E Diel, 1 Nëntor 2026

Adriatik Llalla: Zyrtarët milionerë, prokuroria s'heton

TIRANE- Në një intervistë ekskluzive për “Gazetën Shqiptare”, Adriatik Llalla, kreu i Inspektoratit të Lartë të deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive nënvizon se bashkëpunimi i munguar me prokurorinë është kthyer në një problem për rezultatet e institucionit. 

Sipas tij, organi i akuzës deri tani ka pushuar rreth 70-80% të rasteve të propozuara për t’u hetuar nga ana e ILDKP-së. Llalla shpjegon në intervistë, se si zyrtarët po bëhen gjithnjë e më të sofistikuar në fshehjen e pasurisë, duke përdorur persona të tretë, apo duke e fshehur pas dhuratave e huave. 
Është i disati rast që deklaroni, se prokuroria pushon pjesën dërrmuese të kërkesave për hetimin e zyrtarëve, të propozuara nga Inspektorati. Sa problem është kjo për institucionin tuaj? 
Është e vërtetë që e kam përmendur më parë këtë fakt të përsëritur. E përsërita edhe sot, (dje). Thuajse në të gjitha rastet e kallëzuara nga ne, çështjet janë pushuar nga prokuroria apo gjykata, që do të thotë se 70- 80 për qind e kërkesave për hetim të zyrtarëve të lartë për fshehje apo tjetërsim të pasurisë, që i janë çuar prokurorisë nga ne, janë pushuar. 
Për sa raste bëhet fjalë? 
Gjatë kohës që e drejtoj unë Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive kemi çuar në prokurori rreth 20 raste në vit, me një total prej pak a shumë 80 rastesh. Ndër to janë marrë në shqyrtim rreth 15, pjesa tjetër është pushuar. Nga ana e saj prokuroria është shprehur po ashtu në vazhdimësi, se propozimet tuaja nuk kanë përmbajtur elementët e nevojshëm për hetimin e plotë të zyrtarëve. Si staf kemi bindjen e plotë se çdo rast i propozuar për hetim nga ILDKP-ja përmban të gjithë elementët e nevojshëm që të hetohen nga qeveria. Kemi ofruar të dhëna të detajuara, si për natyrën e rasteve të falsifikimeve në deklarimin e pasurisë nga ana e zyrtarëve, ashtu edhe për shumat apo pronat e fshehura. Çfarë natyre kanë shkeljet dhe për çfarë shumash bëhet fjalë? 
Më së shumti kemi dërguar në prokurori deklarata të rreme pasurie të bëra nga zyrtarë të ndryshëm, me qëllim fshehjen e pasurisë së vërtetë. Ndërkaq, kemi konstatuar se shumë zyrtarë pasurinë e fituar në mënyrë jo të ligjshme e fshehin në emër të personave të tretë. Këto pasuri manipulohen duke u paraqitur si dhurata, hua, apo të regjistruara në emër të të tjerëve. Sa për shumat, kemi hasur raste kur bëhet fjalë edhe për miliona euro. 
Për çfarë niveli zyrtarësh bëhet fjalë? 
Në një pjesë të mirë të rasteve kemi të bëjmë me zyrtarë të niveleve të larta.
(m.a/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›