë të vetat dhe ia çoi. Pra, i tha: Ndalohet vjedhja me pakicë, t'i jep vëllai me shumicë. Shqiptarët rrinë shohin se si Sala s'ka fituar, Sala fiton. Edhe në 2005 edhe në 2009.
Si e konsideroni heqjen e votës së fshehtë në Kuvend për votimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese apo të Lartë?
Kujt i mësojnë ata se çfarë do të thotë votë e fshehtë apo votë e hapur, s'e dimë ne se kush është më e mira? Kujton se nuk e dimë ne se nuk është më e mira, pse kemi mbajtur 20 vjet votën e fshehtë, kur më e mira qenka vota e hapur. E shpjegon dot? Apo ka rënë diktati i partive, ka rënë dhuna ndaj deputetëve, apo ka rënë pazari?! Heqja e votës së fshehtë në Kuvend është një lloj manipulimi si heqja e votës së fshehtë më 28 qershor, si shkelje e fshehtësisë së votës, që është një nga elementët e shkeljes.
Më 28 qershor Berisha kontrolloi votën e popullit, tani kërkon të kontrollojë dhe votën e deputetëve, se nuk i mjafton kjo shumicë e paligjshme për të qeverisur në rrugë të paligjshme. Kjo është për të pushtuar gjykatën. Opozita po e toleroi këtë ka një përgjegjësi të dytë, siç ka edhe pjesën e vet në mungesën e kontrollit mbi zgjedhjet. Nëse zgjedhjet e 28 qershorit u manipuluan për faj të Sali Berishës, por edhe për mangësi të opozitës, të tolerosh në mes të Kuvendit, tani që të bëhet thirrje gjoja për të qenë pjesë e reformave në Shqipëri dhe ti shkon bëhesh fasadë dhe sheh me sytë e tu si të hiqet e drejta e votës, se si pushton Berisha dhe institucionin e fundit, Gjykatën e Lartë dhe Gjykatën Kushtetuese, atëherë opozita humbet të tëra instrumentet për të luajtur rolin e vet opozitar dhe mbetet një opozitë fiktive.
I duhej heqja e votimit në 2005 për shkarkimet, për Sollakun, s'arritën dot formalisht, u bë marrëveshje që do të respektohej, erdhi puna u votua me dorë të ngritur, Ina Rama me dorë të futur. Ky është absurdi shqiptare. Këtë do ta bëjë sa erdhi opozita, sa s'ishte opozita s'kishte rëndësi nëse rrëshqisnin 5-6 vota. Tani është për të nxjerrë jashtë loje opozitën. Opozita po e pranoi këtë do të bëjë gabimin më të rëndë. PS ka për detyrë të mbrojë dinjitetin e opozitës.
Intervistoi: