E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeprokurori i ri, Shehu: Ta zgjedhë Presidenti, jo pakt PD-LSI

TIRANE- Deputetët demokratë kundërshtojnë mundësinë e një marrëveshjeje dypalëshe mes PDsë dhe LSI-së për t'ia lënë kësaj të fundit kryeprokurorin e ri të vendit, i cili zgjidhet në fund të muajit nëntor. Deputetët e PD-së janë kundër rikandidimit të Ina Ramës në krye të organit të akuzës, por e quajnë jo normale nëse zgjedhja e kreut të këtij institucioni të rëndësishëm do të bëhej mbi bazën e marrëveshjeve politike. "Zgjedhja e kryeprokurorit është kompetencë e Presidentit dhe jo e marrëveshjeve politike. Sa i përket çështjes së imunitetit, opozita kërkon ta kushtëzojë me elementë të tjerë që nuk kanë asnjë lidhje me imunitetin, vetëm për ta bllokuar, dhe si rrjedhojë nuk shoh zgjidhje tjetër veçse heqjen e tij me referendum", - tha ai. 

Dy ditë më parë, deputeti Dashnor Sula doli hapur kundër marrëveshjeve të tilla, duke u mbështetur edhe nga kolegu tjetër i grupit parlamentar, z.Tritan Shehu. Deputeti Shehu, e sheh si një çështje institucionale dhe politike zëvendësimin e Prokurorit të ri dhe si një e drejtë e Kreut të Shtetit. Nga ana tjetër, edhe deputeti Dashnor Sula, në një intervistë për "GSH" dy ditë më parë, deklaroi se nuk do të ishte normale një marrëveshje e tillë, sepse vendi i kryeprokurorit nuk bën pjesë në marrëveshjet politike dhe kështu nuk do të ishte një gjë normale. Sipas tij, "prokuroria është një organ i cili përgjatë këtyre 20 viteve, ka pasur uljet dhe ngritjet e veta, problemet e tij dhe kontestimet nga ana e politikës, dhe unë gjykoj që kryeprokurori duhet të jetë një figurë e cila të gëzojë një konsensus sa më të madh dhe një figurë e cila të mishërojë të gjitha ato cilësi që i kërkohen një drejtuesi të rëndësishëm siç është kreu i Prokurorisë së Republikës". "Për sa u përket dëshirave apo kërkesave, - që mund të jetë çdo jurist për të aderuar në krye të organit të akuzës, - mbeten për t'u parë dhe në kontributin që mund të japë gjithsecili jurist që ka një përgatitje, ka një beckgraund si ish-prokuror, si gjyqtar, si prokuror", - u shpreh deputeti i PD-së.
(m.a/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›